“Korrigjimi i kufirit”, destabilizon Kosovën dhe rrezikon shtetësinë

Politika

“Korrigjimi i kufirit”, destabilizon Kosovën dhe rrezikon shtetësinë

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 28 gusht 2018 Në ora: 08:11
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, siç duket dëshiron ta përmbyllë idenë e kamotshme të Serbisë për ndarjen e Kosovës. Ai tashmë ka paraqitur idenë e tij, siç e quan “Korrigjim i kufirit”.

Në Kosovë, përveç presidentit Thaçi dhe ish- partisë së tij, PDK-së, nuk ka mbështetje prej partive tjera në pozitë, por as në opozitë.

Këtë ide të Thaçit e kundërshtojnë ashpër edhe qytetarët e Kosovës.

Edhe pse Thaçi i vetëm, përveç mbështetjes së PDK-së, idenë për ndarjen e Kosovës, dëshiron ta çon deri në fund. E kjo siç po duket nuk është edhe aq larg.

E Thaçi ka marrë hovin për ndarjen e Kosovës. Por, një ndarje e tillë, nuk mund të ndodh pa ndonjë luftë. Të paktën kështu thonë ekspertët e sigurisë, por kështu ka thënë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Megjithatë, mbetët të shihet epilogu përfundimtar për këtë çështje, në dialogun e Brukselit, por një është e sigurt, Hashim Thaçi, po dëshiron ta çojë deri në fund idenë ruso-serbe në dëm të Kosovës.

Maloku tregon rreziqet

Eksperti i sigurisë, dhe ish-komandanti i UÇK-së, Naim Maloku, mendon se, inicimi nga ana e Presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufirit apo këmbimin e territoreve me Serbinë, përveç që është antikushtetuese dhe antishtetërore, bartë në vete edhe rreziqe të paparashikuara për të ardhmen e Republikës së Kosovës.

Image
Naim Maloku

“Për mendimin tim është tepër e paanalizuar mirë dhe tejet idiotësi të mendohet që, edhe nëse ndodhë korrigjimi- këmbimi i menduar nga Thaçi, që Serbët që do të mbesin në jug të lumit Ibër do të rrinë duarkryq dhe të pajtohen me mbetjen e tyre brenda Kosove. Kush e mendon që serbët e komunave Graçanicë, Novobërdë, Kllokot, Partesh, Shtërpcë... do të pajtohen qetësisht dhe pa kërkesa shtesë për statusin e tyre, deri te shkëputja nga Kosova, ka gabuar rënd”, thotë Maloku për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se, ky do të jetë pra burim i destabilizimit total të brendshëm të Kosovës me pasoja të paparashikuara edhe për vetë ekzistencën e Kosovës shtet.

“Në një destabilizim të tillë faktori ndërkombëtar do të ndërhynte me forcë, që destabilizimi mos të reflektohej në rajon, dhe do të krijohej situata kur do të zhbëhej shtetësia e Kosovës dhe territori i saj, pa të gjitha komunat me shumicë serbe duke e përfshirë edhe Goren, të i bashkohet Shqipërisë. Ky skenar i filluar nuk ka gjasa të jetë ide e shqiptarëve dhe në dobi të tyre. Skenar dhe interes i Serbisë është ky”, potencon Naim Maloku.

“Lufta e pashmangshme”

Ndërsa, profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami thotë se, pas indikacioneve për shpalljen e autonomisë së veriut njësitë elite të KFOR-it amerikan e kryen “invadimin” në veriun e Kosovës, duke i “pushtuar” pikat strategjike dhe e morën nën kontroll të gjithë veriun e Kosovës.

Image
Avni Islami

“Atje kishte dyshime të bazuara se inteligjenca ruse dhe paramilitarët e tyre tashmë ishin të vendosur në veri, e në anën tjetër edhe institucionet e sigurisë së Kosovës, si Policia dhe AKI-ja, ishin në gjendje të lartë për menaxhimin e situatës dhe kontrollës”, thotë Islami për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se, atje saktësisht u pa se KFOR-i, e në veçanti Amerika ishte e vendosur që veriu i Kosovës të mos shkëputej me anë të dhunës.

“Ai ishte dhe mbetet testi më i sigurt se sa shqiptarët dhe KFOR-i janë të vendosur që të mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, pohon Islami.

Ai thotë se me ndarje të Kosovës, lufta do të jetë e pashmangshme.

“Pavarësisht deklaratave të presidentit Hashim Thaçi dhe zërave të tjerë për korrigjimin e kufijve, po të ndodhte diçka Kosova do të reagojë si tërësi ndaj armiqve të brendshëm dhe të jashtëm. Këtu as që mund të flitet për trazira, lufta do të jetë e pashmangshme. Kosova nuk ka tokë për të falur prandaj askush nuk guxon të mendoj për këtë”, thotë Avni Islami.

Kosova në rrezik të destabizilimit

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se, në situatën në të cilën gjendet Kosova që nga lufta e deri më tani, gjithnjë ka ekzistuar mundësia e eskalimit të situatës deri në destabilizim të plotë.

Ai e rikujton vitin 2004, kur u destabilizua situata politike deri në luftë.

“Në si shtet i brishtë që jemi, edhe që na e kanë njohur pavarësinë 116 shtete, megjithatë jemi larg stabilitetit politik ndërkombëtarë si dhe vendor. Është për t'u çuditur se si këta të mëdhenjtë e shtetit të Kosovës, e sidomos presidenti Hashim Thaçi, i cili në disa situata kur ishte për t'u lavdëruar si “unë ua pruna lirinë, unë e çlirova Kosovën”, e shumë të tjera, arriti të bëhej president i Kosovës dhe i shijoi të gjitha postet më të larta të shtetit brenda këtyre 18 viteve, e kur dihet qartë se LDK-ja e akuzon për të gjitha të këqijat gjatë dhe pas luftës e sidomos për vrasjet politike të aktivistëve të saj. Por pazaret që i bëri me këta të mëdhenjtë ia hiqi vetes një barrë, dhe më askush nuk po ia përmend vrasjet e anëtarëve të LDK-së. Ishte një ngarkesë e madhe kur u folke emri i Hashimit si urdhërdhënës për ato vrasje”, thotë Tërnava për gazetën “Bota sot”.

Image
Hajrullah Tërnava

Ai thekson se, në një vend normal bisedimet me Serbinë është dashur t’i udhëheq kryeministri, por presidenti po tregohet më i aftë sesa të gjithë të tjerët, pasi “ua ka hëngër kokrrat”. Sipas tij, Kosovën tashmë e pret rreziku i Gjykatës Speciale, andaj kjo po i rrinë varrë mbi supet e Thaçit dhe nuk është çudi nëse ia falë veriun Serbisë vetëm për ta shpëtuar vetën.

“Me këtë po dëshmohet se këtij kryetari, kur të i rrezikohet interesi, dinë me bë kompromise të dhimbshme pavarësisht dëmit që po i bëhet Kosovës. Bëhet pyetja pse të hyjë në këto biseda ky kryetar, kur me shpalljen e pavarësisë me 17 shkurt 2008, si bazament me kushtetutën e vitit 1974 si dhe 6 tjera Republika të ish-Jugosllavisë që u shkëputën si bazament me të njëjtën kushtetutë. Serbia pastaj u ankua në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe po i njëjti gjyq e konfirmoi të drejtën e Pavarësisë së Kosovës. Edhe marrëveshja e Kumanovës gjatë bombardimeve të NATO-së e nënshkruar nga vetë Serbia që e pranon kapitullimin e saj dhe humbjen e Kosovës, si dhe gjenocidin dhe dëmet materiale që i ka bërë Serbia në trojet tona e deri më tani as që është përgjigjur. Me mijëra të vrarë dhe të zhdukur, që deri më tani nuk dihet asgjë për fatin e tyre, e ky kryetar zhvillon biseda maratonike me Serbinë dhe del e flet për pajtimin mes dy shteteve do të jetë i dhimbshëm për dy shtetet. Këtu e keqja më e madhe është se nëse në të vërtetë ndodh falja e veriut, sepse në atë pjesë janë resurset kryesore të Trepçës e që dihet se vlerat e atyre resurseve janë shumë miliardësh, njëjtë është edhe me Ujmanin tonë, me rezervat ujore që i posedon Kosova e që pa të vihet në pikëpyetje ekzistenca e jonë”, thotë ai.

Sipas tij, ashtu siç thotë Thaçi nuk është e vërtetë se do ta marrim Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, kur dihet që Serbia në të kaluarën gjithnjë ka okupuar e copëtuar tokat shqiptare.

“Kosova do të rrezikohet gjithsesi nga trazirat gjithë popullore dhe destabilizim me përmasa të mëdha. Faktori ndërkombëtar, miqtë tanë veç po sinjalizon se nëse bëni ju marrëveshje mes dy shteteve ne nuk do të përzihemi, me një fjalë miqtë tanë nuk luftojnë sa herë që duam ne për qëllimet tona. Ata na kanë ndihmuar të çlirohemi prej një armiku shekullor, me përdorimin e armatimit më të sofistikuar e që ne tani duhet të dimë ta ruajmë tërësinë territoriale të Kosovës dhe sikur e shpjegon neni i parë i Kushtetutës se askush nuk ka të drejtë të ia falë askujt asnjë centimetër të territorit të Kosovës. E sikur të përmbaheshin këtij neni bisedat do të përfundonin vetëm me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat