Maskarada e Demarkacionit kundërshtohet bindshëm e faktueshëm

Politika

Maskarada e Demarkacionit kundërshtohet bindshëm e faktueshëm

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 1 prill 2018 Në ora: 14:12
Kufiri Kosovë-Mali i Zi

Frengu Balzak në romanin e tij "Shkëlqimi dhe rënia e kurtizaneve", shkruan: "Sensacioni i sotëm, e vënë në harresë ngjarjen e djeshme në Paris. Por, policia shënon dhe asgjë nuk harron". Sado që krerët shtetërorë, po provojnë ta mjegullojnë vëmendjen e popullit, nga shoku që pësoi, me ratifikimin e një vije të re kufitare, populli vazhdon të mos harrojë asgjë, në veçanti, ai i zonës kufitare, që përcjell me mbamendje brezash vijën kufitare, tej 300 vjeçare. Marrëveshja, sa e dhimbshme, aq edhe e dhimbshme, e Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Skënder Hysenit, do të mbetet vegëz konfliktesh, për brezat e pafajshëm shqiptarë.

Skenarët Hashim-Vuçiq, siç është arrestimi  i drejtorit Gjuriq, nuk janë risi. Andaj, populli i revoltuar vazhdon të kërkojë llogari, për tradhtinë e pushtetarëve, siç është Marrëveshja për Demarkacionin dhe ratifikimin tij nga Parlamenti i Kosovës. Më 27 mars, në Pejë, u organizua një bashkëbisedim me qytetarët e tri komunave kufitare me Malin e Zi. Studjues, deputetë, banorë të brezit kufitar, akzuan për tradhti kombëtare autorët e Marrëveshjes konspirative: Hashim Thaçin, Isa Mustafën, Skënder Hysenin, duke kërkuar arrestimin dhe hetimin e tyre, pë çështjen në fjalë.

Arsyetimi për Demarkacionin, duke kërkuar me ngulm ratifikimin e tij, larg vijës klasike të kufirit reale klasik, ishte mashtrim, hipokrizi e deri cinizëm rrugaçëror. Është cinizëm e banalitet i kulluar, t`u kërkosh barinjve të Rugovës, Zhlebit dhe të tjerëve, dokumente shkrimore, për kullotat dhe pyjet, të cilat i shfrytëzojnë prej qindvjeçarësh, brez pas brezi, kur dihet se i gjithë administrimi  dokumentar ka qenë në duar të zyrtarëve serbë dhe malazezë. Le ta ilustrojmë me një komision, për çështje kufitare, të përbërë nga 4 serbë dhe 3 malazezë, por, asnjë shqiptar. Pushtuesi ka punuar me letra, por, të cilat mund të zhvleftësohen, pikërisht, për mënyrën e fshehtë e konspirative të falsifikimit të tyre të vrazhdët.

Përgjatë gjithë diskutimeve në Parlament, PDK-ja me aleatë, si "arsyetim" bazë kishin se ratifikimi i Demarkacionit, sjell liberalizimin e vizave! Një "arsyetim" idiotesk, të dhurosh territor shtetëror për viza, sikur vizat të ishin nevojë biologjie, për të mbijetuar! Turpshëm shantazhohej, se, kinse, është kërkesë e popullit, të ratifikohet demarkacioni, qoftë edhe në këmbim të faljes së tokës!

Qytetarët nga komunat e Pejës, Deçanit, Istogut, akuzuan rëndë pushtetarët batakçinj, të zhytur në krime dhe hajni zyrtare, të cilët bënë presion enorme ndaj deputetëve, për ta votuar demarkmin e kufirit me Malin e Zi, sipas Marrëveshjes konspirative të vitit 2015. Në shënjestër ishin treshja fatale nënshkruese dhe aprovuese: Hashi Thaçi, Skënder Hyseni dhe Isa Mustafa, pa i amnistuar as krerët e tjerë dallaveraxhinj e karrieristë të pacipshëm, si Ramush Haradinaj e Kadri Veselin me shokë. Ata u zotuan se nuk do ta njohim kurrë implementimin e këtij ratifikimit. Megjithatë, veçuan edhe deputetë, të cilët, pavarësisht që u ishte imponuar votimi në grup parlamentar, kërkonin ende konsultime me rugovasit dhe të tjerët, si: Anton Quni, Vjosa Osmani, Naser Rugova.

E gjithë kjo maskaradë parlamentare, për Demarkacionin, me "arsyetime" banale e cinike, u bë për të mbuluar tradhtinë e treshes, që nënshkruan dhe aprovuan Marrëveshjen konspirative. Raporti i Profesor Shpëjtim Bulliçit, me kolegun Profesor Florim Isufin, kanë demantuar, madje, me fakte të pakundërshtueshme, Komisionin shtetëror të Hashimit, me kryetar Murat Mehën. Edhe pas krijimit të Komisionit të ri qeveritar, për hulumtimin e saktësimin e vijës kufitare me Malin e ZI, begatuan raportin me të dhëna shtesë dhe rezultoi se kufiri ishte, pikërisht, atje, ku Presidenti Rugova i kishte garantuar rugovasit, në pikat referuese Qafë e Çakorrit, Kulla e Zhlebit e tutje për maje-maleve, nuk do të zbresë më poshtë.

Çuditërisht, raporti shumë domethënës i Komisionit të Profesor Bulliçit, me shokë, u injorua dhe u mohua tërësisht, madje, pa pranuar as leximin e tij!!! Këtij refuzimi, mjerueshëm dhe turpshëm, iu bashkua edhe LDK-ja, për ta mbrojtur shefin Isa Mustafa, me urdhrin e të cilit kishte firmosur Marrëveshjen konspirative të Hashimit, Skënder Hyseni. Ndërkohë, për ta mbrojtur tradhtinë e Hashimit, bëri presionin sa të vrazhdët, aq edhe të paligjshëm, për ta ratifikuar Demarkacionin, edhe pse ishte i bindur se Kosova po humbet territor të shumtë e masiv.

PANAL (PDK, AAK, NISMA, AKR, LDK), ishin dhe mbetën një pelenë e ndotur, ngaqë arsyetimi mashtrues, hipokrit, banal e deri në cinizëm rrugaçëror, doli huq. Pika e 7-të e Marrëveshjes, është një mashtrim i radhës. Nëse, vërtet, kjo do të merrej seriozisht, së bashku me Raportin e Komisionit Bulliçi, do të duhej të bëhej rishikimi i vijës kufitare me Malin e Zi, para se të bëhej votimi për ratifikimin e Demarkacionit në Parlamentin e Republikës të Kosovës.

Që e gjithë kjo është një maskaradë parlamentare, një lojë e ndyrë, e dëshmojnë deklarimet, pas ratifikimit në Parlament, të dy eksponentëve të Marrëveshjes në fjalë, Hashim Thaçi e Isa Mustafa. I pari, përsëriti vetën, se me demarkimin e kufirit aktual, Kosova nuk humbë asnjë centimetër tokë dhe akuzoi të tjerët për kauzë të rrejshme. Ndërsa i dyti, duke e konsideruar të mbyllur përjetësisht çështjen e Demarkacionit, me Malin e Zi, tha: "Përcaktuam përfundimisht vijat kufitare. Ky është një sukses i madh!" A doni më troç se kaq?! Ata u lehtësuan se pjesë e tradhtisë së tyre, u bënë edhe dy të tretat e deputetëve të Kosovës! Çdo nismë e rishikimit të Demarkacionit dhe të vet Marrëveshjes konspirative, kutërbon tradhti. Andaj, të dy këta, Hashimi dhe Isa, duan varrosjen e së vërtetës, sa të hidhur, aq edhe të rrezikshme për ata.

Slogani rishtar i dëgjuar se "LDK-ja po e mbron Republikën", mendoj se është hyrje në hak të Lëvizjes Vetëvendosje. Bilëz, njëri nga krerët e LDK-së, u mburr, publikisht, se "pa angazhimin e LDK-së, s`do të ndodhte ratifikimi i demarkacionit". Mbrojtje e Republikës e jo mahi?! Mbrojtjen faktike të Republikës dhe kundërshtinë e faktuar të tjetërsimit të territorit të Republikës të Kosovës, e bëri Glauk Konjufca me vajzat dhe djemtë simpatikë të Vetëvendosjes, përfshi edhe grupimin e ndarë, të kryesuar nga Visar Ymeri e Dardan Molliqaj. Glauku, urtësisht e mençurish, me replikimet e përsëritura, i bllokoi trumcakët e PDK-së me vasalët e saj, të tufëzuar në PANAL, të cilët, në kor, mbronin, dëshirueshëm e turpërueshëm, tradhtinë, tashmë, të bërë të Hashim Thaçit dhe të Isa Mustafës.

Anëtarësia e LDK-së është e shqetësuar për menaxhimin e situatës të krijuar, pas largimit të "Listës Serbe". Kur nënkryetari i parë i LDK-së, u pyet, nëse i bashkohet PANA, ai u gjegj se vendosë Kryesia e LDK-së. Të mësuar me dredhitë kalkuluese e hiç parimore, gjithherë në dëm të LDK-së dhe të Kosovës, të Isa Mustafës me klanin e tij, që vepron, gjoja, si Kryesi e LDK-së, na sjell ndërmend një konstatim të saktë të analistit të mirënjohur Bajrush Morina, për "plakën politike" të Kosovës, Editë Tahiri, sa herë kthehet nga Brukseli, po na sjell nga një "sherr" për Kosovën".

Anëtarësia e LDK-së e dinë se "kryetari" i saj me strukturat vendimmarrëse nuk kanë bërë zgjedhje, por, janë vetemëruar. Rrjedhimisht, nuk kanë legjitimitet. Për habi, këtë paligjitimitet të tyre, ia faturuan Degëve të LDK-së në Gjermani e Zvicër, të cilat i kishin bërë me debat, konkurrencë dhe votim të fshehtë, gjë që asnjërën syresh nuk e bëri Isa me klanin e tij! Nuk e donin Donikë Gërvallën me shokë në Kuvendin zgjedhor dhe as në Këshillin e Përgjithshëm. "Atë ditë që deputetët e LDK-së vendosin pro ratifikimit të demarkacionit, në vijën fatale aktuale, unë nuk do të jem pjesë e LDK-së, sepse nuk dua të shkel mbi gjakun e gjyshit, të vrarë në mbrojtjen e tokave shqiptare në Pazar të Ri". Dhe, kur kjo ndodhi, Donika mbajti fjalën, dha dorëheqje.

LDK-ja, e kapluar nga SHIK-u, po mbahet në opozitë, në mënyrën më kriminale. Zgjedhjet e menjëhershme, me votim të fshehtë e demokratik, brenda partiake, do ta vinin në krye të listimit LDK-në, dhe do të ngjallnin shpresën në Kosovën e përtokur, nga banda mafioze e kriminale e PAN-it aktual. Ne që kemi provuar fushatën parazgjedhore të qershorit të vjetëm, në fshatra dhe lagje, e dimë mirëfilli se çfarë pengese për fitore është kasta klanore aktuale në krye të LDK-së.

Brenda LDK-së orekset janë shtuar dhe xhelozia, gjithashtu. Nervozizmi klanor është i dukshëm. Paraqitjen simpatike të grupit parlamentar të LDK-së, e cenoi vota fatale për demarkacionin. Por, porosia e shefit u zbatua "en bloc", edhe pse ishte shkelje e rëndë e amanetit të Presidentit Rugovë, tekstin e të cilit ua përkujtojë LDK-eistëve, madje, besnikërisht, deputetja e Vetëvendosjes. "Kush s`e dëgjon shefin, s`ka vend në parti", - kërcënoi njeriu i shefit! Kjo flet shumë për "demokracinë" brenda partiake të LDK-së. Edhe ish-deputeti Shpëjtim Bulliqi, ishte kërcënuar me përjashtim nga partia, pse nuk bashkoi votën për presidentin, i akuzuari i parë për krimin e organizuar politik vrastar në Kosovë dhe demarkacionin.

Poshtë kompromiset, brenda dhe jashtë partisë! Qeveria e krimit, e bashkuar në PAN, kryeministri dhe presidenti duhet shkarkuar, madje, pa alternativë. Bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje, të dy krahët saj, është  i domosdoshëm. Zgjedhjet në LDK-e rrëzojnë edhe kryetarin e dhunshëm aktual të saj. Kështu fillon shthurja e rrjetës merimangë të SHIK-ut kriminal, brenda strukturave vendimmarrëse të LDK-së. Pas zgjedhjeve brenda partiake, ngulmimi për zgjedhjet nacionale, është domosdoshmëri. Anëtarësia e LDK-së, në vend të bojkotit, siç bëri në zgjedhjet e shkuara, në disa Nëndegë, si revoltë ndaj Qendrës të klanizuar, duhet të këndellët dhe të zgjedhë kuadrin e përkushtuar dhe të dëshmuar, ashtu siç bëri me përzgjedhjen e deputetëve. LDK-ja e ka shansin të dëshmohet, me bagazhin e vlerave të saj, jo thjeshtë për pushtet, por, për shtet, ashtu, si dikur, në epokën rugoviane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat