Shahu tregon se kush mund ta ndalë Thaçin në shkëmbimin e territoreve me Serbinë

Politika

Shahu tregon se kush mund ta ndalë Thaçin në shkëmbimin e territoreve me Serbinë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 27 gusht 2018 Në ora: 20:58
Hashim Thaçi

LDK dhe PSD kanë bërë të ditur se do të jetë seancë të jashtëzakonshme në Kuvend, para datës së 7 shtatorit, e për këtë shpresojnë se do të gjejnë mbështetje edhe nga grupet tjera parlamentare.

Në këtë seancë, ata duan që të miratohet rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës. 

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se çështja e korrigjimit të kufijve e mjegulluar nga paqartësia dhe fshehtësia e Thaçit, ka sjellë pështjellime në opinion dhe sipas tij, askush nuk është kundër bashkimit të trojeve shqiptare, por askush nuk është dakord që të falim territor.

Image
Rexhep Shahu

“Çështja e kufirit të Kosovës, e korrigjimit apo ndryshimit të kufijve, e mjegulluar nga paqartësia e fshehtësia e Thaçit, po sjell pështjellime në opinion. Asnjë nuk është kundër bashkimit të trojeve shqiptare, kundër rritjes së sipërfaqes së Kosovës, as kundër bashkimit të shqiptareve. Por nuk besoj se ka shqiptar që është dakord që të falim territor shqiptar edhe më tepër se sa kemi jashtë hapësirave administrative të Kosovës e Shqipërisë. Nëse Thaçi bën kalorësin e zi dhe na shton territor, ne i ngremë një monument më të madh se të Skënderbeut”, është shprehur ai.

Sipas tij, Thaçi nuk mund të caktojë vija kufitare pasi këto gjithmonë bëhen nga pleq.

“Por nëse Thaçi për të qëndruar në pushtet bën pazare me Vuçiçin, ai duhet lidhë shkurt me kërpesh. Çështja e zhvendosjes së kufijve nuk besoj kurrë se është vullnet dy shtetesh, pasi kufiri vihet nga arbitra, nga pleq si gjithmonë. Ka shume gjak të derdhur në kufij dhe nuk besoj se ka fuqi Thaçi të caktojë vija kufitare apo të vendosë gurë kufiri”, ka theksuar Shahu.

Sa i përket mundësisë që LDK dhe partitë tjera ta ndalojnë Thaçin nga korrigjimi i kufijve, ai thotë se fuqi ka vetëm populli i Kosovës ta ndalë atë.

“Ndërsa sa i përket fuqisë së LDK-së dhe të tjerëve për ta ndaluar Thaçin, nuk e besoj se e kanë atë fuqi pasi LDK nuk funksionon më si një e vetme. Fuqi ka sot vetëm popullimi Kosovës me u ngritë dhe me e mbytë me pështyma presidentin nëse verifikohet se ai po bën pazare me territorin e Kosovës. Deri tani jemi në kuadër thashethemesh presidenciale. Dyshoj se politikanë të ndryshëm në Kosovë kane sot ndjeshmëri për Kosovën siç kanë ndjeshmëri për postet e pasuritë e tyre, më parë japin territor Kosove, se sa postet që kanë. Por thashë, jemi gjithmonë në kuadër thashethemesh presidenciale derisa nuk ka një dokument mbi të cilin të flitet”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat