“Kufijtë e Kosovës mund të ndryshojnë vetëm me luftë”

Politika

“Kufijtë e Kosovës mund të ndryshojnë vetëm me luftë”

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 14 gusht 2018 Në ora: 07:32
Kosova

“Mendimi im është se Kosova i ka vendosur kufijtë mbi gjakun e dëshmorëve të rënë në luftën tonë të fundit, lufta më e lavdishme që bëri UÇK-ja, dhe e përkrahur nga bota demokratike, NATO,  por edhe shumë dëshmor që ranë ndër breza, dhe se besoj kush që ka të drejtë a mundësi me bë një ndryshim. Pra kufijtë janë vendosë me luftë, dhe vetëm me luftë mund ndryshojnë, siç provoj Rusia në Krime etj. pra nuk duhet të ketë ndryshime”, thotë ish deputeti Lahi Brahimaj për gazetën “Bota sot”.

Pretendimet për ndarjen e Kosovës po konsiderohen si shumë të rrezikshme. Një ndarje e tillë do të mund të hapte edhe “Kutinë e Pandorës”, sa i përket kufijve në gjithë Ballkanin.

Përveç kësaj, ndarja do të mund të lëkundte edhe themelet e shtetit tonë.

Gjithashtu një ndarje apo ridefinim i kufijve, përveç shumë dëmeve për Kosovën, do të sillte edhe një konflikt të ri me Serbinë dhe në Ballkanin perëndimor.

Se një lojë me kufijtë e Kosovës është shumë e rrezikshme e thonë edhe politikanët tanë, ish deputetët e Parlamentit të Kosovës si dhe analistët.

Kundër idesë së rrezikshme të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, janë paralajmëruar edhe protesta, në mënyrë që mos të luhet me sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Por, çfarë do të ndodhte me Kosovën, në rast të ndarjes apo shkëmbimit të territoreve me Serbinë, ashtu sic po trumbeton Presidenti i vendit Hashim Thaçi?

Mustafa tregon pasojat në rast të ndërrimit të kufijve

Ish - deputeti i LDK-së, Muhamet Mustafa, thotë se, hapja e negociatave për shkëmbim territoresh, e korrigjime kufitare, pa njohje reciproke, mund të jetë e rrezikshme për Kosovën.

Image
Muhamet Mustafa

“Kjo, sepse statusi i Kosovës i definuar me pavarësinë dhe i njohur nga më shumë se 115 shtete dhe i konfirmuar nga Gjykata ndërkombëtare se nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, do të lëkundej, Serbia do ta paraqiste këtë si negociata për status, do të zgjaste këto negociata dhe pozita ndërkombëtare e Kosovës ka rrezik se do degjeneronte, ose në rastin më të mirë stagnonte. Pra, hyjmë në një pasiguri të madhe. E dyta janë reperkusionet në rajon e më gjerë”, thotë Mustafa për gazetën “Bota sot”.

Sipas Mustafës, Vuçiq po thotë se, kufijtë e Serbisë nuk janë të qartë, jo për ti ngushtuar ata, por po tenton që ti zgjerojë sa më shumë, përndryshe ata kufij janë të qartë.

Por, Mustafa thotë se, ai po luan blof për të futur në tavoline të bisedave ketë çështje.

“Çështja e kufijve të përbërësve konstituivë të ish Jugosllavisë Federative, (të përbëre nga 8 njësi, 6 republika dhe 2 krahina autonome) është shumë e qartë me Kushtetutën e fundit legale të ish Jugosllavisë, të marra edhe si bazë e parimet e Badinterit të marruara edhe nga Ahtisari. Ato parime janë aplikuar në procesin e shpërbërjes se asaj Federate dhe në procesin e krijimit të shteteve që kanë dalë nga ajo federatë.  Sipas Kushtetues së vitit 1974, as Republikat e as Krahinat autonome (neni 5), nuk kanë pas kufij shtetëror por administrativë. Kufijtë e Krahinave autonome, kanë qenë sikurse edhe në rastin e republikave kufij administrative, kanë qenë kufij të krahinave autonome dhe jo të Serbisë, dhe ata nuk kanë mundur të ndryshohen pa pëlqim të Kuvendeve të tyre”, potencon ai.

Andaj, ai shton se, edhe në rastin e Kosovës e Serbisë, kufijtë administrative duhet të demarkohen dhe shndërrohen në kufij shtetëror, parim ky që është zbatuar duke filluar nga Sllovenia e Kroacia e deri tek Serbia e Maqedonia dhe në të gjitha rastet e demarkimit të kufijve të shteteve të dala nga ish Jugosllavia.

“Tentimi për krijuar një blof dhe imituar një Jugosllavi të mbetur, Federata e Serbisë dhe Malit te Zi doli dështim i plotë. Ai ishte një produkt i luftës dhe agresionit serb. Kosova u pushtua për tu përfshirë aty, pra në mënyrë jo kushtetuese dhe të dhunshme. Kjo solli pastaj ngjarjet e njohura (rezistencën aktive paqësore, Lufta për liri, Intervenimi i NATOS, Rezoluta 1244, Shpallja e Pavarësisë 2008 dhe konfirmimi nga Gjykata ndërkombëtare se kjo nuk shkelte parimet e të drejtës ndërkombëtare)”, thotë ish deputeti Muhamet Mustafa.

Brahimaj: Kufijtë janë vendosur me luftë dhe vetëm me luftë mund ndryshojnë

Ndërsa, ish - deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj pohon se Kosova i ka vendosur kufijtë mbi gjakun e dëshmorëve të UÇK-së dhe është përkrahur nga NATO-ja dhe shtetet demokratike.

Image
Lahi Brahimaj

Sipas tij, kufijtë mund të ndryshojnë vetëm me luftë.

“Mendimi im është se Kosova i ka vendosur kufijtë mbi gjakun e dëshmorëve të rënë në luftën tonë të fundit, lufta më e lavdishme që bëri UÇK-ja, dhe e përkrahur nga bota demokratike, NATO,  por edhe shumë dëshmor që ranë ndër breza, dhe se besoj kush që ka të drejtë a mundësi me bë një ndryshim. Pra kufijtë janë vendosë me luftë, dhe vetëm me luftë mund ndryshojnë, siç provoj Rusia në Krime etj. pra nuk duhet të ketë ndryshime”, thotë Brahimaj për gazetën “Bota sot”.

Duhanaj: Nëse ndodhë ndryshimi i kufijve, ndodhë ndarja,

Ndërsa, analisti politik Leon Duhanaj, potencon që, pas dy raundesh negociatash, të Rambujesë dhe Vienës ku Kosova bëri kompromise të mëdha, tani, duhet pyetur se si erdhi deri tek kjo situatë, që Kosova prapë të futet në negociata për territorin e saj?!

Image
Leon Duhanaj

“Për mendimin tim, fajtorë kryesorë për ketë janë vetë shqiptarët, që s'lanë gjë të keqe pa bërë, derisa edhe pushtetit serb ia mundësuan rikthimin dhe rehabilitimin! Tani, vetë termi shkëmbim, është tradhti në veti. Nuk ka shkëmbin sepse ne nuk posedojmë me territore serbe. Nëse ndodh ndryshimi i kufijve, atëherë ndodhë ndarja, copëtimi e jo shkëmbim”, thotë Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Në anën tjetër, ai shton se, nuk guxon askush krye në veti të marrë dhe të vendosë për fatin e këtij vendi!

“Shqiptarët duhet të forcohen sepse armikun më të madh e kanë vetveten, këndej nuk kemi nevojë për ndryshim territoresh por për këndellje kombëtare”, përfundon ai.

Hertica: Evropa dëshiron që të hapet e ashtuquajtura Kuti e Pandorës

Kurse, një ndarje, apo një korrigjim i kufijve, etnik siç pretendohet nga presidenti Hashim Thaçi dhe disa përkrahës të tij nuk është e mirë për Kosovën dhe Evropën thotë analisti politik, Ali Hertica.

Image
Ali Hertica

Sipas tij, nuk duhet të përdoren këto prediksione negative për sovranin e Kosovës.

“Kjo do të rrezikonte sigurinë e Evropës. Evropa dëshiron që të hapet e ashtuquajtura Kuti e Pandorës që çdo vend mund të kërkojë pastaj ndonjë ndarje apo bashkim, dhe me një veprim të tillë do rrezikohet Maqedonia dhe Bosnja. E kjo do të krijonte një paqëndrueshmëri, që do të ishte një rrezik i gjerë ballkanik, e që mund të shkaktojë dhunë në Kosovë dhe në Serbi”, thotë Hertica për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, parimi i shteteve demokratike dhe pluraliste është diçka për të cilën shumë njerëz sakrifikuan dhe dhanë jetën.

“Ne nuk duhet ta braktisim atë parim veçanërisht kur ka opsione të tjera për sovranin dhe shtetin e Kosovës. Liderët profiter mos të marrin hapa të ngutshëm për realizmin e historisë së tyre, sepse ka shumë opsione të tjera. Kështu që, korrigjimi i kufijve, ose çfarëdo ideje tjetër që është e keqe dhe shumë e dëmshme për Kosovën, sepse dikush do të japë përgjegjësi para sovranit”, përfundon Ali Hertica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat