Haradinaj iu lutet ministrave nga pafuqia që t`i shkarkojë - Bota Sot
Haradinaj iu lutet ministrave nga pafuqia që t`i shkarkojë

Politika

Haradinaj iu lutet ministrave nga pafuqia që t`i shkarkojë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 10 korrik 2018 Në ora: 10:31
Qeveria e Kosovës, foto arkiv

“Të gjitha këto tregojnë se qeveria Haradinaj nuk është stabile, është çështje e numrave që janë të tillë, që qeveria nuk po ka numra të mjaftueshëm që të qeverisë në mënyrë efektive dhe opozita nuk po ka numra për ta rrëzuar këtë qeveri dhe tani kemi qeveri të lutjeve, favoreve me të vetmin qëllim, mbetja sa më gjatë në pushtet”, ka theksuar avokati Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

Shumë pyetje të deputetëve të Kuvendit të Kosovës mbesin pa përgjigje në seancat që mbahen. Kjo, pasi ministrat për të cilët janë ato pyetje, mungojnë. Për këtë deputetët kanë pasur ankesa të shumta, ndërsa së fundmi në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, u kërkoi ministrave që të jenë të pranishëm në seancat e Kuvendit.

Këtë gjë Haradinaj e kishte bërë edhe më herët që kur është në krye të Qeverisë.

“Iu lus ministrave të shkoni në seancë, se mund të ketë pyetje parlamentare. Dje kam qenë, deputetët kanë bërë pyetje dhe ministrat s’kanë qenë aty. Iu lus ta bëni këtë sepse është në nderin e punës sonë”, u tha Haradinaj ministrave.

Por, pse ministrat nuk shkojnë në seanca dhe kryeministri duhet të kërkojë nga ata që të marrin pjesë në të dhe si duhet të veprohet në këtë rast.

Image
Naser Rugova

Rugova: Mungesa e ministrave tregon mos unitetin brenda kabinetit qeverisës

Deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është Qeveria ajo që duhet t’i japë llogari Kuvendit dhe me rregullore, asnjë ligj nuk mund të votohet pa u prezantuar nga ministri apo dikush nga kabineti qeveritar.

“Së pari, Kushtetuta e vendit, Rregullorja e Kuvendit, shumë qartë i rregullon këto gjëra. Qeverinë e zgjedh Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Kuvendi e monitoron punën e Qeverisë. Qeveria i jep llogari Kuvendit, të zgjedhurve të popullit dhe Kuvendit, i cili i ka mandatuar dhe asnjë ligj, është rregull pune, nuk mund të votohet pa u prezantuar nga ministri i digasterit përkatës, apo ministri apo kryeministri ta autorizojë njërin nga anëtarët e kabinetit përkatës”, është shprehur ai.

Sipas Rugovës, mungesa e kabinetit qeveritar në seancat e Kuvendit tregon tre gjëra, ndër to, mungesën e unitetit brenda koalicionit dhe mungesën e shumicës në Kuvend.

“Kjo mungesë permanente e kabinetit qeveritar në seancat e Kuvendit të Kosovës, në radhë të parë tregon për mos unitetin brenda kabinetit qeverisës dhe partnerëve të koalicionit, 2, kjo qeveri shihet që nuk e ka shumicën solide dhe të nevojshme të thjeshtë në Kuvendin e Kosovës dhe 3, kjo qeveri është pa koncept dhe kur kësaj ja shtojmë statistikat që Kuvendi i Kosovës i udhëhequr nga Kadri Veseli dhe nga kjo mazhorancë, ka realizuar vetëm 20 për qind të agjendës legjislative për këtë vit, tregon për gjendjen e rëndë politike dhe institucionale në të cilin e ka futur vendin, kjo pseudo mazhorancë”, ka deklaruar deputeti Naser Rugova për “Bota sot”.

Image
Ismail Kurteshi

Kurteshi: Duhet të ketë edhe sanksionime për secilin që nuk punon

Ndërsa, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, duke folur për gazetën “Bota sot” për këtë çështje, ka shprehur kritikat për ministra, deputetë dhe kryetarin e Kuvendit, pasi asnjë seancë nuk fillon me kohë dhe sipas tij, gjendja që është në Kuvend nuk ka kuptim.

“Së pari, mendoj që as ministrat, as deputetë, as kryetari i Kuvendit nuk po e kryejnë punën si duhet. Nuk ka seancë që fillon me kohë, të gjitha seancat fillojnë me vonesë, në radhë të parë për shkak të vonesës së kryetarit e më pas edhe deputetët vonohen. Pauzat që parashihet të zgjasë 1 orë, zgjat dy orë, diskutohet për çështje që absolutisht nuk duhet të diskutohet. Prandaj, edhe është kjo gjendje në Kuvend që në të vërtetë nuk ka kuptim”, ka theksuar ai.

E sa i përket ministrave, deputeti Kurteshi vlerëson se kjo është papërgjegjësi e tyre, pasi në të shumtën e rasteve deputetët mbesin pa përgjigje dhe për këtë ai propozon që të ulen e të bisedojnë, por nuk përjashton as sanskionet për ta.

“Kurse sa i përket çështjes se ministrave, ata po harrojnë se ata i përgjigjen Kuvendit dhe jo Kuvendi atyre. Prandaj, nuk janë absolutisht në nivel të detyrës kur duhet të jenë. Ata edhe kur ka pyetje parlamentare në të shumtën e rasteve nuk janë për tu përgjigjur dhe kur sjellin ligje, siç ndodhi sot, ministri e ka sjellë ligjin, është sponzor i ligjit dhe vet nuk është i pranishëm në seancë. Nuk ka shpjegim, kjo papërgjegjësi e skajshme dhe ndaj sjelljeve të tilla, duhet të ulemi dhe të merremi vesh, natyrisht duhet edhe sanksionime për secilin që nuk punon ashtu siç e ka të përshkruar në vendin e tij të punës”, ka theksuar deputeti Ismail Kurteshi për “Bota sot”.

Image
Tomë Gashi

Gashi: Qeveria Haradinaj nuk është stabile

Kurse, avokati Tomë Gashi, vlerëson se për shkak të një koalicioni jo të natyrshëm, kryeministri i lut ministrat që të shkojnë në seanca të Kuvendit, derisa kjo është e përcaktuar me ligj dhe norma.

“Për shkak të koalicioneve që janë jo shumë të natyrshme në këtë qeveri, kryeministri Haradinaj i lut ministrat me marrë pjesë në seancat e Kuvendit të Kosovës. Në një qeveri stabile kjo nuk do të duhej të ndodhte sepse pjesëmarrja e ministrave është e kuptueshme dhe obliguese, e përcaktuar me Ligje dhe norma konkrete të funksionimit të qeverisë”, është shprehur Gashi.

Sipas tij, kjo tregon se Qeveria nuk i ka numrat për të qeverisur në mënyrë efektive dhe opozita nuk i ka numrat e mjaftueshëm për ta rrëzuar qeverinë.

“Të gjitha këto tregojnë se qeveria Haradinaj nuk është stabile, është çështje e numrave që janë të tillë, që qeveria nuk po ka numra të mjaftueshëm që të qeverisë në mënyrë efektive dhe opozita nuk po ka numra për ta rrëzuar këtë qeveri dhe tani kemi qeveri të lutjeve, favoreve me të vetmin qëllim, mbetja sa më gjatë në pushtet”, ka theksuar avokati Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

Kryeministri i pafuqishëm

Në anën tjetër, për njohësin e çështjeve politike, Rexhep Shahu, e gjithë kjo tregon arrogancën e ministrave dhe pafuqinë e kryeministrit që t’i shkarkojë ata.

“Po kjo tregon arrogancën e ministrave, pafuqinë e kryeministrit për t’i shkarkuar, ekuilibrat e dobët politike të Kosovës. Ministrat nuk justifikojnë rrogën që u jep Kosova, ata para se të jenë ministra janë deputetë dhe nëse i ikin ligj-bërjes pohojnë se duan të qeverisin pa ligje, duan të bëjnë çfarë të duan, nuk durojnë kontroll parlamentar, pra nuk durojnë kontrollin e popullit përmes përfaqësuesve të tij”, ka vlerësuar ai.

Sipas Shahut, ministrat ndihen sikur e kanë në dorë shpirtin e Kosovës.

“Kryeministri duhet tu lutet sepse nuk është i fuqishëm t’i shkarkojë. Kjo gradualisht po shndërrohet në mënyrë sjellje të ministrave të cilët ndjehen se janë të pikur nga qielli dhe u duket vetja se kanë në dorë shpirtin e Kosovës”, është shprehur Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Duhet të mbahen zgjedhje që të ketë qeveri të shumicës

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është problem të udhëhiqet qeveria me numër të vogël të deputetëve në Kuvend dhe këtë e ka Haradinaj, pasi ministrat që vijnë nga partitë tjera të koalicionit nuk i binden atij por shefit të tyre.

“Është problematike ta udhëheqësh një Qeveri kur ke numër të vogël të deputetëve në Kuvend, sepse partia që ka numrin më të madh të deputetëve ka edhe timonin e qeverisjes. Këtë problem e ka edhe kryeministri Haradinaj me ministrat e tij që vijnë nga parti të ndryshme të koalicionit, të cilët i përgjigjen shefit të partisë dhe jo shefit të Qeverisë”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, nëse kryeministri ndërmerr masa ndëshkuese ndaj atyre ministrave, atëherë mund të ketë përplasje brenda koalicionit dhe të rrëzohet qeveria, andaj duhet të mbahen zgjedhje që të ketë qeveri të shumicës.

“Në rast se kryeministri Haradinaj ndërmerr masa ndëshkuese ndaj ministrave që nuk marrin pjesë në seancat e Kuvendit, kur ata e kanë për detyrë të jenë pjesë e tyre, mund të vie edhe deri tek përplasja mes partnerëve të koalicionit, që mund të vie lehtë tek prishja e Qeverisë. Prandaj është e domosdoshme që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që të kemi një Qeveri të shumicës shqiptare”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera