Çmitizimi i Haradinajt

Politika

Çmitizimi i Haradinajt

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 2 prill 2018 Në ora: 22:43
Ramush Haradinaj

Shumë vite pas luftës ka qarkulluar një hipotezë se LDK-ja duhet të bashkëqeverisë me AAK-në, sepse lideri i saj, Ramush Haradinaj ishte njeriu i vetëm që mund t’ia thyente turitë njerëzve të PDK-së.

Kjo pasi që dikur LDK-ja udhëhiqej nga ish-presidenti historik, Ibrahim Rugova me bashkëpunëtorët e tij që vinin kryesisht nga fusha e letërsisë, artit, kulturës dhe filozofisë.

Për këtë, sipas kësaj hipoteze, LDK-së i nevojitej Haradinaj në bashkëqeverisje, si ish-komandant i UÇK-së dhe cilësive të tij personale për t’i dal në ballë njerëzve të PDK-së, që nuk heziton edhe të kërcënonin, nëse atyre u mungonte forca e argumentit. (Kujtojmë sharjen dhe kërcënimin që Hashim Thaçi, tash president i vendit i pati bërë, Nexhat Dacit në seancën e parë të Kuvendit).

Por, ngjarjet e fundit në Kosovë e hodhën poshtë këtë mendim. Treguan se edhe Haradinaj është i pafuqishëm për ballë skenarëve të Thaçit dhe institucioneve të shtetit që dyshohet se udhëhiqen nga njerëz të PDK-së (Afera “Pronto” tregon për punësime në institucionet kryesore të shtetit nga ky subjekt politik).

Fillimisht, ndodhi arrestimi i zyrtarit serb Marko Gjuriq, nga ana e Policisë së Kosovës, i cili kishte hyrë ilegalisht në veri të vendit. Si duket ky aksion i policisë e zuri në befasi Haradinaj, kur analizojmë reagimin e vonshëm  të tij.

Pas 20 orëve, i pari i ekzekutivit në një konferencë për media tha se ka qenë një dijeni për aksionin e Policisë së Kosovës për arrestimin e Gjuriqit, dhe sipas tij, ky aksion u ndërmor pas refuzimit që i është bërë Gjuriqit për të hyrë në Kosovë nga ana e Ministrisë së Jashtme.

Por, nëse e analizojmë një reagim të deputetit të AAK-së Muharrem Nitaj për ngjarjen në fjalë, të bën të dyshosh në versionin zyrtar të kryeministrit në konferencën për media. Shtoja faktin edhe për dyshimet e hedhura në Kosovë dhe Serbi arrestimi i Gjuriqit ishte përgatitur në koordinim me Thaçin dhe Vuçiqin.

Kurse, për aksionin tjetër të Policisë së Kosovës ku u arrestuan gjashtë qytetarë turq në bashkëpunim me AKI-në dhe inteligjencën e këtij shteti, e më pas u depërtuan në Turqi, Haradinaj e pranoi publikisht se nuk ka qenë në dijeni.

Kështu që ai mori vendim për të shkarkuar ministrin e brendshëm, Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashi me arsyetimin se ky aksion është ndërmarrë pa lejen e tij.

Më këto shkarkime, Haradinaj u mundua të mbulojë pafuqinë të tij përball presidentit Hashim Thaçi, që me deklaratat e tij dhe ato të presidentit të Turqisë, Erdogan tregojnë se ai qëndron prapa këtij aksioni.

Deklarata e Thaçit ishte se sipas AKI-së gjashtë qytetarët turq përbënin rrezik për sigurinë e Kosovës. Nga ana tjetër, Erdogan falënderoi Thaçin për çasjën e tij karshi këtij aksioni, kurse kritikoi Haradinajn për shkarkimet e sipër përmendura. Thaçi po ashtu konsiderohet si i preferuar i presidentit Erdogan, i cili në një fjalim e pati quajtur atë vëlla. Kështu që këto veprime treguan se edhe Haradinaj po del të jetë i pafuqishëm dhe i papërgatitur përball prapaskenave të Hashim Thaçit dhe kjo do t’i kushtojë shumë atij në të ardhmen e afërt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat