Kërkohen protesta!

Politika

Kërkohen protesta!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 gusht 2018 Në ora: 10:34
Foto ilustruese

Veteranët e vërtetë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë duke shqyrtuar mundësinë e organizimit të protestave për shkak të numri të madh të veteranëve të rrejshëm.

Organizata e veteranëve të luftës së UÇK-së, ka thënë për “Bota sot”, se janë në kontakt me bashkëluftëtarët rreth mundësisë së organizimit dhe kundërshtimit të këtyre listave dhe nëse ka vullnet për të protestuar atëherë do të ndërmarrin hapat e nevojshme.

Ata i kanë bërë thirrje edhe qytetarëve që secili të protestojë, kjo për shkak se keqpërdoren edhe taksat e tyre duke përfituar njerëzit të cilët nuk kanë qenë në luftë.

Dorëheqja e prokurorit Elez Blakaj, ka risjellë vëmendjen e temës së listave të fryra të veteranëve.

Blakaj i cili kishte përgatitur aktakuzën për disa të dyshuar për fryrjen e listave, pas dorëheqjes ka pranuar se kishte marrë kërcënime për këtë aktakuzë.

Në aktakuzën e Blakajt, numri i veteranëve ishte rritur për 19 mijë duke marrë kështu pensione nga buxheti i shtetit.

Në disa raporte zyrtare për vitin 2017, pensione kanë marrë 36 mijë e 32 veteranë, prej tyre 34,529 ishin veteranë të UÇK-së, ndërsa 1503 ishin familje të veteranëve pas vdekjeve të tyre.

Ndërsa, në raportin e zëvendësministrit të punës Abdyl Imeri është bërë e ditur se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale aktualisht është duke paguar pensione për  39 mijë e 916 veteranë, prej tyre 38 mijë e 253 veteranë dhe 1 mijë e 663 familje të tyre.

Kjo tregon se për një vit numri i veteranëve që marrin pensione nga shtetit është rritur për 3 mijë e 884 veteranë.

Në bazë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, bazuar në gjendjen e muajit dhjetor 2017, numri i përfituesve nga skema e pensioneve për veteranët e luftës ishte 36,032.

Prej tyre, numri më i madh i përfituesve ishte në komunën e Deçanit me gjithsej 4,183 ose 12% e numrit të përgjithshëm.

Ndërsa, sipas tabelës që kishte prezantuar  zv. ministri tek Kryeministri janë 38 mijë e 253 veteranë që marrin pensionin dhe 1 mijë e 663 familje të tyre.

Mirëpo, ky numër për këtë vit është rritur për afër 4 mijë veteranë më shumë.

Flet Xhevdet Qeriqi

Xhevdet Qeriqi nga OVL- UÇK, ka treguar se ata nuk janë pajtuar që nga fillimi me komisioni qeveritar për njohjen e statusit të veteranit dhe kategorive të tjera dhe kjo për shkak që ata nuk kanë marrë për bazë arkivat.

Ai ka thënë se protestat e tyre në të kaluarën kanë qenë edhe për shkak të listave të fryera.

“Ne nuk jemi pajtuar qysh kur është formuar ky komision qeveritar, për njohjen e statusit të veteranit dhe të kategorive të tjera, për arsye se ky komision nuk e ka marrë për bazë asnjë dokument që ekzistojnë në arkivat e shoqatave të dalura nga lufta, po ashtu nuk e ka marrë për bazë as arkivin e Shtabit të përgjithshëm të TMK-së. Menjëherë pas publikimit të listave fillestare nga ana e këtij komisioni, kanë filluar edhe reagimet e veteranëve të UÇK-së, për parregullsitë dhe fryrjen e këtyre listave, me të kuptuar këtë fakt edhe ne si këshill kemi reaguar, duke organizuar edhe protesta rreth fryerjeve të këtyre listave, nëse nuk gaboj kemi organizuar dy apo tri protesta. Tash kohëve të fundit kemi reagime edhe të përfaqësuesve të Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, rreth fryrjeve të këtyre listave”, ka deklaruar Qeriqi.

Prokurori i dorëhequr Elez Blakaj, javën e kaluar kishte treguar edhe arsyet e dorëheqjes së tij nga posti i prokurorit special.

Blakaj i cili në letrën e tij ka implikuar kryeprokurorin Aleksandër Lumezin dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli, kishte pohuar gjithashtu se, ka qenë i kërcënuar si pasojë e rastit me të cilin po merrej, me atë të veteranëve të rrejshëm.

Ai ka thënë se kishte pranuar shumë thirrje e mesazhe të tilla si: “ki kujdes ku je hi”, “ki kujdes se po do mi njollos vlerat e luftës”, “pse a po të dhimbën paret e shtetit ty, a mos po t’i marrim ty”, “le, bonja si tjerët” etj.

Luftëtarët kanë humbur besimin

Duke i parë zhvillimet e fundit me prokurorin Blakaj, Qeriqi ka thënë se tashmë luftëtarët kanë humbur besimin e plotë në institucion.

Ajo çfarë është parë ditëve të fundit në media, sipas Qeriqit, dëshmohet se drejtësi në këtë vend nuk ka.

Image
Xhevdet Qeriqi

“Pas fillimit të hetimit të listave nga ana e Prokurorisë, ne jemi shprehur të gatshëm, të bashkëpunojmë me hetuesit që këto lista të pastrohen, kishim një shpresë se më në fund institucionet e shtetit do të merren seriozisht me hetimin e këtyre listave. Mirëpo pas ngjarjeve te fundit që ndodhen dhe pas dorëheqjes të prokurorit Blakaj, i cili deklaroi se ka qenë i kërcënuar gjatë kryerjes të punës të tij, rreth hetimit të këtyre listave, ka bërë që edhe ne si luftëtarë ta humbim besimin e plotë në këtë institucion. Ajo çfarë kemi parë këtyre ditëve të fundit në media, na e dëshmon se drejtësi nuk ka në këtë vend. Ky institucion e ka për obligim ligjor, t'i luftojë të gjitha dukurit negative, por në fakt po ndodhë e kundërta. Shqetësim tjetër është kur në media, ka deklarime nga përfaqësues të institucioneve, se ka pasur marrëveshje politike, për fryerjen e këtyre listave”, ka theksuar Qeriqi.

Nëse konfirmohen pretendimet e prokurorit të dorëhequr Blakaj se në listat e veteranëve janë mbi 19 mijë veteranë të rrejshëm, buxheti i Kosovës vlerësohet se është dëmtuar nga ata, mbi 22 milionë euro vetëm gjatë periudhës janar- korrik.

Xhevdet Qeriqi nga OVL- UÇK, ka kërkuar nga qytetarët të protestojnë për arsye që keqpërdoren taksat e tyre, gjersa ka treguar se janë në kontakt me bashkëluftëtarët rreth mundësisë së organizimit dhe kundërshtimit të këtyre listave.

Nëse ka vullnet për të protestuar, sipas Qeriqit, ata janë të gatshëm të ndërmarrin hapa në këtë drejtim.

“Ne jemi në kontakt me bashkëluftarët, jemi duke bashkëbiseduar rreth mundësisë së organizimit dhe kundërshtimit të këtyre listave, do ta analizojmë se a ka vullnet për të protestuar, nëse ka një vullnet dhe kërkohet një gjë e tillë, normalisht ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm që të ndërmarrim hapa në këtë drejtim, por një fakt që duhet ta përmendim është se në bisedat me secilin prej luftëtarëve të vërtetë të UÇK-së vërejmë një zhgënjim të thellë, në punën e këtij komisioni qeveritar. Mendoj se secili qytetar duhet të protestojë për arsye se po keqpërdoren taksat e secilit prej tyre, duke përfituar njerëz të cilët fare nuk kanë qenë në luftë”, ka shtuar Qeriqi.

Selimi tregon vërejtjet

Lëvizja Vetëvendosje kishte shprehur pakënaqësi për listat e fryra të veteranëve, ndërkaq duke folur rreth zgjidhjes së kësaj çështjeje, ata thonë se duhet të reagojnë ata që kanë mundësuar këtë katrahurë.

Image
Rexhep Selimi

Ish- ushtari dhe tashmë deputet i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka thënë se veteranët duhet ta kuptojnë vetë se nga kush e kanë problemin e listave të fryra.

“Veteranët duhet ta kuptojnë se nga kush e kanë këtë problem. Ata duhet të reagojnë, pikësëpari, sa herë rrezikohen interesat e vendit, por edhe kur rrezikohet imazhi i tyre prej luftëtarit. Prandaj, para se të reagojnë kundrejt "veteranëve mashtrues", ata duhet të reagojnë kundër atyre që e mundësuan një katrahurë të tillë siç është manipulimi deri në degradim i imazhit të luftëtarit të UÇK-së”, ka pohuar Selimi për “Bota sot”.

Ai ka treguar se ai ka pasur vërejtje për këtë çështje dhe prandaj edhe nuk ka aplikuar për statusin e veteranit.

“Unë personalisht, edhe në emër të bashkëluftëtarëve, por edhe në emër të grupit tim Parlamentar e kam ngritur këtë çështje në kuvend dhe në media shumë herë. Madje kam pasur edhe debate edhe me disa bashkëluftëtarë të mi edhe gjatë procedimit të Ligjit për Veteranët kur është proceduar ne Kuvend. Vërejtjet që i kam dhënë atëherë kanë dalur të jenë të drejta dhe tani po e shohim efektin që e pata  paralajmëruar. Si reagim ndaj parregullsive në procesin e verifikimit të listave të veteranëve unë nuk kam aplikuar fare për statusin e veteranit. Jo, se unë nuk e dua statusin e veteranit, por nuk kam dashur që me aplikimin tim t'i amnistoj gjithë ato parregullësi në proces”, ka theksuar Selimi.

Lëvizja Vetëvendosje do ta kundërshtojë qasjen e rritjes së numrit të veteranëve të rrejshëm si dhe do ta denoncojnë publikisht çdo ndërmarrje të shkeljeve ligjore në këtë proces.

“Poashtu, gjatë gjithë këtij procesi unë kam paralajmëruar se po rritet numri i veteranëve të rrejshëm deri në trefishim. Prandaj edhe tash e tutje do ta bëjmë të njëjtën gjë, do ta kundërshtojmë një qasje të tillë dhe do ta denoncojmë publikisht çdo ndërmarrje të shkeljeve ligjore në këtë proces. Por jo vetëm kaq!”, ka deklaruar Selimi.

Në letrën publike prokurori i dorëhequr Elez Blakaj, kishte përmendur edhe kryeprokurorin Aleksandër Lumezi, pasi që ky i fundit e kishte penguar në hetimin e listës së veteranëve të rrejshëm, dhe e ka kërcënuar me masa disiplinore kur ky ka planifikuar ta ftojë në cilësinë e dëshmitarit, kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli dhe për vazhdimin e rastit “Pronto”.

Për shkarkimin e kryeprokurorit Lumezi ishin mbajtur edhe protesta, por të pa efektshme.

Ish- ushtari i UÇK-së dhe ish- agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, ka thënë se veteranët e rrejshëm duhet t’i ndjekë prokuroria dhe shteti, mirëpo ai tashmë vë në pikëpyetje drejtësinë në Kosovë.

Kërkohet të protestohet

Miftari në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ish- ushtarët e vërtetë do të duhej të protestonin, mirëpo për këtë mundësitë janë të vogla.

Image
Naim Miftari

“Veteranët  e vërtetë dhe luftëtarët e luftës që nga pas lufta në Kosovë janë klasa më e shkelur dhe e përfolur e shoqërisë, pothuajse shumica janë edhe të varfër dhe sot pak ushtarë ka që i besojnë shtetit dhe drejtësisë me plot të drejtë. Sa i përket a duhet të dalin në protesta të protestojnë kundër etiketimit dhe fryrjes së listave të UÇK do duhej të protestonin, por mundësitë janë të vogla, pasi mungon organizimi i mirëfilltë i luftërave. Edhe OVL e këso organizata tjera që nga paslufta thirren në emër të mbrojtjes kinse të luftës janë dorë e pushtetit e korrupsionit dhe nuk e përfaqësojnë interesin e ushtarin dhe luftëtarit nuk e kanë përfaqësuar kurrë gjer më sot”, ka pohuar Mifari për “Bota sot”.

Ai OVL-në e konsideron si instrument trampolinë për fryerjen e numrit të luftërave, pasi sipas tij, ata kanë rënë nën ndikimin e korrupsionit dhe komandantëve të papërgjegjshëm.

Luftëtarët e vërtetë, sipas Miftarit, mund t’i bashkojë vetëm lufta me armiqtë e shtetit.

“Pikërisht këto OVL kanë qenë  instrumente trampolinë për fryerjen e numrit të luftërave duke rënë nën ndikimin e korrupsionit dhe komandantëve të papërgjegjshëm. Lidhur me dhjetëra mijëra veteranët politikë luftëtarët të rrejshëm duhet t’i ndjekë prokuroria dhe shteti, por bëhet pyetje cili shtet, cili prokuror guxon ta mbrojë ligjin dhe shtetin sot. Një shtet i kapur një drejtësi e kapur nën kontrollin e baronetave të katelave politike të para sistemeve mafioze në politikë nuk ka as shansë, as shpresë për sundim të ligjit në një shtet të tillë. Luftëtarët realë të luftës fatkeqësisht sot mund t’i organizojë dhe t’i bashkojë prapë vetëm LUFTA me armiq të shtetit tonë nëse vendi i jonë ka nevojë prapë për gjak dhe jetët tonë të luftëtarëve tonë ne do jemi prapë dëshmorë, invalidë dhe luftëtarë të atdheut pasi "luftëtar lindesh nuk bëhesh luftëtar "me gënjeshtra me para me interesa politike (këta veterantë gënjeshtarë do t’i gjeni në plazhet e Evropës dhe shumë larg vendit tonë)”, ka shtuar Miftari.

Aktakuza për veteranët e luftës është ngritur më 11 qershor, ndërkaq pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakaj, plotësimi i aktakuzës do t’i dorëzohet një prokurorit tjetër sipas sugjerimit të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat