Opozita “bllok” Hashim Thaçit!

Politika

Opozita “bllok” Hashim Thaçit!

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 29 gusht 2018 Në ora: 10:05
Hashim Thaçi

Ideja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për çështjen e kufijve, po konsiderohet si një aventurë e rrezikshme për vendin, që në të njëjtën kohë nxit edhe tensione.

E, kjo ide e kreut të vendit, ka bërë që të gjitha partitë opozitare të bëhen bashkë e të mobilizohet për të kërkuar një seancë të jashtëzakonshme me datën 4 shtator.

Opozita deklarohet se është kundër çdo marrëveshje që bëhet pa mandat të Kuvendit, duke paralajmëruar veprime për të penguar shkëmbimin e territoreve me Serbinë, pa lënë anash edhe protestat popullore.

Ndërsa, nga Organizata për Demokraci dhe Anti-Korrupsion, “Çohu“, shprehen të shqetësuar se edhe me tej nuk është krijuar një platformë e qartë e Kosovës, si shtet, për dialogun final më Serbinë.

LDK merr mbështetje nga VV e PSD

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se ka marrë mbështetjen nga VV-ja dhe PSD-ja për thirrje të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka theksuar se në këtë seancë do të propozohet për miratim rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës.

“Kemi marrë mbështetjen nga Vetëvendosje dhe nga PSD për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. Në këtë seancë do të propozohet për miratim rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës. Pazare me shtetin e Kosovës nuk mund të bëjë askush. Në ditët në vijim do të kërkojmë mbështetjen edhe të grupeve të tjera parlamentare, si dhe të shoqërisë civile”, ka deklaruar Hoti.

Bajram Gecaj: Kuvendi duhet t'i deligjitimoj këto manovrime

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Bajram Gecaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ashtu siç edhe është filluar iniciativa për ta ndalur Thaçin nga idetë e tij për shkëmbime territoresh nga grupi parlamentar i LDK-së, ashtu edhe duhet edhe të vazhdohet

Gecaj ka potencuar se Kuvendi i Kosovës duhet t'i deligjitimoj manovrimet jashtë kushtetuese të Presidentit.

Image
Bajram Gecaj

“Ne jemi Republike Parlamentare, prandaj Kuvendi është organi më i lartë i vendit. Ashtu siç edhe është filluar iniciativa nga grupi ynë parlamentar duhet edhe të vazhdohet. Pra, Kuvendi duhet t'i deligjitimoj këto manovrime jashtë kushtetuese të Presidentit”, ka thënë zyrtari i LDK-së.

Më tej, ai ka theksuar se mund të lejohet që një njeri i vetëm të mund t’i lëviz kufijtë, të cilat, siç thotë ai,  janë fituar me djersë e me gjak.

“Mund të konsiderohet gjithashtu që çështja të dërgohet edhe në Gjykatën Kushtetuese, por nuk mund të lejojmë që një njeri i vetëm të mund të na lëviz kufijtë të cilat janë fituar me mund, djersë e gjak”, ka përfunduar për gazetën “Bota sot”, zyrtar i LDK-së.

Ismail Kurteshi:  Nëse nuk e zgjidh Kuvendi, do t’i ftojmë qytetarët për protesta

Ismail Kurteshi, Sekretar Organizativ i Vetëvendosjes, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se partia e tij tashmë edhe publikisht është deklaruar se është e gatshme që të kontribuojë që edhe përmes institucioneve ta pengojë idenë e presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh me Serbinë.

Image
Ismail Kurteshi

“Lëvizja Vetëvendosje tashmë edhe publikisht është deklaruar se është e gatshme që të kontribuoj që edhe përmes institucioneve të bëjë përpjekje ta pengojë këtë ide shumë të dëmshme për vendin të presidentit Thaçi”, ka thënë Kurteshi.

Tuje, deputeti i Vetëvendosjes ka potencuar se nëse e para dështon, atëherë do t’i ftojnë qytetarët me një protestë gjithë popullore.

“Nëse kjo gjë nuk është e mjaftueshme, atëherë, ne kemi paralajmëruar se t’i ftojmë qytetarët me një protestë për të njëjtin qëllim poashtu thjeshtë ta pengojmë presidentin që me këto ide që burimin e kanë në Serbi për korrigjim kufijsh si ide të tij. Por, sidoqoftë ato janë të dëmshme për vendin dhe si të tilla nuk bëjnë të kalojnë”, ka potencuar deputeti  i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, për gazetën “Bota sot”.

Arton Demhasaj: Akoma nuk ka unitet

Organizata për Demokraci dhe Anti-Korrupsion, “Çohu“, vazhdimisht ka shprehur shqetësimin se edhe me tej nuk krijuar një platformë e qartë e Kosovës, si shtet, për dialogun final më Serbinë.

Arton Demhasaj, nga kjo organizatë, për gazetën “Bota sot”, ka bërë me dije se akoma nuk ka unitet të përfaqësimit në dialogun në Bruksel.

Image
Arton Demhasaj

“Mendoj se akoma nuk kemi unitet të përfaqësimit të dialogut në Bruksel, se a duhet presidenti Thaçi apo jo. Fillimisht akoma nuk është arritur ky kompromis se kreu i vendit duhet ta përfaqësojë Kosovën në dialogun final. E dyta, akoma nuk kemi parë një platformë të qartë të Kosovës, si shtet, pa marrë parasysh pozitë-opozitë, se cila është ajo platformë dhe çka po dëshirohet të arrihet prej kësaj”.

“Megjithatë, pika fundit, konkrete që është se a e pranojnë apo nuk e pranojnë partitë politike parlamentare idenë për shkëmbimin e territoreve, që ka dalë tani si ide nga presidenti Thaçi dhe presidenti Vuçiç. Pra, në asnjërën nga këto pika nuk është treguar një konsensus dhe unitet mbi këtë çështje”, ka thënë Demhasaj.

Ai thekson se, lidhur me këtë çështje, deri më tani nuk ka asgjë konkrete.

“Deri më tani nuk ka asnjë unitet prej këtyre pikave, pra s’ka as të përfaqësimit të dialogut, s’ka as për formën e dialogut, njëkohësisht as për temën konkrete që është shkëmbimi i territoreve me Serbinë”, ka theksuar Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci dhe Anti-Korrupsion, “Çohu”, për gazetën “Bota sot”.

Ndërkohë, kujtojmë se, presidenti, Hashim Thaçi, deri më tani, nuk ka asnjë përkrahje për korrigjim kufijsh – gjithë liderët janë kundër. Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Isa Mustafa, Fatmir Limaj, Albin Kurti, Bujar Nishani, Sali Berisha, janë disa nga liderët shqiptarë që kanë kundërshtuar fuqishëm idenë e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat