Paralajmërim i rëndësishëm nga Senatorja amerikane për Kosovën

Politika

Paralajmërim i rëndësishëm nga Senatorja amerikane për Kosovën

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 27 korrik 2018 Në ora: 16:05
Senatorja amerikane e shtetit të Iowa-s, Joni Ernst

Njohësit e çështjeve politike, vlerësojnë se mos pranimi i Kosovës në BE dhe NATO vazhdimisht mbanë të hapur hapësirën gjeo-politike me defekte dhe efekte të këqija, ku involvimit të Rusisë në këtë rajon i shtohen apetiti. Këto reagime vijnë, pas deklaratave të Senatores amerikane të shtetit të Iowas, se Kosova vazhdon të kërcënohet nga taktikat e Rusisë nëpërmjet Serbisë.

Senatorja amerikane e shtetit të Iowa-s, Joni Ernst, ditë më parë ka thënë se “shteti motër i Iowa-s, Republika e Kosovës, vazhdon të kërcënohet nga taktikat hibride të luftës së Rusisë në Serbi”.

Ajo këtë deklaratë e ka thënë pas takimit të presidentit amerikan Donald Trump, me atë rus, Vladimir Putin,  me ç ‘rast, ajo ka këmbëngulur që “Rusia kurrë nuk ka qenë mike e SHBA-së dhe se ajo vazhdon të jetë një kërcënim për të dhe aleatët e saj”.

Joni Ernst, po ashtu ka thënë: “Duhet të jemi të kujdesshëm për mënyrën se si i afrojmë marrëdhëniet tona me Rusinë. Shpresoj që presidenti Trump të japë një mesazh të fortë pas dyerve të mbyllura, që Rusia do të vazhdojë të ndëshkohet për aneksimin e paligjshëm të Ukrainës në vitin 2014, mbështetjen e tyre të neveritshme për regjimin vrasës të Bashar al-Assad-it në Siri dhe veprimet e tyre agresive në SHBA, në politikën e brendshme”.

Senatorja Joni Ernst pati vizituar Kosovën më 2016 dhe njihet si një nga politikanet amerikane me qëndrimet më miqësore ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Kurse, njohësit e çështjeve politike, vlerësojnë se mos pranimi i Kosovës në BE dhe NATO vazhdimisht mbanë të hapur hapësirën gjeo-politike me defekte dhe efekte të këqija, ku involvimit të Rusisë në këtë rajon i shtohen apetiti.

Sipas tyre, Rusia paraqet një kërcënim për tërë Ballkanin dhe deklarata e senatores Ernst, nga institucionet e Kosovës, duhet të merret me shumë seriozitet.

Ata gjithashtu vlerësojnë se, duhet gjetur mekanizma për pengimin e veprimtarisë së organizatave ruse dhe ndikimit të tyre në situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë.

Image
Faton Abdullahu

Abdullahu: Diplomacia e Kosovës është analfabete në gjeopolitikë

Publicisti Faton Abdullahu, ka thënë për “Bota sot” se, sa më shumë që Serbisë i shkon për dore ta kundërshtoj pavarësinë e Kosovës, aq më shumë hapet edhe mundësia e involvimit të Federatës Ruse në Ballkan.

Sipas tij, të gjithë ata që sot nuk e njohin shtetin e Kosovës kontribuojnë në këtë projekt destabilizues dhe të rrezikshëm për paqen dhe sigurinë në Ballkan.

“Mos pranimi i Kosovës në BE dhe NATO vazhdimisht mban të hapur hapësirën gjeopolitike me defekte dhe efekte të këqija, ku involvimit të Rusisë në këtë rajon i shtohen apetiti. Por aktualisht diplomacia kosovare është analfabete në gjeopolitikë. Për të, këto ekuacione janë shumë të komplikuara për t’i kuptuar aq më shumë për të reaguar dhe dhënë përgjigje meritore dhe të shpejtë. Ajo nuk po e kupton se ideja e fundit e Serbisë për ndarjen e Kosovës vije nga Moska zyrtare e koordinuar sistematiksht me Beogradin. Qëllimi i kësaj ideje është krijimi i premisës për kyçjen në ndonjë formë të Rusisë në dialogun Kosovë- Serbi. Thënë përmbledhtazi kërcënimi i Rusisë në Ballkan konkretisht edhe në Kosovë, nuk është bllof, përkundrazi është konkret dhe i pandalshëm. Kjo duhet të jetë thirrje alarmantë për fokusim shtesë diplomatik dhe tjetër, të administratës së Trampit në Ballkan, me qëllimin që investimet e mëdha që janë bërë në këtë rajon nga bota perëndimore të mos vihen në rrezik, por ato të mbrohen dhe të shtohet paqe, stabiliteti dhe prosperiteti për vendet dhe qytetarët e këtij rajoni”,  është shprehur publicist Abdullahu.

Image
Nexhat Haziri

Haziri: Rusia operon në Kosovë nëpërmjet organizatave humanitare

Ndërsa, opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë se Rusia përbën kërcënim për Kosovën përmes Serbisë.

Sipas tij, tendencat e Rusisë për të ndërhyrë në Kosovë përmes rrjetit të saj të agjenturave, duke u kamufluar gjoja në emër të shoqatave humanitare për ti mbështetur qytetarët serb të Kosovës, janë përforcuar pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

“Këto organizata, të ashtuquajtura humanitare operojnë lirshëm në pjesën veriore të vendit që është e banuar me minoritetin serb, dhe natyrisht që operimi i tyre paraqet rrezik për rendin dhe sigurinë në Kosovë. Po ashtu duhet të cekur faktin se mos shtrirja e autoritetit shtetëror të Kosovës edhe në këtë pjesë të vendit, u ka lënë një hapësirë shërbimeve ruse për të operuar lirshëm në këtë pjesë të Kosovës duke zhvilluar edhe aktivitete të tjera të jashtëligjshme siç janë trajnimet e ndryshme të grupeve të armatosura të serbëve, strukturat ilegale serbe të sigurisë dhe ndihmesën e tyre në forma të tjera”, ka thënë opinionisti Haziri.

Sipas tij, kjo gjendje dhe deklarata e senatores Ernst nga institucionet e Kosovës duhet të merret me shumë seriozitet dhe do të duhet gjetur mekanizma për pengimin e veprimtarisë së organizatave ruse dhe të ndikimit të tyre në situatën politike dhe të sigurisë në vendin tonë.

“Po ashtu, kjo ndihmë që Serbia po i fron organizatave të inteligjencës ruse për destabilizimin e Kosovës, pala kosovare duhet ta ngritë si çështje edhe në bisedimet me palën serbe në Bruksel dhe të kërkoj nga BE-ja, që ti bëjë presion Serbisë që të heq dorë nga bashkëpunimi me Rusinë për ta ndihmuar këtë të fundit për të ndikuar në stabilitetin politik dhe të sigurisë së vendit tonë”, ka thënë opinionsti Haziri.

Image
Hajrullah Tërnava

Tërnava: Paralajmërimet duhet të mirëpriten

Kurse, Hajrullah Tërnava, eksperti i sigurisë ka thënë senatorja amerikane si mike e Kosovës brengoset dhe na paralajmëron, që të jemi të kujdeseshim ndaj politikave të Rusisë që i ushtron përmes Serbisë.

Sipas tij, me politikat ndërkombëtare Rusia i qëndron afër si aleate e saj Serbisë, prandaj është e kuptueshme për neve se ne gjithnjë do të jemi të rrezikuar me skenarë të ndryshme edhe në të ardhmen nga këto shtete, për qëllimet e tyre politike.

“Rasti ma i ri i burgosjes së fundit të dy malazezve dhe një bashkëpunëtorit të BIA-s na e konfirmon këtë. Një pajtim i mundshëm në të ardhmen mes Serbisë dhe Kosovës, në esencë do ti zbuste armiqësitë mes këtyre dy shteteve, por Serbia edhe pran kësaj do të ketë pretendime politike ta dominoj dhe të ketë ndikim në zhvillimet në Kosovë e sidomos në ato komunat serbe në territorin e Kosovës. Këto paralajmërime nga ana e shteteve mike në ketë rast si të Amerikës, duhen të merren si paralajmërime pozitive, që të jemi koherent në parandalimin e gjitha të këqijave që mund të na vijnë nga shtetet tjera jo mike, sikur në këtë rast nga Rusia dhe Serbia”, është shprehur eksperti i sigurisë Tërnava.

Image
Blerim Burjani

Kërcënimi rus, në dy drejtime

Njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani, ka thënë se Rusia paraqet një kërcënim për tërë Ballkanin.

Ai ka thënë se ky shtet nuk pajtohet asnjëherë me zhvillimet në Ballkan dhe në Evropë, përgjithësisht në politikën e vet Rusia tenton të jetë një superfuqi e padiskutueshme në rrethanat ndërkombëtare.

“Kosova nuk kërcënohet drejtpërdrejtë për shkak se në Kosovë vepron NATO në KFOR, por ideja e destabilizimit të Kosovës mund të qëndrojë vetëm nëse Serbia nxitet në veprime tjera ndaj Kosovës. Kjo nuk po ndodhë, mirëpo alarmi mbetet i rrezikut kundër Kosovës dhe Ballkanit. Kërcënimi rus vjen në dy drejtime përmes Serbisë, dhe përmes tentativës për kontroll ndaj zhvillimeve në Ballkan.

Deri me tash Ballkani po shkon komplet në anëtarësim në NATO me përjashtim të Serbisë. Pra, qarku i ndikimit të drejtpërdrejt rus po mbyllet. Është në interes të NATO-s që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë. Kjo nënkupton edhe ndaljen e kërcënimit të drejtpërdrejt rus,” ka thënë njohësi i çështjeve politike dhe juridike Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat