“Propozimi i Thaçit, ide me shumë të panjohura e shumë rreziqe”, kështu duhet të veprojë opozita

Politika

“Propozimi i Thaçit, ide me shumë të panjohura e shumë rreziqe”, kështu duhet të veprojë opozita

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 29 gusht 2018 Në ora: 21:08
Hashim Thaçi

Opozita ka dorëzuar sot kërkesën në kryesi të Kuvendit për seancë të jashtëzakonshme para datës së 7 shtatorit.

Këtë e ka bërë të ditur shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti. i cili ka thënë se duke parë vullnetin e deputetëve, rezoluta do të kalojë.

Lidhur me këtë seancë dhe rezolutën për ta ndalur presidentin, njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Abdullahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se propozimi i presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh ka shumë të panjohura, andaj duhet të ndalet sa më shpejt.

“Propozimi i Presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh është ide me shumë të panjohura dhe me shumë rreziqe për fatin e vendit tonë prandaj duhet të ndalet, sa më shpejt aq më mirë. Ka shumë të panjohura në këtë propozim të cilat Presidenti i mban të fshehura qëllimisht por edhe shumë të tjera që nuk mund t’i dijë as ai vet. Propozimi ka ngjallur konfuzion me elemente destabilizimi, i ka vënë në hamendësime shumë nga miqtë tanë ndërkombëtar dhe çka është gjithashtu e keqe ka eklipsuar të gjitha problemet e determinuara nga keqqeverisja aktuale me çka pushtetarët janë relaksuar për të vazhduar të vjetrën me të këqija të reja”, është shprehur Abdullahu.

Image
Faton Abdullahu

Sipas tij, seanca është përgjigje e mirë për një propozim të keq si ky i presidentit.

“Seanca e jashtëzakonshme për ta miratuar një rezolutë kundër këtij propozimi është përgjigje e mirë për këtë propozim të keq. Një rezolutë për ta mbrojtur Kosovën nga Presidenti dhe Presidentin nga vetja e tij”, ka vlerësuar ai.

Abullahu thekson se rezoluta do të kalojë, por nëse jo, atëherë opozita duhet të mendojë për veprime tjera paqësore.

“Nëse është për të gjykuar nga reagimet e përgjithshme rezoluta do të kalojë. Nëse kjo rezolutë nuk do ta ndalë hamshorinë politike të këtij propozimi, gjë që është e mundshme, opozita duhet të mendojë edhe për veprime të tjera institucionale dhe paqësore”, ka theksuar analisti politik.

Ai thotë se presidentit dhe piramidës së tij duhet t’i jepet leksion që të mos futet më në aventura të tilla politike dhe që opozita të na sigurojë që ai do të shkojë në pension për gabime të tilla.

“Marrë parasysh marrëzinë e propozimit mund të shpresohet se edhe forcat politike nga pozita do t’i kundërvihen këtij propozimi. Por kjo qasje nuk duhet të ndalet edhe nëse ndalet propozimi i Presidentit. Presidentit dhe piramidës së tij duhet t’i jepet leksion politik që të mos i bie ndërmend të na fusë prapë në aventura të tilla politike. E në këtë drejtim duhet shkuar deri në fund dhe opozita të na sigurojë që ai për gabime të tilla të shkojë në pension njëherë e përgjithmonë. Me unitet opozitar dhe pragmatizëm politik të pozitës kjo nuk është e pamundur”, ka përfunduar Faton Abdullahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat