Në shtator, Haradinajn e pret mocioni!

Politika

Në shtator, Haradinajn e pret mocioni!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 23 gusht 2018 Në ora: 09:14
Ramush Haradinaj

“Mocioni mos besimi nuk është harruar, as nuk do të harrohet, por tani për shkak të pushimeve nuk ka diçka konkrete. Pritet që në shtator kur fillon parlamenti atëherë të vazhdojë aktiviteti për mocionin e qeverisë. Çdo gjë është në pushim, mund të jetë ndonjë kush aktiv mirëpo tërësia është në pushim dhe ashtu siç vepron tërësia do veprojmë edhe ne”, ka deklaruar Kelmendi.

Kosova vazhdon të jetë nën qeverisjen e një qeverie të pakicës, kjo pasi koalicioni aktual ka humbur shumicën në Kuvend me daljen e Listës Serbe në opozitë.

Partitë opozitare patën qenë të pajtimit për organizimin e një mocioni mosbesimi kundrejt qeverisë, mirëpo pushimet kanë “pezulluar” mocionin e tyre.

Grupi më i madh parlamentar LDK, vazhdimisht kishte paralajmëruar se do të ndërmerrnin një iniciativë për ta rrëzuar qeverisjen aktuale dhe për këtë, përkrahjen ua kishin ofruar edhe dy partitë tjera opozitare, VV dhe PSD.w

Mirëpo, siç duket kjo qeveri do të vazhdojë ende dhe kjo për shkak të pushimeve verore dhe për shkak të mungesës së numrave për mocion.

Lidhja Demokratike e Kosovës kishte deklaruar se janë duke u përgatitur për zgjedhje të reja, kjo pasi që vendi është në krizë institucionale.

“LDK do të punojë në terren për tu përgatitur për zgjedhjet e ardhshme të cilat do të nxjerrin një qeveri legjitime”, thuhet në njoftimin e LDK-së, pas mbledhjes së tyre me kryetarët e degëve.

Ndërsa, mocion mos besimi, sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës do të ketë në shtator, atëherë kur fillojnë punimet e Kuvendit.

Mocioni në shtator

Image
Ramiz Kelmendi

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi, ka thënë për “Bota sot”, se mocioni i tyre nuk është harruar, prandaj pas pushimeve do të vazhdojnë për këtë çështje.

“Mocioni mos besimi nuk është harruar, as nuk do të harrohet, por tani për shkak të pushimeve nuk ka diçka konkrete. Pritet që në shtator kur fillon parlamenti atëherë të vazhdojë aktiviteti për mocionin e qeverisë. Çdo gjë është në pushim, mund të jetë ndonjë kush aktiv mirëpo tërësia është në pushim dhe ashtu siç vepron tërësia do veprojmë edhe ne”, ka deklaruar Kelmendi.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka qëndrim për rrëzimin e qeverisë, mirëpo sipas tyre, numrat nuk mjaftojnë për një gjë të tillë.

Opozita nuk i ka numrat

Ismail Kurteshi, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se mocioni vazhdon të jetë temë aktuale dhe e paharruar, mirëpo kuvendi nuk punon.

Image
Ismail Kurteshi

Ajo se çfarë është më e rëndësishme, sipas Kurteshit, është mungesa e numrave për rrëzimin e qeverisë.

Kurteshi ka treguar se janë në përpjekje për sigurimin e numrave për rrëzimin e qeverisë.

“Çështja e mocionit është përherë aktuale, por kuvendi momentalisht është në pushim, mocioni nuk është harruar, por kuvendi nuk punon. Ajo që është më e rëndësishme është që opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar qeverinë, qeveria nuk e ka shumicën e votave (61 vota), por as ne nuk e kemi shumicën për shkak të bojkotit të çuditshëm që është duke e bërë Lista serbe, kur atyre u konvenon, apo jo. Por, në momentin që opozita i bënë 61 vota për mocionin, sigurisht që ai do të aktivizohet dhe qeveria do të bie, deri atëherë ne mbetemi në nivelin e përpjekjeve të numrave të nevojshëm për rrëzimin e qeverisë, por aktualisht nuk ka asgjë”, ka pohuar Kurteshi për “Bota sot”.

Por, Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se janë duke tentuar të ndërtojnë një marrëveshje me partitë shqiptare në opozitë, duke shtuar se janë në diskutim edhe me deputetët e pushtetit për t’i bërë numrat.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për media vendore, ka thënë se Grupi Parlamentar i LDK-së i ka 27 vota të gatshme për ta votuar mocionin për rrëzimin e ekzekutivit aktual, të cilat, sipas saj, janë mbledhur para një muaji.

Ajo ka treguar se, opozita nuk llogarit në votat e Listës Serbe.

“Nëse i bëjmë llogaritë, atëherë e shohim se LDK i ka 27 vota, Lëvizja Vetëvendosje 19 dhe PSD 12, e që i bie se nuk janë të mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë. Por, presim votat e disa deputetëve të pozitës, të ndihmojnë ta rrëzojmë Qeverinë”, ka shtuar Osmani.

PSD akuza ndaj LDK-së dhe Vetëvendosjes

Mirëpo, partia Socialdemokrate është duke i akuzuar të dy partitë tjera opozitare, duke thënë se ata janë duke u angazhuar drejt përpjekjes së krijimit të përshtypjes se kinse PSD nuk ka gatishmëri për rrëzimin e qeverisë.

Shefi i Grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, përmes një statusi në “Facebook”, ka shkruar se ata kanë dorëzuar nënshkrimet për rrëzimin e qeverisë, mirëpo LDK dhe VV nuk kanë ofruar nënshkrimet e tyre.

“Në vend të angazhimit drejt bashkimit opozitar, në kushtet ku do t’i kishim 58 deputetë kundrejt pushtetit të pakicës; LDK dhe VV po vazhdojnë të angazhohen drejt përpjekjes së krijimit të përshtypjes se kinse PSD nuk paska gatishmëri për rrëzimin e qeverisë. Me 26 korrik, PSD i ka dhënë 12 nënshkrimet e deputetëve të saj për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. Sot, më 18 gusht – Asnjë nënshkrim nga LDK dhe VV! Pra, nuk janë as për orientim dhe mbikëqyrje të dialogut, as për rrëzim të qeverisë”, ka shkruar ndër tjerash, Sejdiu në profilin e tij social “Facebook”.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se nuk qëndron tek nënshkrimet rrëzimi i qeverisë, por te mungesa e numrave.

Vetëvendosja ka përsëritur se ata nuk janë të kënaqur me qeverinë dhe veprimet e saj dhe prandaj ata nuk janë të interesuar ta mbajnë në pushtet këtë qeveri.

“Vetëvendosja, besoj që edhe LDK-ja kanë përfaqësues të tyre që deklarohen për qëndrimet e Vetëvendosjes dhe të partisë tjetër. Ajo që thashë unë, është qëndrimi i Vetëvendosjes, ne jemi që ta rrëzojmë qeverinë, por na nevojiten votat, nënshkrimet është çështje e gjitha formale që mund të merren për një kohë jashtëzakonisht të shkurtër, por çështja është te sigurimi i votave. Vetëvendosja është deklaruar shumë herë që është e pakënaqur me qeverinë dhe me shumë veprimet e deritanishme që i ka bërë, prandaj ne nuk jemi të interesuar që këtë qeveri ta mbajmë në pushtet, arsyeja e vetme janë votat. PSD-ja nuk ka nevojë të merakoset për këtë çështje, kurdo që i bëjmë votat e nevojshme do të jemi si subjekt opozitar së bashku me subjektet e tjera opozitare”, ka deklaruar Ismail Kurteshi, deputet i Vetëvendosjes.

Ndërsa, partia Socialdemokrate vazhdon t’i konsiderojë këto vetëm fjalë dhe kjo për shkak të mos iniciativës së mocionit.

PSD ka dorëzuar 12 nënshkrimet

Image
Besa Baftiu

Deputetja nga radhët e partisë Socialdemokrate, Besa Baftiu, ka treguar se ata vazhdojnë të kenë qëndrim të njëjtë për qeverinë aktuale, por partitë tjera opozitare kanë vetëm fjalë.

“Më 22 korrik PSD gjegjësisht grupi parlamentar kemi dorëzuar 12 nënshkrimet  grupit më të madh parlamentare LDK për mocion të mosbesimit të qeverisë aktuale. Ne kemi të njëjtin qëndrim, por si duket partitë tjera opozitare LDK dhe VV kanë vetëm fjalë sepse nuk po ndërrmarrin iniciativën për mocion kundrejt qeverisë”, ka thënë Baftiu për “Bota sot”.

Me daljen e Listës Serbe nga koalicioni qeverisës, qeveria akutale ka mbetur pa shumicën në Kuvend, ndërkaq shumica minimale që i duhet një qeverie për të mbijetuar, është 61 vota të deputetëve nga 120 sa ka gjithsej Parlamenti i Kosovës.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare, sipas mandatit kushtetues, do të duhej të organizoheshin në vitin 2021, ndërsa që nga pas lufta, asnjë qeveri e Kosovës nuk ka arritur ta përfundojë mandatin e saj të rregullt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat