“Gjarpri” sfidon haptas kancelarën gjermane, Angela Merkel

Politika

“Gjarpri” sfidon haptas kancelarën gjermane, Angela Merkel

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 14 gusht 2018 Në ora: 17:23
Hashim Thaçi dhe Angela Merkel

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, gjatë ditës së djeshme deklaroi haptas dhe fuqishëm se në Ballkan nuk do të ketë ndryshim të kufijve, ku sipas saj kohëve të fundit janë paraqitur këto tendenca.

“Kufijtë dhe integriteti territorial i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor janë të krijuara (vendosura) dhe janë të paprekshme. Kjo duhet të përsëritet shumë herë sepse ka disa tendenca të bisedohet për kufij, dhe kjo nuk mund të bëhet”, u shpreh Angela Merkel gjatë ditës së djeshme.

Por, sot presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i njohur gjatë luftës me nofkën “Gjarpri”, ka sfiduar haptas kancelarën gjermane, shkruan “Bota sot”.

Ai nuk është tërhequr nga ideja e tij, siç e quan ai “korrigjim i kufirit” mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai, në një intervistë të tij për Reuters, ka thënë se në shtator do t’i propozojë Serbisë planin për korrigjimin e kufirit, ani pse Merkel një ditë më parë tha se nuk do të ketë ndryshime të kufijve në Ballkan.

“Definitivisht tani është momenti për të korrigjuar kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, që është rreth 400 kilometra. Kjo do të ndihmonte në shmangien e problemeve ndëretnike dhe krijimin e çfarëdo rajoni autonom si Republika Srpska (në Bosnjë). Korrigjimi i kufijve definitivisht do të shmangë ndarjen e Kosovës, duke shkëmbyer territore, më shumë krizë apo probleme ose ndoshta edhe një luftë të re. Nëse palët bien dakord në procesin e dialogut dhe arrijnë një marrëveshje për korrigjimin e kufirit, BE dhe Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin atë. Ne po ndjekim një proces paqësor dhe kjo do të shmangë problemet, do të shmangë krizat dhe do të hapë një perspektivë të BE për të dy vendet”, deklaroi Hashim Thaçi për Reuters.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat