“Thaçi e ka vetëm një hall, t’i ikë Gjykatës Speciale”

Politika

“Thaçi e ka vetëm një hall, t’i ikë Gjykatës Speciale”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 4 korrik 2018 Në ora: 20:48
Hashim Thaçi

Bisedimet në dialogun me Serbinë kanë filluar pas një periudhe dhe po udhëhiqen nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po vazhdon të kundërshtohet nga opozita, që nuk e do atë kryenegociator të dialogut.

Në anën tjetër, presidenti ka thënë se do të formohet ekipi negociator, pjesë e të cilit do të jetë dhe opozita.

Por, në takimin e thirrur sot për të biseduar për dialogun, Vetëvendosje nuk mori pjesë ndërsa LDK dhe PSD e lëshuan takimin.

Lidhur me gjithë këtë, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se presidenti Thaçi po vazhdon me të vjetrën dhe se është zgjidhur me premtime të rrejshme dhe po mundohet ta bëjë sërish të njëjtën gjë.

Image
Haki Abazi

“Thaçi nuk është duke bërë ndonjë gjë të re. Ai po vazhdon me avazin e vjetër dhe po vazhdon të dhunojë dhe anashkalojë institucionet e shtetit. Nuk është vetëm opozita por është parlamenti i Kosovës institucioni që është përgjegjës sipas Kushtetutës. Por siç e thashë Thaçi duke qenë se është zgjedhur president në mënyrë të dhunshme dhe jokushtetuese me sabotim dhe me dredhje duarsh, me premtime të rrejshme, tani përsëri po mundohet të bëjë të njëjtën gjë. Dallimi është që tani LDK nuk e pranon një lojë të këtillë që është aspak parimore dhe aspak shtet-ndërtuese”, është shprehur ai.

Sipas Abazit, Thaçi e ka hallën që të mos bie nga pushteti dhe t’i ikë Gjykatës Speciale.

“Thaçi dhe PDK janë ballafaquar disa herë me refuzimin që partitë tjera të bashkëpunojnë apo të jenë në koalicion si rezultat i tradhtive politike me qëllim të ruajtjes së pushtetit dhe kontrollit ndaj vendit. Thaçi e ka vetëm një hall, që të mos bie nga pushteti dhe nga pozita që ka të bëjë kompromise për t'i ikur Gjykatës Speciale apo prokurorisë së vendit për involvim në keqpërdorimin e pozitës dhe buxhetit të shtetit”, ka vlerësuar Abazi për “Bota sot”.

Ai më tej thotë se integrimi evropian, ushtria dhe liberalizimi i vizave nuk po ndodhin për shkak të kapjes së shtetit.

“Është fatmirësi që VV, LDK dhe Nisma tanimë kanë kuptuar së bashku që Thaçi është antishtetëror dhe se ka krijuar aleanca financiare me AKR dhe Behgjet Pacollin për të mbajtur veten në pushtet dhe në një formë janë duke përdorur Ministrinë e Punëve të Jashtme si mekanizëm për shpëlarje financiare. Sigurisht që është interes i Thaçit të vazhdojë por nuk është interes i shtetit sepse edhe integrimet evropiane edhe ushtria por edhe liberalizimi i vizave nuk po ndodhë pikërisht për arsyen e kapjes së shtetit”, ka përfunduar Haki Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat