Skandali dhe abuzimi me UÇK-në

Politika

Skandali dhe abuzimi me UÇK-në

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 24 gusht 2018 Në ora: 20:30

Publikimi i skandalit të fundit me veteranë, është edhe një dëshmi tjetër e radhës, se komandantëve po u dalin gënjeshtrat dhe mashtrimet në shesh. Deklarata e fundit e ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, se numri i luftëtarëve ishte rreth 12.700, dhe skandali me manipulimin e listave dhe largimin e  prokurorit Elez Blakaj, ka zgjuar debate dhe polemika të ndryshme, jo vetëm në skenën politike por edhe tek qytetarët e vendit.

Njohësi e çështjeve politike dhe deputetët, vlerësojnë se skandali i listës së veteranëve shumë shpejt mund ta trondit skenën politike.

LDK në pritje të fakteve

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Naser Rugova ka thënë për “Bota sot” se LDK-ja është duke pritur faktet në lidhje me këtë.

Image
Naser Rugova

“Ne jemi të prirur t’ju besojmë fakteve, dokumenteve zyrtare të arkivuara, ashtu si në rastin konkret kur foli me fakte ish komandanti i SHP te UÇK dhe TMK –së Sulejman Selimi. Pra ai e konfirmoi se numri i ushtarëve sillet rreth 12700, por ai i demantoi të gjithë, madje dha edhe një mesazh të qartë për organet e drejtësisë”, është shprehur deputeti Rugova.

Fundi po u afrohet

Nga ana tjetër analisti politik, Faton Mehmeti ka thënë se këta që sot janë në pushtet, nuk kanë asnjë lidhje me luftën çlirimtare, pasi janë uzurpatorë të luftëtarëve të vërtetë.

Sipas tij, në emër të luftës të tillët arritën të bënin miliona pasuri dhe për t'i mbrojtur lekët e tyre, korruptuan gjyqtarët, prokurorët dhe çdo gjë që mund t'i ndalte.

Image
Faton Mehmeti

“Tanimë që fundi i tyre po afrohet, këtë të korruptuar po hahen në mes vete me idenë se sulmi është mbrojta më e mirë. E sot veteranët e vërtetë ndihen të turpëruar kur shohin se krahas tyre janë bërë veteranë njerëz që asnjë fishekë nuk e kanë shkrepur, por që kanë dhënë mijëra euro. Pra një dështim total i shtetit, i kapur nga banditë ordiner që në emër të luftës kapitalizuan shtetin. Akuzat e Sylejman Selimit janë të drejtuar më tepër ndaj Thaçit dhe Veselit, si kundër reagim që nuk e kanë mbrojtur, andaj edhe ndodhet në burg. Janë nxehur gjakrat në mes të ish komandantëve të cilët kanë filluar të shpëtojnë vetën, në prag të nisjes së furtunës së Gjykatës Speciale dhe faktit se më nuk mund të mbetën në pushtet”, ka thënë Mehmeti.

Ai po ashtu kaq vlerësuar se skena politike është në prag të shpërthimit, nga e cila do të pësojnë ata që me mashtrime arritën të futen në pushtet.

“Të gjithë këta pushtetar që bën krime dhe dallavere do ti mallkojë gjaku i atyre që vërtet dhanë jetën për atdhe”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Procesi mund të dështojë

Kurse njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani, është shprehur se kjo çështje nuk ka nevojë të politizohet pasi  është e qartë se duhet të dihet të bëhet dallimi veteran dhe luftëtar.

Image
Blerim Burjani

“Kjo është çështje ligji andaj shteti duhet të kujdeset për ata të cilët ishin luftëtar dhe sot janë të pa punë. Kjo kategori duhet të trajtohet, e treta është e qartë ajo që ka thënë më parë Agim Ceku, si  dhe tash Sylejman Selimi, ku secili prej këtyre zonave të dikurshme të luftës komandantet duhet të bëjnë listat reale objektive në mënyrë që mos të ketë përfitime pa bazë ligjore, pasi të gjitha po bëhen edhe skema të ndryshme sociale. Duhet të dihet se çka do të thotë luftëtar dhe kategorizime ligjore, kujdesi social. Kjo kategori kërkon rrogë apo pagë, pasi në shtetet tjera i punësojnë i shkollojnë dhe i risocializojn. Pra nuk është ideja vetëm  të kompensimi mujor, por të kenë  edhe një kujdes më ndryshe.”, ka deklaruar Burjani.

Ai konsideron se procesi do të dështojë sërish nëse nuk dihet shifra reale e luftëtarëve.

“Lind pyetja se si të i trajtojë një buxhet i varfër me 22 ministra dhe gati 80 zëvendës e gjithfarë koordinatoresh për kurrgjë hiq, kur dihet se duhet të ketë logjik shtetërore për ta ndihmuar ekonominë , sektorin privat si dhe për ta zhvilluar edukimin cilësorë”, theksoi Burjani.

Skandal kriminal

Ndërsa,  opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë se skandali me listat e veteranëve dhe manipulimi me numrin e tyre, përpos që është abuzim me vlerat e UÇK-së, është po ashtu një skandal i madh kriminal i subjekteve të ashtuquajtura "krahu i luftës".

Image
Nexhat Haziri

Ai vlerëson se ky keqpërdorim me këtë proces, nxjerrë në pah mentalitetin primitiv dhe të korruptuar të liderëve të këtyre subjekteve politike.

“Të tillët vlerat e luftës i kthyen si një mjet të korruptuar për ambiciet e tyre politike dhe hetimet e deritashme po i zhveshin nga legjitimiteti politik e demokratik. Dhe marrë parasysh këtë skandal, prokuroria e shtetit duhet ti shkoj deri në fund këtij hetimi, dhe ti nxjerrë para drejtësisë të gjithë të involvuarit në këtë ndërmarrje të përbashkët kriminale. Duhet urgjentisht të bëhet një hap i tillë, në mënyrë që vendi të shpëtojë nga një kastë politikanësh që janë në gjendje të abuzojnë me çdo vlerë në këtë vend, duke e rrezikuar kështu edhe funksionimin ligjor e demokratik të shtetit, vetëm sa për ta mbrojtur sundimin e tyre mafioz”, ka thënë opinionsti Haziri.

Kujtojmë se ish komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi deklaroi së UÇK kishte përafërsisht 12 mijë e 700 ushtarë, deklaratë të cilën e mbështeti edhe Jakup Krasniqi, ish zëdhënës i UÇK-së. Kurse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj insiston se UÇK kishte numër shumë më të madh të ushtarëve, deri tek shifra e përmendur mbi 38 mijë ushtarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat