Shfrenimi i Presidentit

Politika

Shfrenimi i Presidentit

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 23 gusht 2018 Në ora: 12:08
Hashim Thaçi

Përveçse është duke punuar kundrejt vullnetit të popullit, presidenti Thaçi po zhvat atë ekonomikisht me darkat e tij të shtrenjta të shoqëruara me pije të brendeve botërore, me çmime askund të përshtatshme me jetën sociale në Kosovë, shkruan “Bota sot”.

Katër litra verë italiane ‘Amaron’ në vlerë prej 320 eurosh ka paguar shteti në faturën e datës 3 mars 2012 të nënshkruar nga Abelard Tahiri shefi i kabinetit të ish Kryeministrit, Hashim Thaçi.

Fatura e mesnatës së datës 3 mars 2012, i ka kushtuar arkës së shtetit 406 euro, ku 320 prej tyre janë shpenzuar në verë italiane. Veç 4 litrave verë, kjo faturë përmban raki dardhe ‘Viliamov’, levrek në grill, që kushton 10 euro, perrqini steak 3 copë nga 10 euro e 90 cent, respektivisht 33 euro dhe sallatë gorenje 4 copë në vlerë 16 euro. Po ashtu edhe 10 shishe ujë në total 20 euro. Këto shpenzime janë publikuar nga hulumtimet e mediave në Kosovë.

Në një drekë të vetme në kohën kur ishte Kryeministër, Hashim Thaçi dhe njerëzit me të cilët ai kishte drekuar kishin pirë hiç më pak se 10 litra verë të shtrenjtë Italiane.

Thaçi ka shkelur ligjet e shpenzimeve.

Profesori Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot” tregon mënyrën juridike dhe ligjore të shpenzimeve të presidencës, e sipas këtyre mënyrave, Thaçi ka shkelur ligjet e shpenzimeve.

Image
Muhamet Kelmedeni

“Natyrisht se çdo pushtet i ka edhe shpenzimet e veta të përcaktuara sipas shpenzimeve vjetore të këtyre mekanizmave që dalin para Kuvendit dhe për të cilat vendos. Kuvendi përmes ligjin mbi buxhetin e shtetit dhe i ndajnë mjetet e tilla për çdo sektor veç e veç. Në këtë drejtim janë të ndara mjetet për presidencë, ku natyrisht nuk janë mjete të caktuara në këtë drejtim ku ka shpenzuar presidenti Thaçi, nëpër darka, dreke, pije të shtrenjta. Ato shpenzime janë të përcaktuara për funksionim normal të presidencës dhe qeverisë, në drejtim të përfaqësimit të denjë jashtë Kosovës dhe ruajtjes së unitetit të popullit”, thekson Kelmendi.

Ai thotë se opozita përmes komisioneve parlamentare është dashur t’i hetojnë këto raste dhe të kërkojë llogari nga presidenti Thaçi.

“Në qoftë se kemi keqpërdorime të tilla, natyrisht është dashur hetimi parlamentar, në këtë rast opozita e Kuvendit që të merret me këto çështje, të kërkojë llogari nga presidenca për shpenzimet marramendëse që ka bërë dhe të kërkoj fatura për çdo cent të harxhuar”, potencon Kelmendi.
 
Uzurpatori Thaçi

Ndërsa publicisti Gazmend Islami, shprehet për “Bota sot”, se nuk janë befasi këto shpenzime të presidentit Thaçit, duke shtuar se ai është uzurpator i shtetit të Kosovës.

Image
Gazmend Islami

“Hashim Thaçi është kupa e krimit ekonomik, politik, njerëzor, pra nuk është ndonjë befasi e madhe që të dalin këto shpenzime marramendëse të tij sa ishte kryeministër i Kosovës. Ky e ka uzurpuar të gjithë Kosovën. Ky e ka shkatërruar të gjithë PTK-në, pra Thaçin mund ta përmbledhim me një fjali, koka e krimit në Kosovë. Mendoj se fundi i Hashim Thaçit do të jetë shumë shpejtë përmes Gjykatës Speciale, ku do të jap llogari për të bëmat e këqija ndaj këtij vendi”, ka thënë Islami.

Sipas tij, këto shpenzime të Thaçit, janë e keqja më e vogël që ka bërë ai gjatë gjithë periudhës sa ka qenë në krye të qeverisë.

“Këto shpenzime të Thaçit, janë e keqja më e vogël që ka bërë ai gjatë gjithë periudhës sa ka qenë nëkrye të qeverisë, Uroj që qytetarët ta kuptojnë një herë e mirë që duhet të ketë protesta gjithëpopullore, për të shkëputur të kriminalizuarit nga pushteti dhe t’iu ipet dënimi i merituar që të shkëputet shteti nga zinxhiri vrastar ekonomik, politik, social që është duke udhëhequr tash e 20 vite, përndryshe ky president nuk e meriton të rrëzohet nga vota e lirë, por nga dhuna qytetare”, thotë ai.

Asgjë për tu çuditur

Këtë e komenton për “Bota sot” edhe analisti politik Faik Krasniqi, i cili thotë se kjo klasë politike është kujdesur mirë për vetën e tyre sa i përket benifiteve të shfrenuara.

Image
Faik Krasniqi

“Kosova e pasluftës ka pasur vetëm Qeveri, Kuvend dhe Presidenca të njëpasnjëshme të luksit. Kjo klasë politike pa përjashtim është kujdesur mirë për veten e tyre sa i përket benefiteve, pagave të majme dhe luksit të shfrenuar. Por jo edhe për zhvillim ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve”, ka thënë Krasniqi.

Ai shton tutje se presidenti aktual, Hashim Thaçi ka ushtruar terror psikologjik ndaj popullit, e kjo sipas tij nuk është për tu çuditur.

“Padyshim që këtu nuk bën përjashtim as Presidenti Thaçi. Prandaj nuk çuditem fare që paranë e qytetarëve i keqpërdor për darka dhe pije alkoholike të shtrenjta, një klasë politike dhe një President që dy dekada janë duke ushtruar gjenocid dhe terror psikologjik ndaj këtij populli dhe duke i varfëruar ata”, theksoi Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat