“Hajn i pulave, Bllacë e Stankovec”, Sylejman Selimi dhe Jakup Krasniqi vs Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli!

Politika

“Hajn i pulave, Bllacë e Stankovec”, Sylejman Selimi dhe Jakup Krasniqi vs Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli!

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 22 gusht 2018 Në ora: 12:03
Jakup Krasniqi, Sylejman Selimi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli / Foto ilustrim "Bota sot"

Ish kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj me dorëheqjen e tij ka trazuar skenën politike në Kosovë. Në një letër të gjatë, Blakaj kishte zbuluar kërcënimet që kishe marrë për shkak të aktakuzë që kishte përgatitur për fryrjet e listave të veteranëve, e ku në të përfshiheshin nëntë eprorë të lartë të UÇK-së, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demalijaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha dhe Faik Fazliu, shkruan “Bota sot”.

Por, menjëherë pas letrës së Blakaj, ai u sulmua keq nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli.

Haradinaj, duke shprehur mllefin e tij, Blakajn e quajti hajn i pulave e pishpirik.

“Ku është ai? Ka shkuar në Amerikë në magjistraturë. Është dashur të shkojë në gjykatë e t’ia vë firmën. Rrenë është puna e kërcënimeve sepse po të ishte ashtu, as Azem Syla, as Sylejman Selimi, as Sami Lushtaku, as Daut Haradinaj s’kishin me hi në burg qe dhjetë vjet. Kjo është rrenë. S’ka pas kurrfarë kërcënimi. Kur kanë gjetur vepra kriminale, kanë përfunduar njerëzit në burg. Edhe mua po t’ma jepnin një magjistraturë, shkoj sot në Amerikë. Të gjithë prokurorëve edhe gjyqtarëve e kujt t’i thuash e keni një program master në Amerikë, krejt shkojnë. Kush ka dashur të kryejë punë në Kosovë, ka mundur të kryejë punë. S’ka qenë i kërcënuar që të mos punojë. Kush hyn në paragjykime e budallaki të veta e dëshiron ta mbulojë veten me veprime, le ta bëjë, por s’është ashtu sepse çka bëhet pastaj me prokurorët tjerë, a krejt duhet të ikin a?”, kishe thënë Haradinaj.

““Çdokush po flet çka po do. Nuk është ashtu. Veteranit të vërtetë s’ia humb vlerën askush. As edhe një profiter aty. Ligji le ta çojë në burg. Por të themi se në Dukagjin ka pas shumë, atëherë ku ke qenë ti që po i ofendon këta njerëz? Hajn i pulave! Hajn i pulave është ai që flet kështu! Le të shkojë në të gjitha fshatrat, le t’i pyes sa prej këtyre njerëzve ishin në luftë. Të gjithë kanë qenë! Të gjithë luftuan. Po çohet ky po më tregon teori të veta. Nëse ka pas që kanë mashtruar, çoje në burg. Dikush po i jep të drejtë vetes të kategorizojë 19 mijë veteranë si shifër të tepërt. Nuk flitet kështu. Paraqite listën e çoje në gjykatë. Por kush do ta bëjë këtë, një prokuror që ka ikur a? Nuk pranoj kategorizim”, deklaroi gjatë ditës së hëne, kryeministri Ramush Haradinaj.

Përderisa Blakaj kishte thënë se kishte marr kërcënime për intervistimin e tij, kryeparlamentari, Kadri Veseli, kishte shkruar se Blakaj e dëshmoi që nuk e do vendin e tij, duke e sulmuar keq atë.

“Elez Blakaj, një prokuror që shteti i Kosovës ia kishte dhënë besimin, nuk pati guximin që këtë gjë ta çojë deri në fund, për çka e ka pasur mbështetjen time të plotë - si njeri, si luftëtar dhe si lider institucional e politik. Ai kishte menduar të bëhej prokuror hero pa e luftuar krimin, ashtu sikurse këta mashtrues që duan të bëhen veteranë pa pjesëmarrje në luftën çlirimtare. Me deklarata nga SHBA-ja nuk luftohet krimi, për aq sa lufta nuk është fituar me deklarata pa marrë pjesë drejtpërdrejt. Sido që të jetë, ky është morali të cilin e zgjedh vetë individi, më të cilin i edukon edhe fëmijët e vet. Ky proces do të shkojë deri në fund, për aq sa do të shkojë në fund edhe çdo pretendim që ka bërë ky prokuror. Listat do të hetohen. E vërteta do të dalë. Shteti i Kosovës i kishte besuar z.Blakaj dhe profesionalizmit të tij. Me ikjen e tij, ai tregon se nuk e do shtetin e Kosovës. Prokurorët që e duan shtetin e Kosovës, që jetojnë me shpirt në këtë vend, do ta përfundojnë këtë proces”, kishte thënë Kadri Veseli, pas letrës së ish prokurorit, Elez Blakaj.

Por, gjatë ditës së djeshme, ish komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, ka vërtetuar atë se çka kishte thënë Blakaj, listat e veteranëve janë manipuluar, duke u fryrë së tepërmi numri i ish ushtarëve të UÇK-së.

“Sipas të gjitha shënimeve të komandantëve, të zonave në përgjithësi ka variuar numri deri në 12700. Ky është një numër që nuk është real dhe duhet të merren me të institucionet vendore po ashtu edhe ata që kanë luftuar. E para, që e mendoj si zgjidhje, është që të ndërpritet dhe të rishikohet komplet. Ose të fillohet nga baza, 12700 sa ka qenë dhe mandej të fillohet të verifikohet pjesa tjetër të cilët kanë apliku. Ose cila formë tjetër, por kjo formë për të cilën ende mendoj se janë duke aplikuar njerëz, por kjo nuk i bën nderë as atyre që aplikojnë por nuk i bën nder as atyre që kanë luftu, nuk na bën nder as neve si shtet”, kishte thënë Selimi.

E, sot në përkrahje të Selimit dhe Blakajt, ka dalë edhe ish zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi.

Ai përmes një postimi në facebook, ka shkruar se prokurori Blakaj po e thotë të vërtetën, kurse Selimi tregoi saktë sa ushtarë kishte UÇK-ja.

“Prokurori që e tha një të vërtetë edhe mund ta kryqëzojmë, por ai nuk e pati gatishmërinë e Krishtit e as përkushtimin e Adem Jasharit. Në fakt ai është një hero në mbrojtje të shtetit, të shtetit që ka shumë mundësi të falimentojë financiarisht. Bile së paku është guxim, sa ishte guximi i atyre që ishin rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ta bërë shtetin. UÇK-ja ka luftuar për shtetin e pavarur, sovran e demokratik edhe prokurori po e mbron funksionimin e shtetit të pavarur, sovran dhe demokratik. Kuptohet, me mjete të tjera, me ato mjete që e mbrojnë shtetin sot. Mua nuk me frikëson prokurori që e tha një të vërtetë që e dimë të gjithë, e më të saktën e tha dje nga burgu Syleman Selimi, por më frikësojnë deklarimet e atyre që kanë përgjegjësi dhe marrin para të shumta për ta mbrojtur shtetin nga mashtruesit e abuzuesit e tij. Dhe ata e bëjnë të kundërtën!”, ka shkruar Krasniqi në faqen e tij ën facebook, përcjellë “Bota sot”.

Krasniqi, i është kundërpërgjigjur edhe deklaratave të Haradinajt, i cili prokurorin e quajti hajn te pulave e pishpirik.

“Prokurori edhe mund të ketë qenë pjesë e atyre që ishin në Bllacë, por ai nuk ishte faji i tyre! Fajtorët që nuk e ndihmuan luftën, çlirimtarë i kanë futur në gjirin e tyre për interesa meskine! Fajtorë janë ata që dezertorët i bënë veteranë e deri në heronj, si dhe ata që fare nuk ishin ushtarë dhe sot nuk ju dhimbset paraja e shtetit! E di që për këtë që po e them s’do t’ju pëlqej shumëkujt, por unë nuk po shkruaj që t’ju pëlqej shumicës mashtruese. Po e them të vërtetën që edhe mund t’i vret disa! Madje jo pak! Edhe ata që pa dëshirën e tyre ishin pjesë jo vetëm e një Bllace a Stankoveci duhet respektuar! Edhe ata ishin pjesë e luftës që i ishte imponuar popullit tonë”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka kritikuar edhe ata, që sipas tij duhej të ndihmonin prokurorin Blakaj në kryerjen e detyrës së tij fisnike.

“Populli ynë, në fjalorin dhe mendësinë e tij filozofike ka shpjegim adekuat për çdo situatë, edhe për zhvillimet e këtyre ditëve. Dhe është më shumë se i saktë në këtë reflektim imediat. I urti popull thotë: “Më lehtë është të luash qarkun sesa të folesh hakun!” Kjo u pa edhe këtyre ditëve, e sidomos pas bërjes konkrete të arsyes pse ishte larguar prokurori Blakaj. Reagimet e shumta që erdhën pas letrës së prokurorit të “vetëlarguar”, e sidomos të atyre që do të duhej ta ndihmonin në kryerjen e detyrës së tij fisnike, po më bindin se vërtet në ambientin tonë e vërteta vret shumë dhe do të duhej të ishte e kundërta, do të duhej t’i gëzoheshim të vërtetës së zbardhur!”, ka shkruar ish zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat