Opozita e pafuqishme përballë Thaçit dhe kompromiseve të “dhimbshme”

Politika

Opozita e pafuqishme përballë Thaçit dhe kompromiseve të “dhimbshme”

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 22 gusht 2018 Në ora: 21:34

Shumë liderë shqiptarë dhe botërorë kanë kundërshtuar haptazi iden e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufinjëve me Serbinë. Mirëpo, vetë fakti që po kritikohet ashpër nga pozita, opozita, diplomatët ndërkombëtarë e njohësit e çështjeve të Ballkanit, nuk po e pengojnë Thaçin që t’i hyjë i vetëm këtij procesi

Gjithashtu për të përmbushur synimin e tij, Thaçi ka paralajmëruar edhe referendum. Duke shtuar se lidhur me këtë temë duhet tu lihet që të vendosin vetë qytetarët.

Mirëpo iniciativa e tij po cilësohet si rrezikshme, e cila mund të çojë madje në luftë dhe konflikte të reja.

Por sa janë të koordinuara ndërmjet vete subjektet politike opozitare aktualisht, që t`i parandalojnë kompromiset që pritet të bëhen në dialogun me Serbinë dhe sa ka gjasa që Thaçi të shkarkohet nga posti i presidentit?

LDK kundër protestave, Thaçi të shkarkohet me rrugë ligjore

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova sugjeron se do të duhet të ndiqen rrugët ligjore për të shkarkuar Thaçin.

Image
Naser Rugova

 

Për më tepër, ai ka deklaruar se metodat jo kushtetues si rasti i protestave mund të tensionojnë edhe me shumë situatën konfuze politike në vend.

“Kushtetuta e vendit përcakton saktë shkarkimin e presidentit të Kosovës, konsideroj që rruga ligjore është rruga e vetme e një hapi të tillë, metodat tjera që bien ndesh me rrugën kushtetuese dhe ligjore, konsideroj se mund ta tensionojnë edhe me shumë situatën edhe ashtu tejet konfuze politike që mbretëron në vend. Masat e tilla merren kur mbyllen të gjitha rrugët tjera dhe rrezikohet rendi kushtetues i vendit”, ka thënë Rugova për “Bota sot”.

VV: Po punohet të ndryshohet i gjithë spektri politik

Kurse, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arberie Nagavci në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se akoma nuk po arrihet bashkëpunimi i duhur në mes opozitës për ndryshimin e të gjithë spektrit politik.

Image
Arberie Nagavci

“Lëvizja Vetëvendosje i ka të qarta qëndrimet e saj. Ne mendojmë që kjo keto ide jane një varg shkeljeve dhe vendimeve të dëmshme për vendin. Ne jemi të gatshëm dhe e kemi paraqitur edhe në tryezën për paritë politike që zgjidhja e  vetme janë zgjedhjet. Besoj që akoma nuk është bashkëpunimi i duhur për ndryshimin e ketij spektri politik, ne po punojme  për një opozitë më të fuqishme ”, ka përfunduar deputetja e VV-së, Arberie Nagavci.

PSD: Opozita ti kalojë kufinjë e interesit partiak

Ndërsa, deputeti I Partisëë Socialdemokrate, Faton Topalli në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se PSD-ja po bashkëpunon shumë mirë me LDK-në.

Image
Faton Topalli

Topalli ka shtuar se janë në një situatë kur as pozitë e as opozitë nuk i kanë numrat andaj  kjo po e vështirëson agjendën.

“Mendoj që kemi bashkëpunim shumë të mirë me LDK-ën dhe urojm që ky bashkëpunim të vazhdojë e të forcohet. Ne i kemi mbështetur edhe iniciativat e Lëvizjes Vetëvendosje.. Opozita duhet të bashkëpunoj edhe më shumë mes veti. E ardhmja është e opozitës nëse ajo është konstruktive dhe i kam ë shumë parasyshë interesat e vendit se sa mëritë dhe përfitimet partiake”, ka thënë ai.

Tutje, Topalli ka shtuar se opozita duhet t’i kalojë kufijtë e interesit partiak

“Nuk është se opozita nuk po përcakton agjendën. Ne kemi një situatë kur as opozita e as pozita nuk e kanë shumicën parlamentare. Kjo e vështirëson situatën nga njëra anë, por nga ana tjetër krijon kushte që opozita të çoj përpara shumë çështje të cilat në Kuvend vinë si kompromise. Ne kemi organizuar më së paku konferenca për media, por natyrisht që ka hapsirë për më shumë. Që të jetë opozita më e suksesëshme duhet që të bashkëpunoj më mirë dhe, po e përsëris edhe një herë, ti kaloj kufinjët e interesit partiak”, ka përfunduar deputeti i PSD-së, Faton Topalli.

Gjykata Kushtetuese të ndëshkojë Thaçin

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deklaroi se prokuroria duhet ta ndjekë penalisht presidentin Thaçi kjo ngase ai ka shkelur ligjin dhe kushtetutën e vendit me deklaratat e tij.

Tutje, Bytyçi ka thënë se presidenti Thaçi duhet të ndëshkohet edhe nga opozita, qeveria, madje edhe nga ish partia e presidentit Thaçi.

Image
Enver Bytyqi

“Opozita, shoqëria civile, gjykata kushtetuese, prokuroria e shtetit, vetë qeveria e parlamenti, madje dhe partia më e madhe në pushtet e zotit Thaçi janë para një momenti historik: Të rezistojnë dhe ta mundin Hashim Thaçin në betejën për Kosovën, ose të nënshtrohen dhe t’i venë vilën e zezë vetes së tyre. Pra ose bashkëpunëtorë me Thaçin, Ramën e Vuçiqin, ose kundërshtarë të pakopromis në interes madhor të Kosovës dhe të shqiptarëve! Kjo është deviza. Kur përmenda gjykatën kushtetuese, ajo duhet ta shkarkojë presidentin e vendit. Kur përmenda prokurorinë, ajo duhet ta ndjekë penalisht Hashim Thaçin. Të dyja për shkak se presidenti Hashim Thaçi ka shkel ligjin dhe kushtetutën e vendit me deklarat e tij. Po të deklaroheshin kësisoj kundërshtarët e Thaçit, presidenti do të kishte urdhëruar ndëshkimin penal. Po për atë pse nuk paska ndëshkim?!”, ka përfunduar profesor, Enver Bytyçi.

Kujtojmë se , kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që të mos bëjë pazare me territorin e Kosovës. Përndryshe, Kurti paralajmëron shkarkimin e Thaçit me demonstrata.

“Nëse ky president nuk zbrapset nga kjo aventurë personale, me dëme kombëtare dhe nëse na i pamundësojnë zgjedhjet reja demokratike këtë vjeshtë, atëherë bëhen të paevitushme demonstratat e fuqishme gjithpopullore, të cilat do të na sjellin në Kosovë një vjeshtë të nxehtë, që do ta rris trysninë mbi këtë regjim”, tha Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes ka thënë se nuk e pranojnë asnjë marrëveshje që nënshkruhet ndërmjet presidentit të Kosovës dhe të Serbisë, sepse, sipas tij, presidenti Thaçi nuk ka legjitimitet as autorizim nga Kuvendi që ta përfaqësojë Kosovën në bisedimet me Serbinë.

“Bëhet fjalë për një mashtrim të ri, të një mashtruesi të vjetër. Nuk duhet t’i besojmë aspak sepse do ta vëmë veten të ulët ndaj tij”, theksoi Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat