Shkëmbim territoresh me Serbinë, Mustafa: Pronat janë të Kosovës, Serbia nuk ka hise aty

Politika

Shkëmbim territoresh me Serbinë, Mustafa: Pronat janë të Kosovës, Serbia nuk ka hise aty

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 30 korrik 2018 Në ora: 14:44
Liqeni i Gazivodes

Me shpalljen e pavarësisë dhe me njohje nga afro 120 vende, Kosova është vlerësuar si legale nga Gjykatat ndërkombëtare dhe kësisoj është bërë anëtare e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare me këta kufijtë dhe me këto prona. Prandaj, pronat e Kosovës nuk duhet të shtrohen si temë diskutimi në bisedimet Kosovë- Serbi, sepse statusi dhe pronat e saj janë të vendosura, thonë ekspertët e ekonomisë.

Presidenti Hashim Thaçi sot ka folur përsëri për dialogun Kosovë- Serbi para mediave. I pyetur nga gazetarët për deklaratat e fundit se çka mund të bisedohet në Bruksel, Thaçi nuk e mohoi mundësinë se në tryezë do ketë bisedime edhe për mundësinë e shkëmbit të territoreve.

Për shkrimet se Leposaviqi mund të shkëmbehet me Preshevën e një pjesë të Bujanocit, e shkrimet tjera në media, Thaçi nuk i ka komentuar.

“Nuk flas për shkrime që nuk kanë adresë, janë spekulime the fake news, që s’dua t’i komentoj”, tha ai.

Ndërsa, raportimet e mediave lidhur me këto zhvillime, thuhet se opsion është që komuna më veriore e Kosovës- Leposaviqi bashkë me Leshakun të shkëmbehen me Preshevën dhe një pjesë e Bujanocit.

Pjesë e marrëveshjes do të jetë edhe liqeni më i madh artificial që gjendet në veri, Gazivoda.

Gjersa, Thaçi nuk ka mohuar shkëmbimin e territoreve, Kuvendi i Kosovës po vazhdon debatin parlamentar lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet në Bruksel, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Eksperti i ekonomisë Muhamet Mustafa, thotë se shkëmbimi i territoreve, ndarja e Kosovës apo të ngjajshme nuk do të duhej të ishin fare në rend dite.

Image
Muhamet Mustafa

Në tryezën e bisedimeve Kosovë- Serbi, sipas Mustafës, nuk duhet të shtrohen pronat: Gazivoda, Trepça ose të ngjashme.

“Shkëmbimi i territoreve, ndarja e Kosovës apo të ngjashme nuk do të duhej të ishin fare në rend dite në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kurrsesi nuk duhet të shtrohen në tryezën e bisedimeve as pronat – Gazivoda , Trepça ose të ngjashme. Kosova ka shpallur pavarësinë, e cila është vlerësuar si legale nga Gjykata ndërkombëtare dhe është njohur nga afro 120 vende, është bërë anëtare e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare me këta kufijtë, dhe me pronat, pronarët e të cilave sipas Planit të Presidentit Ahtisaari i takojnë popullit të Kosovës. Statusi i Kosovës dhe pronat e saj janë të vendosura. Serbia nuk ka asnjë hise aty, as tash as nuk ka pasur as gjatë RSFJ. Këtë e kemi thënë dhe elaboruar shumë herë dhe definitivisht sqaruar në bisedimet e i Vjenës. Të gjithë ata që marrin përsipër e dialogun: Kuvendi, Qeveria dhe Presidenti kanë përgjegjësi që mos të lejojnë që dialogu të rrëshqasë në zona ku dialogohet statusi dhe integriteti i Kosovës. Këto janë çështje të zgjidhura”, deklaron Mustafa.

Nuk qëndron “problemi” se sa marrja e Gazivodës i lë keq qytetarët e Kosovës, por sipas Mustafës, ajo është pronë e Kosovës dhe  ajo ka investuar në të.

“Nuk është këtu puna vetëm se sa na lë keq Gazivoda. Ajo thjesht është pronë e Kosovës. Kosova ka investuar në të , Serbia nuk e ka pasuar asnjëherë pronë të saj dhe nuk ka investuar aty asgjë për ndërtimin e saj dhe nuk mund të pretendojë në hise as tani. Bisedimet po thuhet se janë në funksion të normalizimit të marrëdhënieve. Dhe këtu kryesisht kemi të bëjnë me pozitën e minoritetit serb në Kosovë dhe ndaj rrjedhimisht dhe minoritetit shqiptar në Serbi. Në këtë fushë Kosova ka qenë dhe duhet të vazhdojë të jetë e gatshme të bëjë zgjidhje të avansuara, me reciprocitet dhe mirëkuptim. Hapja e riaranzhimeve territoriale do të ishte një variant shumë i pavolitshëm dhe prej asaj që dijmë dhe shohim duhet evituar. Kjo do ta hapte temën ekzistencës së Kosovës si shtet , do ta spostonte procesin e njohjeve dhe të forcimit të pozitës ndërkombëtare”, pohon Mustafa.

Kërkesat e Serbisë për copëtimin e territoreve, sipas Mustafës, tregojnë se ajo ende nuk është liruar nga tendencat për pushtim të territoreve që nuk i takojnë dhe për dominim në rajon.

“Copëtimi i territoreve dhe kërkesat e Serbisë në këtë aspekt na tregojnë vetëm se Serbia ende nuk është liruar nga tendencat për pushtim të territoreve që nuk i takojnë dhe për dominim në rajon. Ky është problemi themelor, adresimin e të cilët duket se po heziton ta bëjë edhe bashkësia ndërkombëtare. Unë frikësohem se pa adresuar këtë problem dhe gjithashtu edhe përgjegjësinë e Serbisë për luftërat gjatë viteve 90’ nuk do të vendoste një stabilitet dhe normalizim i qëndrueshëm në Kosovë dhe rajon”, thekson Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat