Shqiptarët humbës me Thaçin në krye të dialogut

Politika

Shqiptarët humbës me Thaçin në krye të dialogut

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 11 gusht 2018 Në ora: 13:28
Hashim Thaçi

“Hashim Thaçi është gjeneroz që i propozon shefit të GP të LDK të udhëheqë bisedimet por ai si President nuk i është drejtuar me një shkresë Kuvendit të Kosovës. Kuvendi është organi që me dy të tretat e votave vendose për këtë çështje”, ka vlerësuar Ramush Tahiri.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një konferencë për media i ka bërë thirrje shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, që të udhëheqë dialogun me Serbinë.

“Jam i gatshëm që zotëri Hoti ta udhëheq bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Krejt potencialet tona do të jetë të Hotit si kryenegociator, presidenca dhe shumica e partive politike. Ne do të jemi në mbështetje të tij”, ka deklaruar Thaçi në konferencën për media.

Tahiri: Kërkesa do të duhej të bëhej nëpërmjet Kuvendit

Duke komentuar këtë, politologu Ramush Tahiri në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se presidenti ka kompetenca kushtetuese dhe ligjore për një varg çështjesh.

Image
Ramush Tahiri

“Hashim Thaçi është President i Republikës së Kosovës dhe si i tillë i ka kompetencat e plota kushtetuese dhe ligjore për një varg çështjesh. Zyrtarisht e shpjeguar nga ana formale e juridike nuk ka ende bisedime ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës si dy shtete sovrane e të pavarura. Në Bruksel tash e disa vjet po zhvillohen biseda me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ndërmjet shtetit të Serbisë dhe përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës. Presidenti i Serbisë publikisht e thotë se asgjë nuk po ju beson shqiptarëve sepse ata janë gënjeshtarë dhe nuk i përmbahen asnjë parimi dhe nuk po e zbatojnë asnjë marrëveshje për të cilën më herët janë pajtuar”, është shprehur ai.

Politologu thotë se Kuvendi nuk nxjerr asnjë dokument apo platformë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, ndërsa për ofertën e Thaçit drejtuar Hotit, Tahiri thotë se Thaçi është treguar gjeneroz por që nuk i është drejtuar me shkresë Kuvendit që duhet të vendos për këtë çështje.

“Kuvendi i Kosovës e ka autorizuar Qeverinë e Kosovës për të udhëhequr bisedimet teknike me Serbinë. Kuvendi i Kosovës nuk ka nxjerrë asnjë dokument për bisedimet politike me Serbinë e as ndonjë platformë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Hashim Thaçi është gjeneroz që i propozon shefit të GP të LDK të udhëheqë bisedimet por ai si President nuk i është drejtuar me një shkresë Kuvendit të Kosovës. Kuvendi është organi që me dy të tretat e votave vendose për këtë çështje”, ka vlerësuar Ramush Tahiri.

Abazi:Thaçi me kredit politik zero

Lidhur me këtë ofertë që presidenti i ka bërë Hotit, njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Thaçi po mundohet të krijojë përshtypjen se është vendimmarrës, por që askush nuk i beson më atij.

Image
Haki Abazi

“Ashtu siç edhe e ka traditë Thaçi po mundohet të krijojë përshtypjen se është lojtar, është vendimmarrës. Ai nuk po kupton që politikisht është i vdekur dhe në parim nuk është as punë e as obligim e as nuk e ka në përshkrim të punës sipas Kushtetutës të bëjë oferta. Askush nuk i beson atij më, historia prej tradhtarit politik, degraduesit, fyesit dhe përçarësit ja ka sjellë kreditin politik në zero”, është shprehur ai.

Sipas Abazit, përgjigja e Hotit ishte e qartë dhe askush nuk është naiv që të pranojë një ofertë të tillë nga Thaçi.

“Përgjigja e Avdullah Hotit ndaj tij ishte e qartë dhe shumë e drejtpërdrejtë.  Hoti ka mbajtur dhe ka deklaruar qëndrimin e LDK-së dhe opozitës në Kosovë. Dialogu do të vazhdojë vetëm atëherë kur do të ketë mandat parlamentar nga një parlament funksional me legjitimitet. Askush nuk është naiv që të pranojë një ofertë nga njeriu që ka futur Kosovën në krizën më të madhe dhe e ka sjellë buzë dështimit gjithë projektin e shtetit me aventurat dhe padijeninë e tij”, ka theksuar Abazi.

Ai vlerëson se presidenti po mundohet ta gjejë dikë që e refuzon Vuçiq, pasi ai e pranon vetëm Thaçin si kryenegociator.

“Thaçi është duke tentuar të gjejë dikë që mundet Vuçiqi ta refuzojë sepse është e dukshme që i vetmi partner i pranueshëm në negociata është Thaçi që është i rrezikuar nga dosja e vet. Këtu nuk ka as sinqeritet dhe nuk ka arsye të fokusohemi në një proces i cili as që ka kuptim sepse nuk ka përmbajtje dhe nuk ka agjendë e rezultatet janë katastrofale që nga fillimi i tij” , ka theksuar Haki Abazi për “Bota sot”.

Zogaj: LDK nuk ka qëllim kryesimin e dialogut

Image
Skënder Zogaj

Ndërsa, analisti politik Skënder Zogaj e ka quajtur “zemërgjerësi” ofertën e Thaçit për Hotin, pasi sipas tij LDK nuk e ka synim udhëheqjen e dialogut, por që të ketë angazhim institucional për këtë.

“Ftesa e Presidentit Thaçi për Avdullah Hotin që të merr udhëheqjen e dialogut me Serbinë është “zemërgjerësi” e tepruar, sepse, Avdullah Hoti dhe LDK-ja nuk besoj se e kanë qëllim marrjen e kryesimit të dialogut, por janë duke predikuar që dialogu të ketë angazhim institucional dhe gjithëpërfshirës, në mënyrë që, jo individi, por gjithë populli i Kosovës të vendos për fatin e vet dhe raportet me fqinjët serbe”, është shprehur ai.

Zogaj vlerëson se kjo ftesë nuk do ta joshë as Hotin e as dikë tjetër, derisa shton se presidenti duhet ta ftojë kryeministrin është zyrtarisht figura që nuk duhet anashkaluar.

“Prandaj, nuk besoj se kjo ftesë mund ta josh Avdullah Hotin dhe asnjë individë tjetër kushdo qoftë! Unë mendoj se Thaçi duhet ta ftojë Kryeministrin Haradinaj që është zyrtarisht figura institucionale kyçe shtetërore, dhe nuk guxon të anashkalohet! Nuk mund të ketë marrëveshje nëse Presidenti dhe Kryeministri nuk janë unik dhe plotësisht të pajtimit në aktin final të marrëveshjes”, ka deklaruar Skënder Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Shahu: Historia e bisedimeve Kosovë - Serbi është spektakël banal

Image
Rexhep Shahu

Në anën tjetër, analisti dhe publicisti Rexhep Shahu, duke folur për ofertën e Thaçit drejtuar Hotit, ka thënë se Thaçi e ka kuptuar se dialogu është dështim dhe dëshiron t’ia lërë në derë kopilin LDK-së.

“Po, Thaçi do me ia lënë kopilin në derë LDK-së tani kur është vërtetuar se gjithë historia e bisedimeve Kosovë - Serbi është spektakël banal dhe i dështuar me sukses, gjithë historia e bisedimeve është dështim me sukses i politikës së drejtuar prej Thaçit. Po të ishte dinjitoze ekipi negociator, po të ishte i qartë Thaçi dhe trim, bisedimet do të kishin sjellë rezultat. Por, Thaçi i pari dhe kuvendarët e tjerë pas tij e kanë menduar Kosovën si koloni të Serbisë dhe janë sjellë si vasalë të saj, janë sjellë jo si të barabartë, jo me dinjitet, por kanë pranuar të bien pre e viktimizimit të Serbisë”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, nëse Thaçi ka rol vendimtar në dialog, do të humbim, pasi ai sjell vetëm humbje për shkak të injorancës së tij madhështore.

“Thaçi me suitat e tij analfabete e shpesh enveriste kanë ndihmuar që Serbia të shkëlqejë me rolin e viktimës dhe shqiptarët të paraqiten si agresorë. Do të thosha se nëse Thaçi do të fusë hundët e do të ketë rol vendosës në bisedime, ne do të fitojmë humbjen si shqiptarë. Sepse Thaçi sjell vetëm humbje për shkak të injorancës së tij madhështore”, ka përfunduar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat