Kosova u çlirua nga tirania serbe për t'u robëruar nga politika mafioze që s'lanë gjë pa bë...

Politika

Kosova u çlirua nga tirania serbe për t'u robëruar nga politika mafioze që s'lanë gjë pa bë...

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 27 qershor 2018 Në ora: 14:30
Ilustrim

Drejtësia në Kosovë është hallka më jofunksionale e kapur nga politikat dhe interesat grupore.

Në vend se të ishte një gardian i mbrojtjes së ligjit, tashmë kjo është shndërruar që të punoj vetëm për interesa klanore dhe grupore të pushtetarëve tanë.

Një version të tillë e kanë dhënë shpesh politikanët e sidomos opozita në Kosovë. Kjo për shkak se, po thuajse të gjithë gjyqtarët e Gjykatave janë të emëruar nga klika e pushtetit e sidomos e PDK-së. Edhe përgjimet telefonike në aferën PRONTO kanë dëshmuar këtë fakt.

“Peshqit e mëdhenj” janë të pakapshëm në Kosovë, e kjo është një dëshmi se pse krimi i organizuar dhe korrupsioni po vazhdon çdo ditë e më shumë të rritet.

Për këtë kanë reaguar edhe ndërkombëtaret. Madje disa ambasadorë kanë thënë se pa luftimin e kësaj dukuri Kosova është larg liberalizimit të vizave.

E gjatë ditës së mërkurë, kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj i ka siguruar institucionet e Bashkimit Evropian se pas liberalizimit të vizave nuk do të shkojnë në Evropë refugjatë nga Kosova dhe as kriminelë.

“Kur të vjen puna te liberalizimi i vizave, ajo që unë po ju them të gjithëve, nuk ju shkojnë prej Kosovës as refugjatë dhe as kriminelë, vetëm shkëmbimi rritet dhe komunikimi mes njerëzve dhe Kosova e ka arrit një shkallë të pjekurisë së tillë”, ka thënë kryeministri Haradinaj gjatë një konference për media.

Por, si është e mundshme të bëhet një deklaratë e tillë nga kryeministri i Kosovës, kur as që ka marrë hapin e parë në luftimin e krimit. Jo vetëm ky, por as kryeministrat e më parshme nuk kanë lëvizur në këtë drejtim.

E se krimi dhe korrupsioni në Kosovë amnistohet tregon edhe fakti i parashkrimit të lëndës për Xhabir Zharkun, i cili me ndihmën e partisë së tij kishte ikur për në Suedi dhe pas qëndrimit disa vjeçare atje lënda e tij është përshkruar, kurse sot qëndron i lirë në Kosovë, madje akuzon edhe ndërkombëtarët.

Image
Haki Abazi

Analisti dhe njohësi i mirë i politikës në Kosovë, Haki Abazi thotë se, drejtësia është e kapur nga politika dhe interesat grupore në Kosovë.

“Drejtësia është hallka më jofunksionale dhe e kapur nga politika dhe interesat grupore. Në sistemin e drejtësisë ka edhe gjykatës, prokuror dhe avokat të shkëlqyeshëm, por po mungon vullneti politikë për të lejuar veprimin e pavarur dhe të pa ndikuar të sistemit të drejtësisë”, thotë Abazi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, pasojat e një gjyqësie të kapur dhe jofunksionale janë në të gjitha drejtimet e posaçërisht në funksionimin e shtetit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që mandej reflektohet në mungesë investimesh, mungesën e besimit të qytetarëve në drejtësi dhe në integrimet euroatlantike.

“Gjithashtu mungesa e dorës së drejtësisë dhe gjyqësisë po lejon që institucionet e shtetit siç është parlamenti dhe ekzekutivi të jenë të mbushur me njerëz me dosje dhe veprime kriminale. Ky dështim është duke ju faturuar qytetarit dhe rrjedhimisht ai po ballafaqohet me mungesë perspektivë dhe shërbime shumë të dobëta publike”, pohon Haki Abazi.

Image
Avni Zogiani

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Zogiani thotë se drejtësia është futur vetë në korrupsion dhe krim e kjo sipas tij ndodhë kur politika është e zhytur.

“Drejtësia vetë është e futur në korrupsion e krim dhe kjo gjithmonë ndodhë kur politika është e zhytur në këto dy dukuri. Kosova nuk ka shpresë të përparojë në këtë drejtim pa ardhur në pushtet një politikë e pakorruptuar”, thotë Zogiani për gazetën “Bota sot”.

Analisti politik Leon Duhanaj potencon që, në Kosovë, jo vetëm tash, por që nga çlirimi është instaluar një kulturë abuzive me ligjin.

“Fatkeqësi është që ketë punë të ligë nuk e bënë njerëz të thjeshtë, por e bënë pikërisht ata të cilët do duhet t'ishin gardian të mbrojtjes së ligjit. Edhe më e dhimbshme është se për gjithë ketë sistem korruptiv, është përkujdesur faktori ndërkombëtarë. Në fillim UNMIK, pastaj EULEX, dhe tash, për gjithë këto dështime akuzohen qytetarët shqiptarë”, thotë Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Image
Leon Duhanaj

Ai befasohet dhe pyet se çfarë është kjo?

“Nganjëherë, njeriu mendon duke thënë; ç'është kjo vallë? A mos është ndonjë komplot, që ka mision degjenerues?! Ndryshe, vështirë të kuptohet. Në ketë segment duhet theksuar gatishmërinë e zyrtarëve "ekspertëve" vendore, për t'u bëtë mashë, apo ekzekutuese së keqes. Çfarë mund të thuhet në fakt, që i ndodhi Kosovës?”, pohon ai.

Ai shton se, Kosova u çlirua nga tirania serbe për t'u robëruar nga grupet e interesit (klanet), të cilat s'lanë gjë të keqe pa i bërë.

“Ky popull, po dënohet për dështimet e kuazi elitave që përpos pushtetit kapën edhe të ashtuquajturën pozitë elitare, që vetën e quajnë "aristokrat", a pasurinë e kanë nga vjedhjet dhe keqpërdorimet, përderisa Prokuroria, gjykatat dhe i terë sistemi i drejtësisë, përkujdesen që të mos u prishet as tymi i duhanit dhe, që t'ua rehabilitojnë gjakun përkatësisht legalizimin e pasurisë!”, përfundon Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat