President përçarës dhe jounifikues

Politika

President përçarës dhe jounifikues

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 14 gusht 2018 Në ora: 11:01
Hashim Thaçi

“Unifikimi dhe bashkëpunim i gjerë, ku ndahen dhe merren përgjegjësit, nuk është metodë e politikbërjes së presidentit Thaçi, pasi që është një njeri perfid dhe gjithë karrierën e tij politike e ka të ndërtuar mbi mashtrimet dhe përçarjet që ua bën apo ua krijon të tjerëve. Pra edhe tani kur gjendemi përballë fillimit të fazës finale të dialogut me Serbinë”, shprehet analisti Nexhat Haziri.

Deklaratat e fundit opozitës, se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk është njeriu i duhur për t’i udhëhequr bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, për shkak se e ka përçarë spektrin politik, janë mbështetur edhe nga analistë dhe njohës të rrethanave politike në Kosovë.

Opozita e përsërit mendimin e saj se kreu i vendit nuk ka arritur asnjëherë të jetë unifikues në proceset e fundit të cilat e kanë përcjellë vendin.

Ndërsa, shoqëria civile konsideron se ish-kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi tani presidenti i vendit, gjithnjë ka qenë përçarësi dhe burimi i urrejtjes që nga paraqitja e tij në skenën politike.

Deputetja e LDK-së: Thaçi personi më përçarës

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku-Rexhepi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se president i Kosovës, Hashim Thaçi, përgjatë kohës sa ishte në pozitën e postit të Presidentit asnjëherë nuk e ka luajtur rolin e unifikuesit.

Image
Valentina Bunjaku- Rexhepi

“Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi asnjëherë sa ka qenë në pozitën e Presidentit nuk ka qenë figurë unifikuese. Ai gjithmonë  e ka përçarë spektrin politik”, tha Bunjaku-Rexhepi.

Bunjaku-Rexhepi e pohon se për partinë e saj, Thaçi është personi më përçarës.

Tutje, deputetja nga radhët e opozitës e thekson se primare për LDK-në është që së pari ta rrëzojnë Qeverinë Haradinaj.

“Ne do të kërkojmë rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj, sa i përket Hashim Thaçit, për Lidhjen Demokratike të Kosovës  ai është personi më përçarës”, tha në fund deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi për gazetën “Bota sot”.

Haki Abazi: Hashim Thaçi përçarësi dhe burimi i urrejtjes

Njohësi i çështjeve politike në vend, Haki Abazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi ka qenë përçarësi dhe burimi i urrejtjes që nga paraqitja e tij në skenën politike.

Image
Haki Abazi

“Thaçi ka qenë përçarësi dhe burimi i urrejtjes që nga paraqitja e tij në skenën politike. Thaçi është njeri me personalitet paranojak, agresorë dhe armiqësorë. Asnjëherë gjatë gjithë karrierës së vet nuk ka mundur të dal nga roli i tij i njeriut me negativitet dhe me energji përjashtuese e urrejtëse. Si president ai ka bërë të njëjtën gjë, nga margjinat ka udhëhequr PDK dhe klanin e korruptuar të ashtuquajtur “PRONTO””, ka thënë Abazi.

Analisti politik më tej ka kritikuar punën e Hashim Thaçit në postin e Presidentit.

Sipas Abazit, Thaçi është penguesi kryesore i drejtësisë, zhvillimit dhe progresit demokratik të Kosovës.

“Ai është penguesi kryesore i drejtësisë, zhvillimit dhe progresit demokratik të Kosovës. Ai ka tradhtuar të gjithë partnerët politike duke e konsideruar atë punë zotësi, por që në fakt është vetëm strategji për përmbushjen e obligimeve që ka marrë për tu shpërblyer me pushtet dhe kjo është akomodimi i Serbisë dhe interesave të saj përbrenda shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.

Në fund, Abazi thekson se presidenti Thaçi me energjinë e tij negative e ka izoluar Kosovën.

Ai thotë kreu i Kosovës është i vetmi që nuk ftohet askund dhe nuk ka asnjë lloj respekti nga udhëheqësit e shteteve.

“Presidenti Hashim Thaçi me energjinë e tij negative e ka izoluar Kosovën, është presidenti i vetëm që nuk ftohet askund dhe nuk ka asnjë lloj respekti nga udhëheqësit e shteteve përfshirë edhe ato që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur”, ka përfunduar Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.

“Thaçi gjithë karrierën e ka të ndërtuar mbi mashtrimet dhe përçarjet”

Ndërsa, në një linjë me Abazin qëndron edhe Haziri.  Analisti tjetër, Nexhat Haziri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, duke e komentuar punën e deritanishme të presidentit Hashim Thaçi ka thënë se, ai nuk ka reflektuar asnjëherë për unitet të gjerë.

Image
Nexhat Haziri

“Gjëja e fundit që do t’i shkonte personalitetit të presidentit Hashim Thaçi, është që ai të jetë personalitet unifikues. Mund të them se as edhe një herë ky njeri nuk ka reflektuar për unitet jo vetëm në raport me spektrin politik të vendit, por as në partinë e tij politike, PDK-në, e deri të rrethi i ngushtë i miqve të tij të cilët ia ka përdorur për aq sa kohë iu kanë dashur për t’i realizuar ambiciet e veta personale, dhe me pas më një lehtësi i ka hedhur si limonët e shtrydhur”, ka thënë .

Haziri e konsideron Thaçin si një njeri perfid, i cili gjithë karrierën e tij politike e ka të ndërtuar mbi mashtrimet dhe përçarjet.

“Pra unifikimi dhe bashkëpunim i gjerë, ku ndahen dhe merren përgjegjësit, nuk është metodë e politikbërjes së presidentit Thaçi, pasi që është një njeri perfid dhe gjithë karrierën e tij politike e ka të ndërtuar mbi mashtrimet dhe përçarjet që ua bën apo ua krijon të tjerëve. Pra edhe tani kur gjendemi përballë fillimit të fazës finale të dialogut me Serbinë”, shprehet ai.

Tutje, analisti politik shton duke thënë se ,qytetarët e Kosovës dhe opozita përmes metodave demokratike duhet ta ndalin që presidenti Hashim Thaçi të vendos për fatin e Kosovës në fazën finale të dialogut me Serbinë.

“Hashim Thaçi nuk është një njëri unifikues, pavarësisht postin që e mban dhe ky njeriu nuk do të arrijë që ta bëjë bashkë spektrin politik për asnjë çështje që është me rëndësi për Kosovën. Mbase profili i tij politik, do të duhej t’iu shërbente spektrit politik, sidomos atij opozitarë, por edhe qytetarëve të Kosovës, që përmes metodave demokratike duhet ta ndalin që Hashim Thaçi të vendos për fatin e Kosovës në fazën finale të dialogut me Serbinë”, shtoi analisti Nexhat Haziri për gazetën “Bota sot”.

Ndërkohë, kujtojmë se ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, u zgjodh president i Kosovës në raundin e tretë të votimeve mes tensionesh të larta politike më 26 shkurt të vitit 2016.

Thaçi atëbotë fitoi me 71 vota në raundin e tretë pasi në dy raundet e para nuk arriti të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve. Ndërsa, ardhja e tij në postin e Presidentit u kundërshtua ashpër nga partitë opozitare të cilat dy herë radhazi ndërprenë seancën duke hedhur gaz lotsjellës.

Ndërsa, i pari i vendit kishte pranuar vetëm tri urime për zgjedhjen e tij në krye të Shtetit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Austria, të cilat e kishin përshëndetur zgjedhjen e Thaçit në krye të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat