Rugova reagon ndaj Haradinajt: Kujdes me deklarimet publike

Politika

Rugova reagon ndaj Haradinajt: Kujdes me deklarimet publike

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 23 gusht 2018 Në ora: 16:24
Naser Rugova

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e kishte quajtur “hajn” prokurorin e dorëhequr, Elez Blakaj, që po hetonte listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e madje ai ka thënë se rasti Blakaj po rrezikon marrjen e liberalizimit ë vizave për Kosovën.

“Shikojeni edhe një send unë jam kundër që ai që nuk e gëzon epitetin ‘veteran’ me qenë në lista por nuk jam që, ashtu qysh kam fol, një hajn, se ai është hajn, dhe a e dini pse ai është hajn, për do që po thonë jo është jo nuk është. Atij njeri krejt kushtet e mundshme për me kry punën e vet ia kemi dhënë. Çdo përkrahje të kryetarit të Qeverisë e ka pasur, ia kam dhënë zyrën teme, materiet që i kam në besim krejt lëndën ia kam dhënë, nëse ky është kërcënim, mohim i drejtësisë, nëse është mohim kini parasysh nuk është e vërtetë...Na jemi në proces të liberalizimit të vizave jemi në proces të bindjes së Bashkësisë ndërkombëtare që kemi rend dhe ligj qëky hajni na e ka qit pikëpyetje me e marrë liberalizmin e  vizave sepse po e akuzon një sistem...”, ka thënë Haradinaj.

Lidhur me këtë deklaratë, deputeti nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kryeministri duhet të jetë i matur me deklarimet e tij dhe se nuk duhet të ndërhyjë apo fyejë prokurorët.

“Së pari, kryeministri duhet të jetë i matur në deklarime, të përdorë komunikim adekuat me publikun dhe jo të flasë kështu si po flet, jashtë çdo norme qytetare dhe politike. Së dyti, ai nuk duhet të ndërhyjë, komentojë apo edhe të fyejë prokurorët sepse konsiderohet ndërhyrje flagrante në hetime dhe tek organet e ndjekjes”, është shprehur Rugova.

Sa i përket mundësisë që ky rast të ndikojë në mos liberalizimin e vizave, deputeti ka thënë se atë e rrezikon kjo qeverisje dhe jo prokurori Blakaj.

“Liberalizimin e vizave nuk e rrezikon prononcimi i prokurorit Blakaj por kjo qeverisje dhe ky mentalitet qeverisës më i keqi në 8 dekadat e fundit në Kosovë. Të tentosh të fshihesh dhe të fajësosh për deklaratën publike një prokuror se po rrezikon liberalizimin e vizave, tregon se sa e dobët, e paaftë dhe sa e mjerë është kjo qeveri”, ka vlerësuar Naser Rugova për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat