Loja e pokerit Thaçi - Vuçiç me Kosovën! Ndërkombëtarët nuk e kundërshtojnë idenë e shkëmbimit të territoreve

Politika

Loja e pokerit Thaçi - Vuçiç me Kosovën! Ndërkombëtarët nuk e kundërshtojnë idenë e shkëmbimit të territoreve

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 2 gusht 2018 Në ora: 14:51
Hashim Thaçi me Aleksandër Vuçiç

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, ish kandidati për kryetar të Fushë Kosovës, Avni Zogiani, thotë se është duke u luajtur një lojë pokeri në tavolinën e Brukselit rreth idesë për ndarjen e Kosovës.

E këtë lojë, po e luan presidenti i Kosovës Hashim Thaçi me Aleksandër Vuçiçin.

Zogiani për gazetën “Bota sot” thotë se, presidenti Thaçi është duke bërë pazare për hesape të veta personale, andaj, sipas tij, Serbia nuk është duke bërë kompromise, pasi ajo po negocion rreth territorit dhe integritetit të Kosovës, dhe ase, asnjë pëllëmbë e Serbisë nuk është duke u negociuar.

Image
Avni Zogiani

“Nuk përjashtohet një mundësi e diskutimit për ndarjen si opcion, por nuk e besoj se ka një mundësi reale që kjo të ndodhë. Megjithatë, ka kohë që po zbatohet një strategji e nisur nga vetë autoritetet serbe që të nxiren sa më shumë opcione më qëllim të arritjes së dy efekteve. Ta bëjnë opinionin publik të ndjejnë se diçka duhet të ndodhë në lidhje me Kosovën dhe e dyta, të shkaktojnë një rënje të rezistencës së opinionit publik rreth kompromiseve”, pohon Zogiani.

Megjithatë, sipas tij, ajo që fatkeqësisht po i shitet opinionit të Kosovës nga presidenti Thaçi dhe një pjesë e medieve dhe opinion-krijuesëve, është se Serbia po paraqitet si një viktimë në këtë proces.

“Disi Thaçi e Vuçiç kanë arritur ta bindin opinionin e Kosovës se Serbia është duke bërë kompromis, prandaj edhe Kosova duhet të bëjë kompromis. Serbia nuk është duke bërë asnjë lloj kompromisi sepse ajo është duke negociuar rreth territorit dhe integritetit të Kosovës dhe këtu asnjë pëllëmbë e Serbisë nuk është duke u negociuar”, shprehet ai.

Zogiani thotë se, Brukseli dhe Ëashingtoni duket që u kanë dhënë vizën Thaçit e Vuçiçit për të bërë pazare.

“Mendoj se këtë lojë janë duke e luajtur Thaçi e Vuçiçi me një efekt të çuditshem, dhe prandaj edhe Brukseli, edhe Washingtoni duket që thjesht ua kanë dhënë vizën këtyre të dyve të bëjnë pazare, sepse në fund të fundit është interesi i palës së Kosovës që të negociohet dhe nëse pala e Kosovës pajtohet, atëherë s'kane pse kundërshtojnë as Evropa e as Amerika. Pra, është një fatkeqësi e madhe që Thaçi duke bërë pazare për hesape të vetat me Vuçiçin është duke hedhur në tavoline interesat e Kosovës në këtë lojë pokeri që është duke marrë pjesë”, thekson Avni Zogiani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat