Deportimi i turqve, Vetëvendosje do ta dërgoj Thaçin në kushtetuese

Politika

Deportimi i turqve, Vetëvendosje do ta dërgoj Thaçin në kushtetuese

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 2 prill 2018 Në ora: 21:21
Hashim Thaçi dhe Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje, e ka ndërmend të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese presidentin e vendit, Hashim Thaçi, pasi që ata dyshojnë se ai ka urdhëruar arrestimin dhe depërtimin e gjashtë qytetarëve turq në Stamboll. Sipas tyre, nëse vërtetohet se ky urdhër është dhënë nga ai, atëherë i pari i vendit ka bërë përzierje të kompetencave kushtetuese.

Zyrtarët e Lëvizja Vetëvendosje nuk po i marrin seriozisht akuzat që presidenti i vendit, Hashim Thaçi i ka bërë këtij subjekti politik në konferencën për media.

I pari i vendit, të shtunën në një konferencë për media akuzoi Vetëvendosjen se financohet nga Irani dhe për lidhje me Presidentin Rus, Vladimir Putin.

Por, deputeti i këtij subjekti politik, Ali Lajçi në një prononcim për “Bota sot”, thotë se deklaratat e Thaçit janë të pabaza dhe askush nuk i merr si serioze.

Ai paralajmëroi se subjekti i tij politikë është duke vlerësuar mundësinë për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese Thaçin për përzierje të kompetencave të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.

“Jemi duke analizuar veprimet e fundit të policisë së Kosovës për arrestimin dhe dëbimin e gjashtë qytetarëve turq në Turqi, sepse ekzistojnë dyshime këtë aksion e ka urdhëruar vet presidenti i vendit”, thotë Lajçi për “Bota sot”.

Ai thotë, se nëse del se këtë aksion e ka urdhëruar i pari i vendit, atëherë ai ka bërë përzierje të kompetencave.

Image
Ali Lajçi

“Në po e analizojmë procesin e kidnapimit dhe të dëbimit të gjashtë qytetarëve turq. Nëse këtë aksion e ka urdhëruar presidenti, çka ekzistojnë dyshime për këtë gjë, atëherë kjo nënkupton përzierje të kompetencave nga ai. Atëherë ne do dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese presidentin për interpretim të kushtetutshmërisë lidhur me këtë urdhër”, thotë më tej Lajçi për “Bota sot”.

Të enjten e kaluar, Policia e Kosovës në bashkëpunim me AKI-në kanë arrestuar gjashtë qytetarët turq që punonin në kolegjin “Mehmeti Akif”, dhe po të njëjtën ditë janë depërtuar me një aeroplan special për në Stamboll.

Për këtë veprim nuk ishte i informuar kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj dhe kjo çoi atë në shkarkimin e ministrit të brendshëm, Flamur Sefaj dhe drejtorit të AKI-së, Driton Gashi.

Lajçi flet edhe për akuzat e Thaçit

Sa i përket akuzave që i pari i vendit ka hedhur në adresë të Vetëvendosjes, ai thotë se këto janë të sajuar për përfitime të tij personale.

“Presidenti është mësuar të sajojë kësi tema dhe shpifje për të kaluar nga një gjendje në gjendjen tjetër. Por, ne jemi duke e analizuar procesin e depërtimit të gjashtë qytetarëve turq për të dërguar një lënde në Gjykatën Kushtetuese, dhe nëse kushtetuesja konstaton shkelje ligjore atëherë do të merren procedurat për shkarkimin e tij në Kuvend”, shtoi Lajçi për “Bota sot”.

Sipas pikës 1 të nenit 91 të Kushtetutës së Kosovës,  Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ai nuk është i aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Kurse, procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës mund të iniciohet nga një e treta (1/3) e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet për shkarkim.

Kërkohet nga Prokuroria të hetojë akuzat e Thaçit ndaj VV-së

Nga ana tjetër, njohës të çështjeve juridike dhe politike thonë se institucionet e drejtësisë duhet të merren urgjentisht me akuzat e presidentit të vendit ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

Image
Muhamet Kelmendi

“Tek qytetarëve e Kosovës është krijuar një opinion bazuar në deklaratat e presidentit Thaçi lidhur me Vetëvendosjen. Ai deklaroi se kinse se Vetëvendosje ka lidhje me grupe të ndryshme të Iranit, të Rusisë e kështu me radhë e që sinqerisht presidenti i vendit është i obliguar që nëse i ka këto të dhëna, t’ia jep prokurorisë së Kosovës”, thotë për “Bota sot”, profesori universitar, Muhamet Kelmendi.

Ai thotë se shefi i shtetit e ka për detyrë parësore  ruajtjen e sigurisë së shtetit, ruajtjen e Republikës dhe tërësisë territoriale.

Por, sipas Kelmendit nëse ai ka të dhëna të tilla, duhet t’ia dorëzoj organeve të drejtësisë.

“Pra, ai do të duhej që këto burime t’ia jepte Prokurorisë Speciale dhe organeve të tjera të drejtësisë se përndryshe nuk është fare në detyrën e presidentit që të futet në akuza të tilla, sepse nga vet natyra e pozicionit të tij, ai e ka një tjetër mandat që është ruajtja e unitetit dhe funksionalitetit të shtetit”, deklaroi Kelmendi.

Kelmendi: Akuzat e Thaçit janë të rënda

Kelmendi më tej thotë se akuzat e presidentit Thaçi janë të natyrës së rënd penale.

“Natyrisht që prokuroria e ka për detyrë të ftojë presidentin në intervistë lidhur me deklarata e tij, sepse është e obliguar që të kërkon fakte konkrete nga presidenti lidhur me akuzat që janë shumë të rënda të veprës penale që mund të pasojnë me dënime shumë të rënda”, thotë më tej profesori universitar, Muhamet Kelmendi.

“Nëse vërtetohen këto akuza, dënimet mund të shqiptohen deri në burg të përjetshëm, sepse ai po flet se zyrtarët e këtij subjekti politik janë në shërbim të armikut që kërcënon shtetin dhe pavarësinë e Kosovës. Kështu që Prokuroria vetëm duhet të kërkoj fakte nga presidenti që deklaroi drejt për drejt në media”, shtoi Kelmendi.

Gazeta “Bota sot”, të hënën ka dërguar pyetje me shkrim në adresë të Prokurorisë Speciale, për të pyetur se a do të ftohet në intervistë, Thaçi, por kjo e fundit nuk është përgjigjur.

Një përgjigje për “Bota sot”, nuk e kanë as zyrtarët nga Zyra e Presidencës së Republikës së Kosovës.

Akuzat e Thaçit po bëhen për shpërqendrim të vëmendjes

Kritik ndaj deklaratave të shefit të shtetit është shprehur edhe analisti politik, Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

“Besoj se akuzat e Thaçit janë krejtësisht mundësi që të shpërqendroj vëmendjen nga ngjarjet e fundit. Prandaj, deklarata të tilla nuk janë aq të besueshme, ndonëse mund edhe të jenë edhe të vërteta, por duke u bazuar në momentin dhe njeriun që i thotë, nuk janë aq të besuara”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

Mehmeti, thotë se është aftësi e Thaçit që të krijojë propagandë në raste të tilla, pasi me veprime të tilla ka ardhur në pushtet dhe vazhdon të qëndroj në pushtet.

“E gjithë situata është krijuar nga Hashimi për të rrëzuar nga pushteti Ramushin, dhe në anën tjetër të dobësoj edhe më shumë pushtetin e Kadri Veselit brenda PDK-së. Megjithatë kjo situata filloi t’i rikthehet në bumerang Hashimit, i cili i zënë ngushtë nga kjo situatë filloi të shpërndaj tymnajë për të larguar vëmendjen nga e gjithë kjo situatë”, deklaron Mehmeti.

Mehmeti kërkon nga partitë opozitare që urgjentisht të fillojnë iniciativën për shkarkimin e Thaçit nga posti i presidentit.

“Tashmë po del në pah gabimi trashanik i LDK-së që e bëri Hashimin president, i cili është shndërruar në personin më të rrezikshëm për vendin. Duhet urgjentisht që opozita të nis procedurat për të shkarkuar Thaçi, vetëm kështu mund të sigurohet se vendi s’do të përjetoj ngjarje të këqija. Çdo ditë që Hashimi është në pushtet Kosova rrezikon më shumë të përjetoj kriza të tilla”, shtoi Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat