Mbrojtja dëshpëruese e shifrave zmadhuese të “veteranëve”

Politika

Mbrojtja dëshpëruese e shifrave zmadhuese të “veteranëve”

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 26 gusht 2018 Në ora: 13:32
Foto ilustrim

Janë të një mendjeje *gjenerali* Haradinaj dhe gjeneral Agim Çeku se numri i luftëtarëve të UÇK-së, ka qenë i madh! Rrenë qoftë! Faktet janë kokëforta dhe flasin për të kundërtën. Personalisht kam shërbyer në Emergjencën e Luftës, në  krye  të një ekipi prej 25 vetësh, kryesisht, punonjës të Fabrikës *Etniku*, në Kurbin. Kemi pritur mijëra refugjatë, ikanakë të Kosovës, duke i strehuar nga Fushë Kruja, (16 km. nga Tirana), e deri në Shkodër.

Refugjatët e parë kanë qenë nga komuna e Deçanit, përfshi edhe Junikun me fshatra. Në mes tyre, shumë qindra burra e djem, të aftë për pushkë e luftë. Të gjitha përllogaritjet flasin për një numër modest, të gatshëm për luftë, të mbetur në atë zonë.

Bllokimi i popullatës të Lugut të Drinit, nga *komandantët* e Ramushit, të cilët e braktisën, i dhanë shansin armikut, për të ekzekutuar shumë burra dhe djem, fshatarë të pambrojtur.

Pykimi në pikat mbrojtëse, në rrugën Istog-Kaliçan, të djemëve, me një kallash kinez, përballë tankeve armike, ishte papërgjegjësi dhe krim i pritur. Sulmi armik i vrau të gjithë, madje, një nipit tim, nuk iu gjet as koka. *Komandantë* profanë e injorantë total, në fushën ushtarake, *komandonin* nga larg, *pa u hyrë ferrë në këmbë!*

Gjeneral Agim Çeku, duke qenë në krye të Komisionit Verifikues të Listave të Veteranëve, më saktë, falsifikues, deklaroi - *Ka të drejtë me konkurue gjithëkush që i ka kontribu luftës, edhe ujë nëse u ka jep me pi ushtarëve të UÇK-së*.

Kjo ishte thirrje e hapur për falsifikimin e *dëshmive të veteranit*. Ekipi ynë në shërbim të luftës, u kemi dhënë veshmbathje, ushqim, armë të të gjitha llojeve, megjithatë, asnjëri nga ne nuk gëzon statusin e veteranit!

Konstatoj se për karrierizëm neveritës, në Kosovë, shquhen Agim Çeku, i cili në kërkim të postit, i ka bredhur disa parti politike. Edhe në  këtë rast donte të bëhej ministër i veteranëve, qofshin ata edhe të rrejshëm! Andaj, edhe apelonte edhe për rritje fiktive të numrit të tyre.

Neveritës në karrierizëm janë edhe Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa, të cilët mbajnë në pushtet partinë/bandë e kriminale, PDK-në. Respekt për pasurinë dhe bizneset e Pacollit. Por, irrituese dhe amorale është zvarritja e tij pas posteve, duke u bërë pjesë e krimit.

Natyrshëm, hulumtova ecjen jetësore, shkollore e profesionale të Prokurorit Special, Elez Blakaj. Krenar për drejtpeshimin e tij njerëzor, moral e profesional. Mësuesit, profesorët, eprorët në praktikën juridike dhe, më tej, në punën profesionale, më folën në superlativë për atë.

Një fëmijë i mbarë, një shkollar premtues, një kuadër me përgatitje supreme, një Prokuror me personalitet dhe integritet njerëzor e profesional. Ky është profili i Prokurorit Special, Elez Blakaj. Të lumtë, djalë i Istogut, i Kosovës, i Shqiptarisë mbarë! Mirënjohje, respekt dhe mbarësi në çdo hap të hedhur, në shërbim të popullit, Kosovës, Kombit!

Ndërkohë, çfarëdo kërkim-falje e shpifësve falsifikatorë e rrugaçë, të tipit Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Aleksandër Lumezi, me lukuninë e tyre lehaqene, është e pasinqertë, hipokrite, e shpëlarë me fund.

Thirrja, deri në çjerrje, në *UÇK-në*, *në luftën e shenjtë*, e krerëve të PAN-it, është hipokrizi e cinizëm i vrazhdët. Askush më shumë se këta maskarenj e kriminelë, me vrasjet politike, me korrupsionin, hajninë zyrtare, haraçin e gjakosur, uzurpimet e pasurive të brezave shqiptarë, tjetërsimin e territorit të Kosovës, në favor të fqinjëve armiq, nuk e ka baltosur, përdhosur e dhjerë gjakun e dëshmorëve, të viktimave të luftës, sakrificën shekullore të popullit shqiptar.

Dorëheqja pa alternativë e trinomit-bandë dhe hetimi i tyre, së bashku, me e bandën e *gjeneralëve* dhe të *komandantëve*,  për vjedhjen zyrtare të shtetit, në rastin e falsifikimit të *dëshmive të veteranëve* si dhe largimi i bandës-PAN, nga pushteti, është nevojë akute dhe e domosdoshme, për frymëmarrjen e lirë të Kosovës tonë, të ngulfatur nga kriminelët, në emër të *luftës së shenjtë*, por, të pa bërë nga *komandantët* e rremë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat