Lobimi i Veselit - një fenë në ujë

Politika

Lobimi i Veselit - një fenë në ujë

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 5 korrik 2018 Në ora: 22:12
Kadri Veseli

Kryeparlamentari Kadri Veseli përzgjodhi deputetët e partive politike dhe u nis për Evropë, kinse, për të lobuar, për "liberalizimin e vizave!" Për çudë, kërkesën që e bënë në Evropë, zgjidhjen e ka në Kosovë. Evropa, përkatësisht, përfaqësuesit e saj kompetentë kanë ardhur në Kosovë dhe kanë qenë të qartë në deklarimet e tyre:

1) Krimi i organizuar, deri në përgjakjen e njerëzve të pafajshëm shqiptarë, drejtësia e kapur nga pushtetarë kriminelë, përfshi presidentin, kryeministrin, kryeparlamentarin, me bandat e tyre, gjithnjë aktive, kanë dështuar drejtësinë dhe ngulfatur shtetin e Kosovës.

2) Korrupsioni, thënë troç, hajnia zyrtare, e përmasave galopante, kulmon me kastën drejtuese në pushtet. E filluar në qershor të vitit 1999, me pushtimin e pronave shtetërore e shoqërore, si: troje, lokale tregtare e hoteliere, banesa të minoriteteve dhe të ikanakëve shqiptarë, magazina e biznese të vogla. Dhe, për të vazhduar me vjeljen e taksave të Qeverisë të Përkohshme, të krijuar nga Rexhep Mejdani, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Ilir Meta, Fatos Klosi, në koordinim me bandën puçiste të LPK-së, tashmë, të kryesuar nga Hashim Thaçi me bandën e tij.

Kjo vjelje "taksash" nuk u pranua nga UNMIK-u, sepse Qeveria e Përkohshme ishte ilegale, madje, e krijuar nga kryebanda e përkalljes të Shqipërisë, për ta marrë pushtetin dhunshëm, përkatësisht, banda enveriste-komuniste, aleate besnike e Serbisë. Dhe, që këtu, nismoi haraçi gjysmë-ilegal, për të marrë përmasa të përgjakshme, që nga shpërthimet me tritol të bizneseve, deri në pusitë vrastare, të atyre që inkurajonin biznesmemët, të mos u paguajnë haraç "komandantëve" kriminelë.

Privatizimet e pasurive shtetërore dhe shoqërore, si: Ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha; objekte të ndryshme biznesore e ndërtimore, për të vazhduar me hapësirat tokësore, si pasuri pronësore e brezave shqiptarë, ishte makro hajnia zyrtare, nga e cila përfituan "komandantët" vrastarë, familjet e tyre, bandat e tyre dhe llumhanja neveritëse e Kosovës.

Sekuestrimi i pasurive të hajnisë zyrtare dhe të haraçit masiv, të "komandantëve" kriminelë, do të ishte alfa dhe omega e suksesit, kundër korrupsionit dhe hap i sigurtë drejt liberalizimit të vizave.

3) Drejtësia e përtokur në Kosovë, është një tjetër arsye, që shteti i Kosovës të jetë në kryelistën e zezë ballkanike dhe evropiane. Si askund tjetër, në Kosovë ka ndodhur çudia. Kriminelët vrastarë të djeshëm dhe hajnat zyrtarë të sotëm sundojnë Kosovën. Të kapur nga krimi zyrtar janë që nga gjykatat lokale themelore e deri ke Gjykata qendrore Kushtetuese dhe Prokuroritë në nivelet komunale e deri ke Prokuroria e Përgjithshme e Kosovës. Dhe, nuk ka as mundësi teorike, të luftohet krimi vrastar dhe hajnia zyrtare, kur në kupolë të shtetit dhe të pushtetit janë, pikërisht, bartësit e këtyre krimeve.

Rrjedhimisht, lobimi i Kadri Veselit në Evropë, për liberalizimin e vizave, është hiç më shumë se sa një fenë në ujë.

Lobimi adekuat dhe suksesiv do të ishte prangosja e "komandantëve" kriminelë, bandat e tyre aktive, me të gjithë katalogun e krimeve. Rasti i freskët: Një bandit i komunës së Pejës, për të cilin policia ka regjistruar 73 raste penale, në mes tyre edhe plagosjen me thitë të tri vajzave, që ai kërkonte t'i kishte skllave seksi. E treta e radhës, nga shpimet thikës, ende lëngon dhe lufton për jetën, në spital. Dhe, megjithatë, krimineli vazhdon lirinë e tij kriminale!!!

Të gjitha nismat tjera, janë kamuflim i tejdukshëm e bajat, duke vazhduar me krimin e shpërdorimit të buxhetit të shtetit, edhe ashtu të varfër.

Justifikimi se përzgjedhja e deputetëve, për lobim, nga subjektet politike, ka qenë e drejtë ekskluzive e kryeparlamentarit Veseli dhe se deputetët e kanë shef atë dhe jo shefat e grupeve parlamentare apo të partive përkatëse, është një broçkullë bajate. Vendimi i LDK-së, për ta bojkotuar "lobimin" e Veselit me deputetë, ka qenë i drejtë, duke e konsideruar si shpenzim të kotë, sepse për liberalizimin e vizave, "lepuri flen" në Kosovë dhe jo në Evropë. 

Thyerja e kësaj disipline elementare partiake, nga një deputete e LDK-së, është provokimi i rëndë i radhës, është lëndimi masiv, jo vetëm i elektoratit të LDK-së,por edhe më gjerë në Shqiptari, pas bërjes të kvorumit për votimin e qeverisë supërkriminale të Haradinaj. Megjithatë, respektin dhe dashurinë, deri në adhurim, për Presidentin Rugova, nuk e zvetnojnë pasardhësit e Tij gjenetikë, të rrethuar, të shantazhuar, të manipuluar nga banditër me damkë, që kanë ngulfatur Kosovën dhe ardhmërinë e saj. 

Sidoqoftë, sjelljet dhe qëndrimet, për të mirë apo për të keq, më se shumti e madhojnë apo dëmtojnë individualisht personin. Elektorati përgjon dhe shpërblen apo ndëshkon, me votën e tij sovrane. Keqardhje për lajthitjet e përsëritura!

Habitë fakti se, ndërkohë që, opinioni shqiptar priste nga Lëvizja Vetëvendosje të pushtonte bulevarde e rrugë, me protesta, me kërkesat bazë për ndëshkimin e kriminelëve dhe sekuestrimin e pasurive të "komandantëve", të vëna me hajni zyrtare e haraç të përgjakur, ne pamë të bëhen bisht i Kadri SHIK-ut dhe të PAN-it të tij kriminal. Zhgënjyese, madje, skajshëm zhgënjyese!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat