Mafia e komandantëve

Politika

Mafia e komandantëve

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 20 gusht 2018 Në ora: 07:57
Foto ilustrim

Mbi 20.000 persona janë futur në listat e veteranëve si ish ushtarë të UÇK-së që kanë luftuar në territorin e Kosovës. Mes tyre figurojnë edhe emra të ish zyrtarëve të UDB-së serbe para luftës, shkruan “Bota sot”.

Prokurori i prokurorisë speciale Elez Blakaj dha dorëheqje për arsye të kërcënime të vazhdueshme që kishte, për shkak se hetonte fryrjen e listave të veteranëve.

Në këtë sistem, me këto kritere e standarde të ndërtuar përmes ndikimit politik është e pamundur që prokurorët me integritet ta vazhdojnë punën e tyre në të mirën e vendit.

Në media është raportuar se Blakaj kishte ngritur aktakuzë ndaj Agim Çekut, Shukri  Bujës, Shkumbin Demaliajt, Qelë Gashit, Ahmet Dakut, Rrustem Berisha, Faik Fazliut, Smajl Elezajt dhe Xhavit Jasharit, pikërisht për shkak se dyshimeve se këta kanë qenë organizatorë të manipulimeve me lista.

Madje, Agim Çeku ishte edhe kryetar i komisionit për lista të veteranëve, gjë që ngjall dyshimet edhe më shumë.

Hesht Qeveria Haradinajt dhe prokuroria

Gazeta “Bota sot” ka dërguar pyetje në zyrën e kryeministrit të Kosovës për të marrë informata se cilat do të jenë veprimet e qeverisë lidhur me këtë rast, mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Heshtja e Haradinaj nuk duhej të ndodhte në këto momente, pasi vetë ishte komandant i zonës ku ka më së shumti veteranë në lista, atë të Dukagjinit, e duke e pasur parasysh se ai e njeh më mirë se çdo kush luftën e zhvilluar atje, heshtja e tij ngjallë dyshime.

Të heshtur në pyetjet e “Bota sot” ka qenë edhe prokuroria e Kosovës, pasi është pyetur për masat që do t’i ndërmarr ajo.

Listat janë të fryra

Image
Hysni Gucati

Kurse, kryetari i organizatës së veteranëve të luftës, Hysni Gucati, ka thënë për “Bota sot” se prokuroria duhet të marrë masa në këtë drejtim, pasi sipas tij ky është turpi i Botës. Për Agim Çekun, Gucati thotë se kjo puna e fryrjes së listave shkon nga lartë deri poshtë, ndërsa e pranon se listat janë të fryra.

“Prokuroria duhet të marrë masa dhe të punojë në këtë drejtim sepse është turpi i botës. Sa I përket Agim Çekut ai nuk mundet t’i kontrollojë të gjitha listat dhe ta verifikon fryerjen e listave sepse kjo punë shkon prej lartë deri poshtë. Unë mendimin tim e kam dhënë edhe më herët, listat janë të fryra”, ka thënë Gucati.

Milaim Zeka: Turp i shqiptarëve

Image
Milaim Zeka

Lidhur me këto zhvillime ka folur për “Bota sot” edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish gazetari I luftës Milaim Zeka.

Ai i quan turp i shqiptarëve të gjithë ata që kanë manipuluar me ato lista, ndërsa thotë se për brigadën “Hasan Prishtina” që u përmend sot, nuk ka dijeni.

“Njerëzit që kanë manipuluar me listat e veteranëve, janë turpi i shqiptarëve, turpi i Kosovës, turpi i UÇK-së dhe është keq kur asnjë njeri nuk ka kurrfarë justifikimi e as për të kërkuar falje. Unë kam dijeni për brigadën “Hasan Prishtina” që po flitet, është hera e parë që po e dëgjoj. Unë nuk kam informacion që kjo brigadë ka ekzistuar”, thotë Zeka.

Ai tutje shton se të gjithë ushtarët e dezertuar është dashur të largohen nga listat. Ndërsa thotë se ka informacione se njerëzit kanë dhënë deri 5000 euro për t’u futur në listat e veteranëve.

“Prej listës së veteranëve është dashur të largohen të gjithë ata njerëz që janë dezertuar prej UÇK-së, sepse numri i tyre është shumë i madh. Ka raste kur njerëzit kanë luftuar 2-3 javë dhe pastaj kanë dezertuar. Unë kam marrë informacione të shumta që njerëzit i kanë dhënë deri 5000 euro komandantëve të shumtë të luftës, për t’i futur në listat e veteranëve”, është shprehur Zeka.

Zeka: Ish prokurorit, Nazmi Mustafa, ia kanë shkatërruar familjen

Ai ka treguar se, ish prokurorit, Nazmi Mustafa, ia kanë shkatërruar familjen dhe e kanë burgosur për shkak që ai nuk u dorëzua përballë kërcënimeve dhe presioneve të ndryshme.

“Unë kam informacione se një ish prokuror i Kosovës, pikërisht pse nuk është dorëzuar përball presioneve dhe kërcënimeve nga më të ndryshmet, ia kanë shkatërruar njeriut familjen dhe e kanë burgosur. Po e them publikisht për “Bota sot”, është fjala për ish prokurorin Nazmi Mustafa. Atij ia kanë shkatërruar jetën, e kanë dënuar, e kanë denigruar, e kanë kërcënuar, e gjithashtu edhe nga ish kolegët e tij prokurorë, që nuk e donin punën e tij”, ka treguar Zeka.

Ai thotë se këto informacione i ka nga ndërkombëtarët.

“Këtë ma kanë thënë ndërkombëtarët, prokurorët finlandezë, prokurorë suedez, që vetëm për shkak se nuk i është dorëzuar presioneve të disa prokurorëve vendor, ia kanë përgatitur kurthin dhe e kanë burgosur njeriun”, dekalroi Zeka.

I pyetur rreth dorëheqjes së prokurorit Blakaj, ai mendon se largimi i tij është për shkak të presioneve politike dhe e sheh shumë shqetësuese këtë dorëheqje për shoqërinë e Kosovës.

“Largimi i prokurorit Blakaj duhet me qenë shqetësim serioz për shoqërinë e Kosovës. Unë i besoj në mënyrë absolute prokurorit Blakaj, dhe mendoj se largimi i tij është për shkak të presioneve politike”, ka përfunduar Zeka për “Bota sot”.

Gecaj: Komandantët e pandershëm kanë krijuar klientele votuese të sigurt

Image
Bajram Gecaj

Ndërsa zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj e sheh këtë manipulim si problem politik. Ai thotë për “Bota sot” se komandantët e pandershëm kanë krijuar fole votuese të sigurt me veteranët e rrejshëm.

“Problemi me listat është problem politik, ligjor dhe moral. Është politik sepse me fryrjen e listave “komandantët” e pandershëm kanë krijuar klientele votuese të sigurt. Ligjërisht kjo përben shkelje ligjore serioze, sepse për interesa grupore e klanore dëmtojnë rendë buxhetin shtetëror. Ndërsa është problem moral sepse si veteranët e rrejshëm, ashtu edhe “komandantët” keqbërës po shkelin kështu mbi gjakun e dëshmoreve dhe mundin e luftëtarëve tëvërtetë. Të shpresojmë se do t’i arrij dora e drejtësisë dhe mallkimi i gjakut tëdëshmorëve”, thekson Gecaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat