Agjenturat e Serbisë në Kosovë, pengojnë themelimin e ushtrisë

Politika

Agjenturat e Serbisë në Kosovë, pengojnë themelimin e ushtrisë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 13 korrik 2018 Në ora: 09:51
FSK

“Fatkeqësisht, që nga viti 2000 Serbia përmes agjenturës së saj në Kosovë ja arriti t'i realizojë tre objektiva, të cilat kanë ndikim në rrugën e integrimeve euro-atlantike të Kosovës. Ato janë: 1. E mbajti të ngrirë konfliktin me Kosovën, 2. E sabotoj funksionimin e sistemit, politik, të drejtësisë..., dhe 3. krijoi atmosferën në marrëdhëniet ndërkombëtare për "Kosovën shtet jofunksional". Këto objektiva ajo ia arriti t’i realizoj falë injorancës së klasës politike”, ka thënë Fadil Kajtazi njohës ekspert i sigurisë.

Ministri serb i Mbrojtjes Aleksander Vulin ka deklaruar se Kosova nuk do të mund të ketë kurrë ushtri të saj. Ky deklarim i tij erdhi pas largimit të pjesëtarëve serbë nga FSK-ja.

Megjithatë institucionet e Kosovës, thonë se janë duke punuar në drejtim të formimit të ushtrisë së Kosovës. Ndërkaq, ditë më parë Presidenti i Asamblesesë Parlamentare të NATO-së ka deklaruar gjatë ditës së premte se ushtria duhet të bëhet vetëm sipas ndryshimeve kushtetuese.

Image
Isa Xhemajlaj

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, thonë se Serbia ndonëse do të tentojë në pengimin e formimit të ushtrisë, ajo nuk mund të ndërmarrë asgjë.

Kështu, zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Isa Xhemajlaj në një prononcim për “Bota sot”, thotë se Serbia do të mundohet në të gjitha format të pengoj Ushtrinë e Kosovës, por nuk mund ta ndaloj.

“Është e kuptueshme se Serbia do t’i përdor të gjitha mundësitë për ta penguar formimin e FAK-ut por nuk është faktor që mund ta ndaloj”, thotë Xhemajlaj.

Zëra dëshpërimi të Serbisë

Ndërkaq, zëvendësministri i MPJ-së, Gjergj Dedaj thotë se po të ishte pyetur Serbia, ne si Kosovë kurrë nuk do ishim të lirë as nuk do ishim shtet i pavarur.

Image
Gjergj Dedaj

“Serbia është e njohur për shantazhe, bojkotime dhe krijimin e situatave konfliktuoze në Kosovë dhe rajon. Pala kosovare duhet ta bëjë më të mirën për të përfshirë serbët dhe pakicat tjera në kuadër të Ushtrisë së Kosovës, nëse ata duan dhe respektojnë  Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, mirëpo komunitetet pakicë, në këtë rast pakica serbe nuk mund të mbajë peng, për politikat ditore të urdhërdhënësve nga Beogradi, as formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe as temat tjera të cilat kanë të bëjë me shtet-ndërtimin dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës”, thotë Dedaj.

Ai thotë më tutje se, serbët ende nuk janë zgjuar nga “gjumi”, derisa ende ka thirrje për luftë në Kosovë dhe se ata do të përballen me pasojat e gabimeve të tyre.

“Serbët fatkeqësisht akoma nuk janë zgjuar nga gjumi i mitomanisë mesjetare, madje edhe ka akoma thirrje për luftë në Kosovë, pa harruar se lufta ka përfunduar dhe ata kanë pësuar disfatë dhe vete duhet të përballen me pasojat e gabimeve, krimeve dhe gjenocidit të shkaktuar në Kosovë”, vlerëson ai.

Dedaj thotë më tutje se, gjithë këto përpjekje të Serbisë për të penguar ndërtimin e shtetit të Kosovës, janë vetëm zëra të dëshpërimit serb.

“Thirrjet hijenike për të penguar ndërtimin e demokracisë, paqes, shtetit, formimit të Ushtrisë së Kosovës si partnere e NATO-së, janë zëra dëshpërimi dhe pasoja të debaklit serb në Kosovë. Ushtria e Kosovës është realitet i pashmangshëm si një forcë e paqes, ekuilibrit dhe stabilitetit në Kosove dhe më gjerë”, thekson Dedaj për “Bota sot”.

Po ashtu, edhe njohësit e çështjeve të sigurisë vlerësojnë se Serbia do të mundohet të pengojë formimin e ushtrisë dhe ndërtimin e mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës. Sipas tyre, Serbia deri më tani ka arritur të pengoj Kosovën në disa fusha, madje me Listën Serbë në Kuvend, do ta bëj edhe më të vështirë këtë.

Image
Fadil Kajtazi

3 Objektivat që i realizoi Serbia përmes agjeturave të saj

Kështu eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, thotë se problemi i themelimit të Ushtrisë së Kosovës nuk do të duhej të ishte çështje e vullnetit serb.

“Fatkeqësisht, që nga viti 2000 Serbia përmes agjenturës së saj në Kosovë ja arriti t'i realizojë tre objektiva, të cilat kanë ndikim në rrugën e integrimeve euro-atlantike të Kosovës. Ato janë: 1. E mbajti të ngrirë konfliktin me Kosovën, 2. E sabotoj funksionimin e sistemit, politik, të drejtësisë..., dhe 3. krijoj atmosferën në marrëdhëniet ndërkombëtare për "Kosovën shtet jofunksional". Këto objektiva ajo ia arriti t’i realizoj falë injorancës së klasës politike, e cila me injorancën e vet, Serbisë i krijoi hapësirë të mjaftueshme që në radhë të parë rruga e integrimit të Kosovës në BE dhe institucionet tjera euro-atlantike të kalojnë nëpër Beograd, në radhë të dytë hapësirë të mjaftueshme për të pasur ndikim në jetën tonë shoqërore duke përfshirë edhe çështjet si kjo e formimit të ushtrisë”, vlerëson Kajtazi.

Ai thotë më tutje se veprimi i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili nuk pranoj që emërtimi i ushtrisë së Kosovës të jetë me emrin Republikë tregon sa injorante është klasa politike në Kosovë.

“Se sa është injorante kjo klasë politike në raport me shumë gjëra që ndodhin në Kosovën tonë të shumë vuajtur mund ta ilustrojmë me faktin banal, primitiv rural të Presidentit Thaçi i cili nuk pranoi që pjesë e emërtimit të Ushtrisë së Kosovës të jetë emri kushtetues "republikë". Serbia nga Kosova mund të largohet vetëm nga udhëheqja e një klase politike të përgjegjshme, e cila ngushton veprimtarinë e Serbisë në sabotimin e sistemit tonë politik, ku çështja se a pranon Serbia që ne të formojmë ushtri apo jo nuk do të ishte temë”, thotë eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi.

Image
Hajrullah Tërnava

Lista serbe pengesë për formimin e ushtrisë

Po ashtu edhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se derisa të është në Parlamentin e Kosovës Lista Serbe e cila të gjitha instrukcionet-udhëzimet i merr nga Serbia, është e kuptueshme se nuk mund të krijohet ushtria e Kosovës.

“Këtë kompetencë Listës Serbe ia ka mundësuar plani i Ahtisarit, i cili është përfshi në Kushtetutën e Kosovës, dhe decidivisht është perceptua që përfaqësuesit serbë, në parlamentin që e përfaqësojnë popullin e tyre, e në këtë rast gjithsej e përfaqësojnë dhjetë (10) deputetë, duhen ta japin votën e tyre mbi 80% për të qenë valid formimi i ushtrisë. Deri sa me këtë listë manipulon Serbia, është e qartë se nuk mund të krijohet ushtria”, vlerëson Tërnava.

Veriu si qëllim

Sipas tij, duke e pas të qartë kompetencat e Listës Serbe, Serbia kërcënon haptas Kosovën se nuk mund të krijohet e as do të krijohet ushtria.

“Në bazë të kësaj që u tha më lartë qartë konstatohet se Serbia është ai faktor që pe pengon krijimin e ushtrisë. Ka mënyra që mund të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës dhe të krijohet ushtria, pa ato kompetenca decidive të pakicave, por me që e kemi Kushtetutën në fuqi dhe në përgatitjen e saj kanë marrë pjesë edhe ndërkombëtarët sikur e ceka, e ndërkohë po udhëhiqen bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve të ndërsjella të pasluftës me ndërmjetësues ndërkombëtar, dhe nëse vjen deri te pajtimi, atëherë më nuk do të ketë pengesa për formimin e ushtrisë, dhe Serbia do ta heq nga harta e saj Kosovën me njohjen e pavarësisë së saj”, thotë ai.

Tërnava thotë se, në angazhimet e bisedimeve përfaqësuesit e Kosovës duhet ta kenë të qarta kompetencat kushtetuese, dhe t‘iu përmbahen këtyre kompetencave.

 “Me këta kufij të tanishëm të Kosovës dhe të ish Jugosllavisë të njihet pavarësia e Kosovës nga ana e Serbisë. Sepse krejt këtë që është duke e bërë Serbia me këto kërcënime për mos krijimin e ushtrisë, dhe kërcënimin që ta lëshojnë FSK përfaqësuesit serbë, Serbia e ka te vetmin qëllim, që në bisedimet me Kosovën t’ia shkëputë veriun e Kosovës”, thekson eksperti Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat