Frika politike e Haradinajt nga Presidenti turk Erdogan

Politika

Frika politike e Haradinajt nga Presidenti turk Erdogan

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 1 prill 2018 Në ora: 20:33
Pas shkarkimit nga detyra, të Ministrit të Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe Drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës Driton Gashi, që erdhi si pasojë e deportimit të 6 shtetasve turq, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, të shtunën mori një mesazh të ashpër nga Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka zgjedhur heshtjen, përballë kërcënimeve të vazhdueshme, që po i vinë nga Turqia, përkatësisht nga Presidenti i saj, Rexhep Taip Erdogan. Aktualisht, Haradinaj po konsiderohet si një viktimë e lojërave anësore nga politikanë të tjerë të vendit dhe të vendeve të tjera, duke mos pasur guxim të dalë me reagime, pasi pas çdo reagimi të tij, po lindë nga një problem.

Pas shkarkimit nga detyra, të Ministrit të Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe Drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës Driton Gashi, që erdhi si pasojë e deportimit të 6 shtetasve turq,  Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, të shtunën mori një mesazh të ashpër nga Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

“Kryeministri i Kosovës largoi nga detyra personin në krye të Inteligjencës dhe Ministrin e Brendshëm. Unë tani pyes kryeministrin e Kosovës: Me udhëzim të kujt more një hap të tillë? Prej kur fillove t’i mbrosh ata që u përpoqën t’i bëjnë grusht shteti Republikës së Turqisë? Ju z. Kryeministër a nuk e dini se Turqia është vendi i dytë menjëherë pas Amerikës që e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Si mund t’i ushqesh këta njerëz që kanë bërë një tentativë për grusht shteti ndaj Turqisë e cila e mirëpret Kosovën si një vëlla. Do të japësh llogari edhe për këtë”,këto ishin fjalët e presidentin turl, Rexhep Taip Erdogan, drejtuar kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Mehmeti: Frika nga deputetja turke i mbyll gojën Haradinajt

Ky kërcënim i Erdoganit bëri bujë të madhe edhe në media prestigjioze ndërkombëtare. Reaguan edhe shumë politikanë të Kosovës, mirëpo, vetë personi të cilit iu drejtuan fjalët, nuk reagoi.

Aktualisht, Haradinaj po konsiderohet si një viktimë e lojërave anësore nga politikanë të tjerë të vendit dhe të vendeve të tjera, duke mos pasur guxim të dalë me reagime, pasi pas çdo reagimi të tij, po i lindë nga një problem.

Image
Faton Mehmeti

Këtë mos reagim të Haradinajt, e kanë komentuar në forma të ndryshme njohës të çështjeve politike dhe njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare me jashtë.

Analisti politik,  Faton Mehmeti, e sheh deputeten turke në Kuvendin e Kosovës, Myfera Shinik, si një shkak të mos reagimit të Haradinajt ndaj Erdogan, pasi sipas tij, rreziku i kryeministrit të Kosovës vjen nga kjo deputete, sepse nëse raportet Haradinaj-Erdogan acarohen, ajo mund të kalojë në opozitë dhe Haradinaj mbetet me një deputet më pak në qeverinë e tij.

“Nuk mendoj se Ramushi i frikësohet direkt Erdoganit, por i frikësohet deputetes turke në kuvendin e Kosovës, e cila mund të kaloj në radhët e opozitës për të iniciuar mocion ndaj qeverisë. Andaj, për mos të ulur tensionet, Ramushi ka zgjedhur heshtjen”- thotë Mehmeti për “Bota sot”.

Thaçi lejoi të trajtohemi si provincë turke

Ai thekson, se Ramushi po ndihet i rrezikuar nga të gjitha anët si nga Erdogani, Vuçiqi dhe Thaçi, dhe thotë se ky i fundit është fajtori kryesor për këto zhvillime, pasi që është i tmerruar nga Gjykata Speciale.

“Ramushi ndihet i rrezikuar nga te gjitha anët,si nga Erdogani, Vuçiqi dhe Hashimi. Nëse do ishte në opozitë, Ramushi do fliste për akuzat e Erdoganit, por në qeveri është i rrezikuar dhe hesht. Është mentalitet primitiv qe Thaçi e ka instaluar duke zhvendosur luftën politike jashtë vendit, me Erdoganin dhe Vuçiqin si aleat te tij. Besoj se të gjitha këto ngjarje të fundit, janë indikacione se kjo qeveri do të bie shume shpejt. E tërë kjo vepër e Thaçit, i cili është i tmerruar nga Gjykata Speciale. Është fajtor Thaçi që ka lejuar dhe po lejon që Erdogani të na trajtoj si provincë turke”- përfundoi Mehmeti.

Image
Enver Bytyqi

Ndërkaq, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Enver Bytyqi, ka thënë për “Bota sot” se ato deklarata të Erdoganit janë bërë për t’i njoftuar shqiptarët se kush është pro dhe kush kundër tij. Bytyqi thekson se vetë Erdogani e pranoi se Thaçi ishte bashkëpunëtori i tij në arrestimin e gjashtë gylenistëve.

“Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka bërë një deklaratë me të cilën i ka njoftuar shqiptarët se kush është pro dhe kush është kundër tij. Sipas Erdogan, pro tij janë besëprerët që i grabisin arsimtarët turq dhe i deportojnë pa gjyq drejt kasaphanës që Erdogan nga ngrit në Turqi. Ai e tha troç se shefi i besëprerëve dhe shkelësve të ligjit është presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai mbështeti publikisht Thaçin, ndërkohë që e paralajmëroi dhe e kërcënoi Haradinajn”- u shpreh ai.

Bytyqi: Reagimet të jenë të kujdesshme

Sipas Bytyqit, Haradinaj e ka bërë reagimin e tij në vitin 2016, ky ia kishte bërë me dije Erdoganit se nuk është vëllai i tij, ku tani Thaçi dhe Edi Rama po lidhin edhe më shumë vëllazërinë mes tyre dhe presidentit turk.

“Haradinaj ka reaguar në vitin 2016, fill pas grushtit të shtetit të improvizuar në Turqi, kur thoshte se "Erdogani nuk asht vëlla i im, ai mund të jetë mik dhe partner, por jo edhe vëllau im"! Ndërkohë Thaçi e Rama praktikisht vazhduan të trashin "vëllazërinë" me dy presidentë të rajonit: Me Erdoganin dhe me Aleksandër Vuçiçin. Kjo është e vërteta. Ndërsa sot Haradinaj është kryeministër i Kosovës, nuk është në opozitë si më 2016-ën”- tha Bytyqi.

Ai i bën thirrje Haradinajt që ketë kujdes me reagimin e tij, pasi çdo përgjigje me emocione ndaj Erodganit, mund të ketë pasoja të dëmshme për Kosovën.

“Çdo ngutje për t'iu përgjigjur Erdoganit me emocione personale do ta dëmtojë shtetin e Kosovës. Kosova duhet të jetë neutrale ndaj problematikave që ekzistojnë midis SHBA-ve dhe Turqisë, midis Evropës dhe Turqisë, gjithnjë për shkak të politikave pro-ruse të Erdoganit. Duhet të jetë neutrale, sepse Kosova ka nevojë për mbështetje. Por, Kosova nuk mund të jetë aleate e një Turqie otomaniste, siç përpiqet ta bëjnë Hashim Thaçi dhe Edi Rama. Ajo mund të jetë aleate strategjike vetëm e një Turqie moderne, qemaliste dhe evropiane. Duke qenë se e ardhmja mund të sjellë një Turqi të tillë, është mençuri e Haradinajt që të mos ngatërrojë qëndrimet e Erdoganit kundër Haradinaj, me qëndrimet e Kosovës ndaj një Turqie që nesër mund të forcojë lidhjet si në të kaluarën me SHBA-në dhe Evropën. Prandaj e mendoj dhe e gjykoj si të urtë dhe të kujdesshëm faktin që Haradinaj nuk reagon. Ai ka reaguar tashmë, duke shkarkuar dy aleatët e ngushtë të Erdoganit, ministrin e Brendshëm dhe shefin e AKI-së. Presidentin Thaçi nuk e shkarkon dot kryeministri. Është Parlamenti dhe Gjykata Kushtetuese, të cilat duhet të merren me përcaktimet antikushtetuese të presidentit”- përfundoi Bytyqi për “Bota sot”.

Image
Jeton Kelmendi

Kelmendi: Thaçi po i ikë Speciales

Ndërkaq njohësi i politikave ndërkombëtare të sigurisë, Jeton Kelmendi, thotë për “Bota sot” se këto deklarata të Erdoganit janë krejtësisht të papranueshme,derisa të njëjtin e quan edhe diktator.

 “Mendoj se deklaratat tërësisht irracionale që vinë nga presidenti Erdogan, janë tërësisht të papranueshme. Nuk mendoj se Kosova duhet të krijojë situatat konfliktuoze pas këtyre deklaratave, për faktin se është një shtet që na ka njohur, por assesi nuk duhet të i nënshtrohemi. Mendoj se tërë këtë skandal e ka bërë armiku i madh i Kosovës që quhet Hashim Thaçi dhe ky njeri ka krijuar këso lloj skenarësh të rrezikshëm për vendin, pra, mënyra se si i ka arrestuar gylenistët turq duke e krijuar një situatë konflikti në vend, e herë me Turqinë e herë me Serbinë, e ku i dihet që nesër mund të na fut në aventura të tjera të rrezikshme edhe me shtetin e Shqipërisë. E kjo bëhet krejt për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale”- potencon Kelmendi.

Ai e vlerëson mos nxitim heshtjen e Haradinajt ndaj kërcënimeve të presidentin turk, dhe thotë se shkarkimi i Thaçit nga posti i presidentit, do të ishte akt patriotik dhe kombëtar.

“Natyrisht se unë e shoh krejtësisht racionale mos reagimin e kryeministrit Haradinaj, pasi Erdogan është një diktator dhe prandaj mendoj se duhet kaluar në heshtje këtë punë. Edhe shkarkimi i ministrit Sefaj mendoj se është bërë në mënyrë korrekte, por e kam një ankesë në kryeministrin Haradinaj i cili po është tmerrësisht i paditur dhe pse bashkëpunon me të armikun e të ardhmes së Kosovës, pra Thaçin. Shkarkimi i Thaçit nga posti i presidentit do ishte akt patriotik dhe kombëtar”- përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat