Qytetarët u mashtruan, s’ka liberalizim vizash me krim e korrupsion

Politika

Qytetarët u mashtruan, s’ka liberalizim vizash me krim e korrupsion

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 30 qershor 2018 Në ora: 10:17
Foto ilustrim

Përkundër që ka vite që qytetarët e Kosovës po presin për liberalizmin e vizave, një gjë e tillë po mbetet vetëm një premtim nga pushtetarët e Kosovës.

Një deklaratë për liberalizmin e vizave e ka bërë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj. Ai ka deklaruar se liberalizimi i vizave është proces i pandalshëm dhe se Kosova i ka plotësuar kriteret. Por, të njëjtin mendim nuk e ka komisionari i Bashkimit Evropian (BE) për Migrim, Dimitris Avramopoulos, i cili ka deklaruar se Kosovës i duhet ende punë në përmbushjen e kriterit të fundit për viza.

“Kosova i ka plotësuar disa kushte kyçe si demarkacionin, mirëpo ka akoma punë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne jemi duke monitoruar dhe është një proces që po vazhdon. Shumë shpejtë çështja e vizave do të përfundojë për gjithë rajonin perëndimor të Ballkanit”, ka thënë ai.

Po të njëjtin mendim e kanë edhe njohësit e politikes ndërkombëtare të cilët vlerësojnë se liberalizmi i vizave nuk mund të bëhet duke bërë deklarata politike, por duke e luftuar krimin dhe korrupsionin.

Blakaj: Nuk do kemi liberalizim vizash

Image
Sami Blakaj

Njohësi i çështjeve për Integrime Evropiane, Sami Blakaj ka thënë për “Bota sot” se  Kosova deri më tani nuk ka dhënë rezultate të kënaqshme  në luftimin e krimit dhe të korrupsionit.

“Procesi i liberalizimit të vizave është proces i pandalshëm, vetëm nëse dëshmohet se krimi dhe korrupsioni do të luftohen pandalshëm.  Kosova deri më tani nuk ka dhënë rezultate të kënaqshme  në luftimin e  kësaj dukurie të shëmtuar e cila vazhdon të jetë pengesë kryesore dhe e vetme në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka deklaruar ai për “Bota sot”. 

Për më tepër, ai ka shtuar se qeveritarët duhet të kuptojnë se liberalizimi i vizave dhe secila fazë e integrimit në BE nuk matet me deklarata politike.

“Në këtë drejtim vendorët duhet të kuptojnë se liberalizimi i vizave dhe secila fazë e integrimit në BE matet me suksese të prekshme dhe jo me deklarata politike.  Përderisa në Kosovë ka luftë joefektive  kundër krimit dhe korrupsionit, rrjedhimisht nuk do kemi liberalizim vizash, nuk do të kemi stabilitet politik, juridik dhe as ekonomik”, ka potencuar Blakaj. 

Në fund, Blakaj ka thënë për “Bota sot” se  përmbushja e kritereve të BE-së nuk duhet shikuar vetëm si plotësim kriteresh karshi Bashkimit Evropian, por parasë gjithash duhet vlerësuar si arritje karshi interesit të përgjithshëm nacional.

Tahiri: Qeveria e Kosovës nuk ka marrë seriozisht segmente të sundimit të ligjit në Kosovë

Image
Mentor Tahiri

Ndërsa, politologu dhe profesori i politikës ndërkombëtare, Mentor Tahiri ka komentuar për “Bota sot” se deklaratën e komisionarit evropian Avramopoulos, për të cilën ka thënë se është një tregues se edhe në qoftë se do të kishte një vendim pozitivë sa i përket vizave, ky vendim mund të jetë i kushtëzuar.

“Deklarata e Avramopoulos është një tregues se edhe nëse do të ketë një vendim pozitiv lidhur me liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, sërish ky vendim mund të jetë i kushtëzuar për tu funksionalizuar vetëm më vonë. Në rastin më të keq, vendimi për liberalizim mund të mos merret fare”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Për më tepër, Tahiri është shprehur se Qeveria e Kosovës nuk e ka marr seriozisht  segmente të sundimit të ligjit në Kosovë dhe se vendi gjendet në një kohë shumë të ndërlikuar politike.

“Qeveria e Kosovës nuk ka marrë seriozisht segmente të sundimit të ligjit në Kosovë. Aq më tepër ka krijuar përshtypjen e një non-shalance në këtë drejtim, sikurse edhe në drejtime të tjera. Kosova gjendet në një momentum shumë të ndërlikuar politik, andaj liberalizimi i vizave është dashur që të kuptohet veç tjerash edhe si një hap më shumë drejt evropianizimit të vendit. Tani në këtë situatë, kjo do të shërbejë edhe si presion shtesë psikologjik ndaj palës negociatore kosovare në Bruksel”, ka theksuar ai.

Gjithashtu, ai ka potencuar se vendimi për liberalizimin e vizave do të ndikojë në kohëzgjatjen e kësaj qeverie.

“Gjithsesi, vendimi për liberalizimin e vizave, qoftë ai pozitiv apo negativ, do të ndikojë edhe në kohëzgjatjen e kësaj qeverie. Në rast të një vendimi negativ, ky kabinet qeveritar do ta ketë shumë të vështirë t’i mbijetojë presionit qytetar që do të vjen duke u rritur. Kurse në rast të një vendimi pozitiv, Qeveria e Kosovës do të ketë një rast ideal që këtë ta shënoj si fitore të saj. Kur kemi parasysh këtë, është për tu çuditur gjithë kjo non-shalancë që vjen nga kabineti aktual”, ka përfunduar Tahri për “Bota sot”.

Krasniqi: Qytetarët nuk duhet të vuajnë për shkak të politikanëve

Image
Faik Krasniqi

Ndërkaq, analisti politik, Faik Krasniqi, ka thënë se nuk duhet të bazohemi në deklaratat e qeveritarëve tanë pasi që nga viti 2010 është premtuar liberalizimi i vizave.

“Nuk bën të bazohemi  në deklaratat e zyrtareve tanë në përmbushjen ose mos përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave. Nëse bazohemi në deklaratat e tyre, Kosova prej 2010 do të duhej të fitonte liberalizimin e vizave, premtim ky i çdo kryeministri”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas tij, duhet të pritet raporti përfundimtar të komisionit evropian dhe se është skeptik se mund të fitohet liberalizmi i vizave.

“Por, duhet të presim raportin përfundimtar të komisionit evropian në lidhur me këtë çështje, edhe pse jam skeptik që në bazë të këtij raporti qytetaret e Kosovës deri në fund të vitit do të mund të lëvizin lirshëm. Njëkohësisht konsideroj që ky kusht është i padrejte për qytetaret e Kosovës nga ana e BE-se, duke e ditur ata fare mirë se të korruptuarit i ke në Qeveri, kuvend, parti politike dhe çdo institucion shtetëror”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat