Tensionet Kosovë-Serbi, kur pritet të vazhdojë dialogu?

Politika

Tensionet Kosovë-Serbi, kur pritet të vazhdojë dialogu?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 3 prill 2018 Në ora: 13:19
Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksandër Vuçiq

Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë ende nuk dihet se kur do të vazhdojë, për raundin e radhës.

Të hënën e 26 marsit në Kosovë u arrestua shefi i të ashtuquajturës, Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq, pasi kishte hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës.

Kjo bëri që të ketë reagime të shumta nga Serbia, madje edhe deklarata luftënxitëse nga presidenti serb.

E për këto, krerët e vendit kanë thënë se tonët kërcënuese nga Serbia nuk do të kenë asnjë efekt në Kosovë dhe se institucionet e Kosovës vlerësojnë se dialogu dhe jo ultimatumet është rruga për të ecur përpara për ndërtimin e Kosovës evropiane dhe shumetnike.

Image
Avni Arifi

Se kur do të mbahet raundi i radhës i bisedimeve, për gazetën “Bota sot”, kryenegociatori për dialogun me Serbinë, Avni Arifi, ka thënë se këtë e cakton Bashkimi Evropian, derisa shton se Kosova është e gatshme për bisedime serioze me rezultat të garantuar.

“E cakton BE, varet nga ajo se kur e cakton. Ne jemi te gatshëm për çfarëdo bisedimi në cilën të paktën një rezultat është i garantuar. Jemi të gatshëm të shkojmë në bisedime serioze në çdo kohë dhe dialogu s’ka alternativë”, ka deklaruar Avni Arifi.

Dialogu, zgjidhja e vetme

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se lufta nuk i konvenon askujt, e më së paku Serbisë, e as Kosovës e cila duhet të dialogojë.

“Koha e luftës aktualisht nuk i konvenon askujt, e më së paku Serbisë e cila do të humbte përfundimisht gjithçka dhe përgjithmonë do të kthehej dhe mbyllej në “pashallëkun e Beogradit” që në fakt është vendi definitiv i Serbëve! E njëjta vlen edhe për Kosovën e shkallmuar nga injoranca dhe dilengjillëku, e cila duhet ta dijësve pos dialogut nuk e ka asnjë shans tjetër, prandaj duhet të dialogojë e vetëm të dialogojë! Rasti Gjuriq është e “kaluar e harruar!” Sprova serbo-shqiptare e ka dhënë rezultatin e saj për të dy palët dhe tash duhet priten sprovat e reja!”, është shprehur ai.

Image
Skënder Zogaj

Ndërsa, sa i përket tensioneve në mes të dyja shteteve, ai ka thënë se pavarësisht të gjithave, do të arrihet rezultati integrues në BE, por të dy palët do të futen aty si të dala nga kopshtet zoologjike.

“Sa i përket tensioneve serbe, janë për konsumin e brendshëm politik të liderëve serbë që kanë nevojë për patriotizëm të rrejshëm, sikurse edhe liderët e Kosovës që po u del flaka për komb e atdhe!?! Në këtë situatë dialogu shqiptaro-serb është “dushk për gogla”! Por, pavarësisht nga efekti aktual, kur t’u vihet këmba në fyt nga faktori ndërkombëtar, dy palët do ta lëpijnë llokumin dhe do të arrihet edhe rezultati i duhet integrues në BE! E keqja e krejt kësaj është se shqiptarët dhe serbët në BE do të shkojnë si të dalë nga kopshtet zoologjike”, ka vlerësuar Skënder Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

Arrestimi i Gjuriqit, skenar i dialogut

Në anën tjetër, analisti politik Faton Mehmeti vlerëson se i gjithë skenari i Gjuriqit ka qenë pjesë e dialogut.

“Besoj se pjesë e marrëveshjeve në Bruksel ishte edhe spektakli i arrestimit dhe lirimit të Gjuriqit. Në këtë këndvështrim e gjykoi se Kosova dhe Serbia nuk i kanë raportet e mira mes vete, por Hashimi me Aleksandrin po thirrjet për luftë ishin propagandë për të mbuluar skenarin e arritur mes Thaçit dhe Vuçiqit, pasi s’mund të ketë lufte për shumë arsye. Gjithsesi duhet të bëhen publike marrëveshjet e arritura mes Thaçit dhe Vuçiqit, tek të cilat dyshoj shumë se Kosova ka humbur”, është shprehur ai.

Sipas Mehmetit, ndërtimi i raporteve të mira në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk mund të arrihen me njerëz të shantazhuar.

“Ndërtimi i raporteve të mira mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të arrihet me njerëz të shantazhuar. Këto raporte duhet të kenë si pikë fillestare pranimin e realitetit, marrjen e përgjegjësive për të shkuarën dhe akordi që mos të pengojnë njëra tjetrën drejt të ardhmes. Por kjo nuk arrihet me Hashimin e shantazhuar, injorant dhe të korruptuar. Kosova dhe Serbia duhet te shikojnë kah e ardhmja, por Kosova s’duhet kurrë të ndihet inferiore pasi ishte viktimë”, ka deklaruar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat