“Ndëshkimi i Haradinaj ndaj ministrave për mungesë në Kuvend, mund të përplasë koalicionin”

Politika

“Ndëshkimi i Haradinaj ndaj ministrave për mungesë në Kuvend, mund të përplasë koalicionin”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 7 korrik 2018 Në ora: 13:23
Qeveria e Kosovës

Shpesh deputetët mbesin pa përgjigje në pyetjet që bëjnë drejtuar ministrave, pasi ata nuk janë të pranishëm në seanca.

Prandaj, dje në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Ramush Haradinaj iu kërkoi ministrave të tij, që të shkojnë në seancat e Kuvendit.

“Iu lus ministrave të shkoni në seancë, se mund të ketë pyetje parlamentare. Dje kam qenë, deputetët kanë bërë pyetje dhe ministrat s’kanë qenë aty. Iu lus ta bëni këtë sepse është në nderin e punës sonë”, tha Haradinaj.

Por, pse ministrat nuk shkojnë në seanca dhe kryeministri duhet të kërkojë nga ata që të marrin pjesë në të?

Image
Faik Krasniqi

Njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se se është problem të udhëhiqet qeveria me numër të vogël të deputetëve në Kuvend dhe këtë e ka Haradinaj, pasi ministrat që vijnë nga partitë tjera të koalicionit nuk i binden atij por shefit të tyre.

“Është problematike ta udhëheqësh një Qeveri kur ke numër të vogël të deputetëve në Kuvend, sepse partia që ka numrin më të madh të deputetëve ka edhe timonin e qeverisjes. Këtë problem e ka edhe kryeministri Haradinaj me ministrat e tij që vijnë nga parti të ndryshme të koalicionit, të cilët i përgjigjen shefit të partisë dhe jo shefit të Qeverisë”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, nëse kryeministri ndërmerr masa ndëshkuese ndaj atyre ministrave, atëherë mund të ketë përplasje brenda koalicionit dhe të rrëzohet qeveria, andaj duhet të mbahen zgjedhje që të ketë qeveri të shumicës.

“Në rast se kryeministri Haradinaj ndërmerr masa ndëshkuese ndaj ministrave që nuk marrin pjesë në seancat e Kuvendit, kur ata e kanë për detyrë të jenë pjesë e tyre, mund të vie edhe deri tek përplasja mes partnerëve të koalicionit, që mund të vie lehtë tek prishja e Qeverisë. Prandaj është e domosdoshme që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që të kemi një Qeveri të shumicës shqiptare”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat