Flet Komandant “Leka”, zbulon detaje të reja për manipulimet me listat e veteranëve

Politika

Flet Komandant “Leka”, zbulon detaje të reja për manipulimet me listat e veteranëve

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 19 gusht 2018 Në ora: 19:30
Nuredin Ibishi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi në qershor të vitit 2016, kishte kërkuar nga Prokuroritë kompetente fillimin e grumbullimit të informatave për nisjen e hetimeve mbi keqpërdorimet e mundshme me listat e veteranëve të UÇK-së, përkatësisht listave të fryra.

Në vazhdimësi ky institucion relevant në Kosovë deklarohej se është në fazën fillestare të mbledhjes së informatave duke mos dhënë detaje të tjera se kush është duke u hetuar për këtë.

Mirëpo, së fundi, tronditëse ishte deklarata e kryeprokurorit të Shtetit, Akeksandër Lumezi, i cili tha se janë 19 mijë persona që jashtëligjshëm kanë fituar statusin e veteranit 

E, një prej komandantëve të njohur të Zonës Operative të Llapit, Nuredin Ibishi, i njohur si komandant "Leka", në një bisedë të gjatë për gazetën “Bota sot”, ka treguar në detaje gabimet të cilat janë bërë me listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ibishi ka thënë se që nga fillimi, qasja e komisionit ka qenë e gabuar dhe për këtë ndodhën këto që ndodhen.

 “Së pari edhe vet zgjatja e këtij procesi, mandej formimi i Komisionit që është marr me këtë çështje si dhe qasja nga fillimi kanë qenë të gabuara. Besoj që jeni në dijeni se disa kategori realisht vërtetë kanë qenë pjesë e luftës, mirëpo janë bërë gabime më të mëdha sepse dallimi mes veteranëve dhe kategorive të tjera të pjesëmarrësve si  kontributdhënësit, me këtë është bërë një konfuzion i tërë”, ka thënë Ibishi.

Veterani dhe kontributdhënësi

Ibishi ka thënë se është përzier qasja mes veteranit dhe kategorive tjera që janë kontributdhënëse për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për tu bërë veteranë i luftës ish-komandanti i UÇK-së ka thënë se ka mjaftuar edhe vetëm një dëshmi e vetme për tu bërë pjesë e saj.

“Është përzier qasja mes veteranit dhe kategorive tjera që janë kontributdhënësit për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse aty ka mjaftuar vetëm një dëshmi dhe ka hyrë në kategorinë si veteran i   luftës, ndërsa ka qenë i mundur të karakterizohet si kontributdhënës, qoftë në aspektin e logjistikës apo aspektet e tjera të përkrahjes, sepse përkrahja e UÇK-së kanë qenë mbarë kombëtare, pasi që nuk niset vetëm nga ajo që vetëm ata që kanë marrë pjesë direkte, por edhe të tjerë, pra për saktësuar mirë një fond për të klasifikuar kategoritë brenda saj. Mirëpo është bërë një përzierje e trajtimit apo edhe vet dhënies së statusit të veteranit, duhet ditur se duhet të ketë kritere se çka duhet të plotësojë”, ka thënë ish-komandanti i UÇK-së.

Me tej, ai ka shtuar se gabimet me listat e veteraneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës datojnë që nga fillimi i saj.

“Kjo do kishte pastruar të gjitha shqetësimet sikur tash që janë bërë lista të stërfryera. Gabimet janë që nga fillimi”, shtoi ai.

Ibishi: Në lista janë përfshirë edhe fëmijë

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka folur edhe për gabimet që janë bërë me listat e veteranëve.

Sipas tij, pjesë e veteranëve janë bërë edhe të miturit, për të cilët ka thënë se gjatë kohës së luftës ata ishin fëmijë.

Gjithashtu ai ka përmendur edhe një detaj tjetër mjaftë interesantë, ku ka thënë se nga 100 pjesëmarrësit sa ishin nga Shqipëria, tek pastaj u bënë plotë 3000 mijë veteranë të UÇK-së.

“Gabimet janë bërë nga brenda, nga komisioni duke mos pasur parasysh që kategorinë e mirëfillta që ligji ja mundëson dhe këtu janë përfshirë edhe të mitur, e të cilët gjatë luftës kanë qenë fëmijë e tash të jetë veteran, pra kjo nuk ka kurrfarë logjike, mandej janë sajuar njësi apo brigade të ndryshme, mandej pjesëmarrja e luftëtarëve nga Shqipëria prej mbi 100 sa ka qenë numri në fillim u bënë pastaj 3000 mijë, kjo tregon se e gjithë kjo ka qenë e gabuar”, ka potencuar ish-komandanti i UÇK-së.

Ndër tjerash, ai ka thënë se edhe populli ka meritat e veçanta, por sipas Ibishit këta duhet të kategorizohet kontributdhënës dhe jo si veteranë.

“Gjithë populli ka dhënë kontributin e vet. Gjatë kohës së luftës populli ka lëshuar shtëpitë e tyre për tu vendosur luftëtarët e UÇK-së, pasi ne nuk i kemi pasur kushtet gjatë asaj kohe për të ndërtuar kazerma, populli ka dhënë ushqim e gjithçka tjetër, pra edhe këta duhet të kategorizohet, mirëpo jo të përfshihen si veteran, por të kategorizohet si një kontributdhënës”, ka shtuar ai.

Zgjidhja formimi i një komisionit shtetëror

Në fund, ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit ka treguar edhe zgjidhjen dhe ndaljen e keqpërdorimeve të bëra me listat e veteranëve të UÇK-së.

Leka ka theksuar se duhet te formohet një komision shtetëror, të behët klasifikimi konformë ligjit, siç ka thënë ai me krejt ato kategori të cilat janë përcaktuar, dhe në të njëjtën kohë duke mos munguar në asnjë moment kontributi i madh popullit.

“Mendoj se duhet te formohet një komision shtetëror të behët klasifikimi konformë ligjit pra krejt ato kategori të cilat janë të përcaktuara, duke mos munguar në asnjë moment edhe kontributi I popullit dhe kontributi individual i secilit në Kosovë”, ka përfunduar Nuredin Ibishi, ish-komandant i UÇK-së për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat