Flet eksperti i sigurisë, tregon a mund të shpallet autonomia në veri dhe a mund të eskalojë situata

Politika

Flet eksperti i sigurisë, tregon a mund të shpallet autonomia në veri dhe a mund të eskalojë situata

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 4 gusht 2018 Në ora: 09:45
Foto ilustruese

Prifti Sava Janjiq deklaroi ditë më parë se me 5 gusht serbët do të shpallin autonominë e veriut.

E dje, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj mblodhi Këshillin e Sigurisë së Kosovës, ku pas takimit tha se në rast të prishjes së rendit, do të ndërhyjnë forcat e rendit dhe ligjit.

E për gjithë këtë dhe mundësinë që të ketë tensionim të situatës në veri apo shpallje të autonomisë, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për gazetën “Bota sot” se eskalim të situatës në rast se shpallet autonomia në veri apo bëhet ndërrimi i kufijve, një gjë që nuk mund të ndodhë sipas tij, pa lejen e SHBA-së dhe BE-së.

“Në përgjithësi po edhe në këto biseda mes Serbisë dhe Kosovës, nuk mund të ketë ndryshim të kufijve pa një miratim-leje të mëdhenjve të botës. Nëse Vuçiq dhe Thaçi e bëjnë një pajtim për ndërrim territoresh apo edhe faljen e veriut, kjo nuk mund të ndodhë pa lejen e Amerikës në bashkëpunim me BE-në. Një ndërrim territoresh kishte të shkaktonte tronditje të mëdha në këtë territor të Ballkanit, sikur është fjala për shtetet fqinje me Maqedoninë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kroacinë etj. Kjo tronditje-konflikt do tu zgjeronte edhe në Azi me pjesët e aneksuara nga ana e Rusisë si atë të Ukrainës, të Gjeorgjisë dhe të Moldavisë. Një falje e këtyre territoreve, në këtë rast më së shumti i konvenon Rusisë, sepse kishte me u rehabilitua politika agresive ndaj këtyre shteteve sikur i ceka më lartë. Prandaj marrë në tërësi situata do të eskalonte dhe do të merrte përmasa të mëdha luftërash. Një shpallje e autonomisë së veriut pa një miratim sikur e shpjegova më lartë, nuk mund të ndodhë. Sepse kufijtë e Kosovës janë të garantuar nga KFOR-i dhe NATO-ja, prandaj një autonomi e veriut pa reagimin e këtyre forcave, do ta dëshmonte se një miratim të tillë e paskan lejuar këta që na kanë siguruar kufijtë e Kosovës”, është shprehur Tërnava.

Ai përmend rastin e Demarkacionit me Malin e Zi, ku kryeministri aktual sa ishte në opozitë ishte kundër Demarkacionit dhe më pas jo.

Image
Hajrullah Tërnava

“Rasti i nënshkruar i demarkacionit në vitin 2013 si dhe në 2015 më së miri na e konfirmon këtë dyshim, e që u desh me të gjitha tentimet e mundshme të pranohet si akt i kryer ky legjislacion i kësaj qeverisje të këtij viti 2018. Edhe pranë kësaj të thëne pasi u diskutua në Këshillin e Sigurisë së Kosovës, se kjo është një retorikë e Serbisë, bash ky Kryeministër, kur ishte në opozitë për demarkacionin ku ju falën 8200 hektarë tokë Malit të Zi, bënte çmos duke i quajtur të gjithë ata që e falin këtë tokë si tradhtarë të këtij vendi, u pajtua me këtë falje dhe tani pasi u bë Kryeministër as që i ndihet zëri më”, ka vazhduar ai më tej.

Tërnava përmend dhe rastin e intervenimit të policisë në veri në vitin 2011 ku u vra polici Enver Zymberi.

“Edhe në vitin 2011 e patëm një intervenim të turpshëm dhe të pa përgatitur në veri, ku na u vra një polic Enver Zymberi dhe kjo kaloi vetëm me këtë turp dhe nuk u ndëshkua askush e as që dha përgjegjësi për këtë, ata që e organizuan këtë intervenim, edhe atëherë trumbetohej se forcat e rendit janë të gatshme ta mbrojnë vendin dhe iu desh që të kthehen kokë-ulur dhe të turpëruar. Prandaj premtimeve të Kryeministrit tonë askush më nuk iu beson e as të një politikani tjetër se vetë e kanë krijuar imazhin e keq si udhëheqës të këtij shteti”, ka deklaruar ai.

Eksperti i sigurisë flet dhe për udhëhëqjen e dialogut nga presidenti Thaçi, për të cilin thotë se fillimisht tha se do të jetë përfundim i dhimbshëm për Kosovën dhe Serbinë e më pas tha se do të ketë vetëm korrigjim të kufijve me Serbinë.

“Kryetari i Kosovës edhe që askush nga parlamenti nuk e ka autorizuar atë, ai vazhdon t’i udhëheqë bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës. Me këtë ai lë  të nënkuptohet se a mos është pajtuar me faljen e kësaj pjese të veriut dhe a mos e ka nënshkruar këtë marrëveshje, sepse para disa ditëve vet ai, thoshte se marrëveshja do të jetë e dhimbshme si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën. Sonte në lajme për dallim të mëhershëm thoshte se nuk do të ketë ndërrim të territoreve por do të ketë riformatim të kufijve si që Medvegja, Bujanovci dhe Presheva duhen t’i bashkangjiten Kosovës, kurse edhe pjesët e veriut do t’i takojnë Kosovës sipas Kushtetutës sonë”, vlerëson Tërnava.

Sipas tij, gjithë këtë Thaçi po e bën për shkak të frikës nga Gjykata Speciale.

“Kjo e thënë e tij, pa kurrfarë autorizimi të tij, as nga pozita në parlament e as nga opozita, po i bie që ai i nënshkruan të gjitha vendimet vetë pa i dhënë llogari askujt, e që është të dyshohet se a mos është tani veç akt i kryer si për demarkacionin, apo mos krejt këto falje që po i bën, a mos po i bën që të shpëtojë veten nga Gjykata Speciale që pritet të fillojë punën ditëve apo muajve në vijim, e që sipas Dick Martit ngarkohet për shumë vepra të rënda gjatë dhe pas luftës”, është shprehur Hajrullah Tërnava për gazetën “Bota sot”.

Andaj, sipas tij presidenti duhet të shkarkohet, derisa shton se nëse të dielën ndodhë autonomia e veriut nga serbët, kjo do të thotë se është dhënë leje nga krerët e shtetit.

“ë realitet një sjellje e këtij kryetari sikur që po tregohet në praktike, veç i ka plotësuar normat për shkarkim e tij nga ky post me këto të meta që i ka dhe sa të zgjatë qëndrimi i tij në pushtet edhe më shumë do t’i kushtojë vetë Kosovës. Nëse në të dielën ndodhe një gjë e tillë sikur po paralajmërohet shpallja e autonomisë në veri, edhe pranë premtimeve dhe garanceve se sigurinë e Kosovës e ruan KFOR-i dhe NATO, konstatimi del se krejt kjo po ndodhë me lejen e të mëdhenjve, pranë këtyre garancave që na i kanë premtuar e përmes vazalve-polltronëve që i zbatojnë këto politika ashtu si ju urdhërojnë ata”, ka deklaruar ai.

Megjithatë, Tërnava thotë se në kushtet e tanishme nuk mund të ndodhë autonomi, pasi i kemi kufijtë e garantuar dhe këtë e di edhe Serbia dhe nuk e bën këtë pasi e di se kjo do të thotë luftë.

“Një shpallje e tillë në kushte të tanishme e të themi normale, s’ka shanse të ndodhë sepse kufijtë i kemi të siguruar sikur e shpjegova. Edhe Serbia e di mirë këtë, prandaj ajo nuk e ka guximin ta bëjë këtë në krye në vete sepse kjo do të thotë luftë, e dihet çka e pret atë gjithnjë në baza të shëndosha, e nëse sikur e ceka më lartë kjo do të ndodhë, domethënë kjo është lejuar nga të fortit dhe e nënshkruajnë shërbëtorët e tyre”, ka përfunduar eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat