Harrohen Çakorri dhe Kulla!

Politika

Harrohen Çakorri dhe Kulla!

Hava Orana - Xhukolli Nga Hava Orana - Xhukolli Më 23 gusht 2018 Në ora: 19:46
Çakorri dhe Kulla e Zhlepit.

Kur ishte nënshkruar marrëveshja për votimin e Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvend, kryeministri RamushHaradinaj, premtoi se do të ketë rishikim të saj, gjegjësisht dy pikat, Çakorri dhe Kulla e Zhlepit. Por edhe pas gjashtë muajsh të këtij premtimi, një rishikim i kësaj marrëveshje nuk ka ndodhur.

Përfaqësuesit e politikës nga opozita thonë se një rishikim i tillë madje nuk do të ndodhë kurrë, ndonëse është premtuar. Po ashtu, edhe nga Komisioni për Demarkimin e kufirit thonë se janë në pritje të qeverisë për të punuar në këtë drejtim.

Ndërkaq nga Qeveria e Kosovës nuk e kanë komentuar fare këtë çështje nëse do të ndodhë rishikimi i marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

Bulliqi: Jemi në pritje të qeverisë

Image
Shpejtim Bulliqi

Kështu, kryetari i Komisionit për Demarkimin e Kufirit me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi në një përgjigje për “Bota sot”, është shprehur se janë në pritje të Qeverisë së Kosovës për trajtimin e kësaj çështje.

“Jemi në pritje të hapjes së rrugës për trajtim të çështjes nga qeveria. Ende nuk ka një lëvizje në atë drejtim. Po presim edhe ne”, ka thënë profesor Bulliqi.

Ndërkaq nga opozita thonë, se ky rishikim nuk do të ndodhë asnjëherë. Kryeministri Ramush Haradinaj e ka shfrytëzuar këtë për të ardhur në pushtet.

Zhurma e Haradinajt për pushtet

Image
Bajram Gecaj

Kështu mendon zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj. I pyetur nëse do të ndodhe rishikimi i kësaj marrëveshje, ai thotë se nuk do të ndodhë kurrë.

“Jo, kurrë. Kryeministri Haradinaj gjithë zhurmën e ka pasur për të ardhur në pushtet”, theksoi Gecaj.

Klinaku: Demarkacioni ka përfunduar

Image
Avni Klinaku

Po ashtu edhe sekretari i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, thotë se kjo çështje ka përfunduar me ratifikimin e saj në seancën e Kuvendit të Kosovës. Sipas tij, korrigjimet janë të mundshme vetëm në dy raste.

“Jo, nuk mund të ketë rishikim. Kjo çështje ka përfunduar me ratifikimin e saj në Kuvendet përkatëse. Por, ashtu siç edhe e parasheh marrëveshja për demarkacion, korrigjimet janë të mundshme vetëm për shkaqe të terrenit dhe "funksionalizimit" të kufirit”, deklaroi Klinaku për “Bota sot”.

Konsumi politik

Njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi thotë se ky premtim i kryeministrit Ramush Haradinaj pritet të shihet nëse do të rishikohet apo jo.

Image
Faik Krasniqi

“Ky ka qenë edhe premtimi i kryeministrit Haradinaj që brenda dy viteve do të rishikohet marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi. Por se a do të ndodh, mbetet të shihet më vonë. Unë personalisht mendoj që kjo çështje ka marrë fund”, theksoi Krasniqi.

Ai thotë se deklarimi i Haradinaj rreth demarkacionit, ka qenë thjeshtë për konsum politik, ndërsa tani është i obliguar që këtë çështje ta dërgoj deri në fund.

“Ai premtim për rishikim të marrëveshjes, ka qenë thjesht për konsum politik dhe qetësim të zërave kritik kundër kësaj marrëveshje që pretendohej se Kosova humb 8200 hektarë tokë. Sidoqoftë, kryeministri Haradinaj është i obliguar që këtë çështje ta çoj deri në fund, sepse ka qenë kritikuesi më i madh i kësaj marrëveshje dhe kauza e tij ''shpirtërore'', u shpreh Krasniqi.

Rreth dy muaj më parë, Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se i është kërkuar Malit të Zi që të nisen procedurat e rishikimit të demarkimit të kufirit.

Ai kishte deklaruar se pas ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend të Kosovës dhe njoftimit të fqinjit për këtë gjë, tash procesi duhet të vazhdojë me rishikim.

“E kemi informuar Malin e Zi për ratifikimin e demarkacionit, në të cilën përfshihet marrëveshja e dy presidentëve dhe raporti i Komisionit Shtetëror. Këto letra për procedura të tilla janë zakonisht standard, por kam kërkuar nga Qeveria e Malit të Zi që të nisim me procedurat e rishikimit të demarkacionit”, kishte deklaruar Haradinaj.

Më 21 mars të vitit 2018, me 80 vota për, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e demarkacionit u zhvillua nën tensione e masa të shtuara të sigurisë. Lëvizja Vetëvendosje tentoi që ta pengojë ratifikimin e demarkacionit përmes hedhjes së gazit lotsjellës. Hedhja e gazit lotsjellës dhe ndërprerja e seancës në katër rastet kur është provuar të votohet për ratifikimin e demarkacionit, ka sjellë si rezultat largimin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga salla e Kuvendit nga Policia e Kosovës.

Më 6 shkurt të këtij viti, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit.

Ndryshe, marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat