Asociacioni rrezikon ta paralizojë vendin nga brenda - Bota Sot
Asociacioni rrezikon ta paralizojë vendin nga brenda

Politika

Asociacioni rrezikon ta paralizojë vendin nga brenda

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 12 korrik 2018 Në ora: 07:48
Foto ilustrim "Bota sot"

“Asociacioni me kompetenca ekzekutive e bën Kosovën jofunksionale, ngase kemi të bëjmë me autonomi për serbët. Kjo nuk duhet të lejohet. Kosova mund t'i ketë kufijtë e përcaktuar por, nëpërmjet Asociacionit, Serbia do të jetë e pranishme në Kosovë dhe vendi do të paralizohet nga brenda”, thotë analisti politik Imer Mushkolaj.

Në Bruksel, pritet që të fillohen bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me një temë jashtëzakonisht të ndjeshme për shqiptarët.

Kësaj radhe, me kërkesën e Brukselit, raundi i ri i dialogut do të jetë vetëm për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Por, një kërkesë të tillë Serbia e ka refuzuar.

Autoritetet e Serbisë, përfshirë edhe përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, në vazhdimësi kanë insistuar që Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe, duhet të ketë kompetenca ekzekutive.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se ky Asociacion do të formohet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Megjithatë, ende është e paqartë për qytetarët e Kosovës, se çfarë do të ndodhë me Asociacionin.

Por, për një dialog të tillë po kërkohet të formohet një grup i unitetit në mënyrë me dialog mos të udhëheq presidenti Hashim Thaçi pasi opozita nuk po i beson.

Anash kësaj, krijimi i Asociacionit me shumicë serbe do të jetë i frikshëm për Kosovën.

Image
Mentor Tahiri

Çka do të humb Kosova me krijimin e Asociacionit?

Politologu Mentor Tahiri thotë se, Asociacioni i Komunave Serbe është de-facto një autonomi territoriale e ndërtuar mbi baza të vijave etnike, ashtu siç sugjeron në mënyrë eksplicite edhe vetë emërtimi.

“Në anën tjetër pavarësisht debatit të brendshëm politik që ngjallë krijimi i Asociacionit, ai është në fakt një kompromis politik i arritur qysh në vitin 2007 në bisedimet që i paraprinë përpilimit të Planit Ahtisaari, duke qenë edhe pjesë integrale e këtij plani. Mu për këtë ka edhe një asimetri në kompetencat që kanë komunat si njësi të pushtetit lokal. Komunat me shumicë etnike serbe të popullatës, qysh tani me ligjet e Kosovës kanë kompetenca në fusha si arsimi, kultura, shëndetësia, planifikimi hapësinorë dhe pjesërisht në politika financiare. Skena politike e Kosovës ka dështuar që opinioni t’ia transmetoj këtë si duhet, kurse ajo që do të ndodhë në të vërtetë me krijimin e asociacionit është bartja e kompetencave aktuale që kanë komunat me shumicë serbe në një trup të vetëm institucional si asociacioni”, thotë Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Specifikat e termit ASK

Sipas tij, ajo që pala politike e Kosovës ka mundur ta evitojë, por këtë nuk e ka bërë në mungesë të pjekurisë dhe taktit politik, është vetë emërtimi eksplicit etnik i etnitetit në të cilin do të përshihen komunat me shumicë serbe.

“Jemi dëshmitarë në rastin e Bosnjë-Hercegovinës se si emërtimi një etnik “Republika Srpska” po bie ndesh me frymën integruese në të cilën ka shkuar ky shtet që nga përfundimi i luftës. Përfaqësuesit politik të Kosovës është dashur të jenë më të pjekur në këtë drejtim sa i përket emërtimit etnik, ngase nesër ky emërtim do t’i humb çdo kuptim konceptit qytetar mbi të cilin ekziston edhe vetë fryma kushtetuese në Kosovë”, përfundon politologu Mentor Tahiri.

Image
Seremb Gjergji

Ndërsa, ish-kandidati i pavarur për president, Seremb Gjergji thekson se, asociacionet, jo vetëm një por disa janë të lejuara me ligje dhe Kushtetutë.

“Por, termi Asociacioni i Komunave Serbe është i ndaluar. Kushtetuta e Kosovës është Multietnike, jo Mono-etnike. Ligjërisht, çdo asociacion i përgjigjet Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, thotë Gjergji për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, në Bruksel nuk e quajnë Asociacioni i Komunave Serbe, por vetëm Asociacioni. “NE këtë term e kemi kopjuar nga mediat Serbe. Ky asociacion mund të quhet Asociacioni i Komunave Multietnike apo vetëm Asociacioni”, pohon ai.

Ai thotë se, fuqia ligjore dhe vendimmarrëse e secilit asociacion që krijohet, është lokale dhe nuk prekë kufijtë, hapësirën ajrore, ujore apo tokësore të vendit tonë.

“Nëse dikush nga politikanët e Kosovës vepron në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën dhe akordohet për diçka tjetër, atëherë është tradhti kombëtare”, thotë Gjergji.

Ish-kandidati për president thekson se, marrëveshja e parë për Asociacion e arritur në Bruksel është antikushtetuese dhe antiligjore dhe si e tillë është e papranueshme dhe pa e arsyetueshme.

“Ata që insistojnë të aplikojnë të njëjtën, besoj se shumë shkelin mbi gjakun e luftëtarëve dhe të rënëve të Kosovës”, shton ai.

Gjergj tutje deklarohet se, për ta kthyer Asociacionin në Mono-etnicitet, duhet të ndryshohen Kushtetuta dhe 5 ligjet themeltare të Shtetit të Kosovës. Kjo sipas tij, do të ishte tradhti e madhe, duke menduar që në një pako do të ndryshonin edhe pika të tjera në Kushtetutë.

“Mendoj se një veprim i tillë është shumë i rrezikshëm dhe ndarja e Kosovës është e pashmangshme. Andaj, nëse nuk dëshirojmë ta shohim Serbinë tek ura e Ibrit, këtë model aktual të Asociacionit duhet ta kundërshtojmë e assesi as të diskutojmë për të - le ma ta pranojmë”, potencon Seremb Gjergji.

Image
Imer Mushkolaj

Mushkolaj: Asociacioni me kompetenca ekzekutive e bën Kosovën jofunksionale

Ndërsa, analisti politik Imer Mushkolaj thotë se, ky asociacion me kompetenca ekzekutive e bën Kosovën jofunksionale, pasi nëpërmjet Asociacionit Serbia do të jetë e pranishme në Kosovë.

“Asociacioni me kompetenca ekzekutive e bën Kosovën jofunksionale, ngase kemi të bëjmë me autonomi për serbët. Kjo nuk duhet të lejohet. Kosova mund t'i ketë kufijtë e përcaktuar por, nëpërmjet Asociacionit, Serbia do të jetë e pranishme në Kosovë dhe vendi do të paralizohet nga brenda”, thotë analisti politik Imer Mushkolaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera