Tomë Gashi “shpërthen” ndaj Thaçit: Kjo është katastrofë...

Politika

Tomë Gashi “shpërthen” ndaj Thaçit: Kjo është katastrofë...

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 9 gusht 2018 Në ora: 16:55
Tomë Gashi

Presidenti i Kosovës sot ka dekretuar gjyqtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, në mesin e të cilëve edhe gjyqtarin Radomir Leban, i cili është në listën e Interpolit me kërkesë të Serbisë.

Sipas raportimeve, Leban kërkohet nga shteti serb për të vuajtur dënimin me 6 vjet burgim dhe është dënuar për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe kontrabandën.

Lidhur me këtë dekretim të gjyqtarit Leban, avokati Tomë Gashi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo është katastrofë dhe është njësoj sikur një hajni t’i lihet ruajtja e Bankës Qendrore të Kosovës, derisa shton se kjo ndodhë vetëm në Kosovë.

“Kjo është katastrofale dhe është një lloj sikur se një hajn ordiner t’i lihet ruajtja e parave që janë në Bankën Qendrore të Kosovës. Kjo mund të ndodhë vetëm në Kosovë dhe askund tjetër”, është shprehur Gashi.

Ai thotë se Thaçi duhet ta rishikojë këtë vendim dhe duhet të kërkojë arrestimin e tij me fletë-arrest nga INTERPOL.

“Presidenti Thaçi duhet ta rishikojë këtë emërim të këtij gjyqtari dhe të kërkojë arrestimin e tij me fletë-arrest të INTERPOL-it e jo që ai të dekretohet gjykatës në Gjykatën më të rëndësishme në shtetin tonë”, ka theksuar ai.

Por, sipas Gashit, mund të ketë dhe matematika tjera që vetëm Thaçi i di për këtë dekretim.

“Por mund të ketë matematika të tjera që vetëm Thaçi mund t’i dijë pse vepron kështu. .Kësi gjykatësi me fletë-arrest ndërkombëtar askund në botë nuk ka. Dhe me të vërtetë jemi shtet i veçantë sui generis për të keq”, ka deklaruar avokati Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat