Vendimi nga LIBE, sinjali i parë serioz se liberalizmit po i vije fundit

Politika

Vendimi nga LIBE, sinjali i parë serioz se liberalizmit po i vije fundit

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 30 gusht 2018 Në ora: 12:59
Ilustrim

Me 30 vota pro, dhjetë kundër dhe dy abstenime, Kosova mori rekomandimin për liberalizimin e vizave në Komitetin për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme – LIBE.

Eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, kërkoi votën pro duke thënë se Kosova ka bërë rrugë të gjatë deri në këtë hap, dhe se meriton heqjen e vizave.

Për këtë vendim nga LIBE, njohësi i çështjeve politike në vend, Mentor Tahiri, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se ky deri më tani është hapi më konkret për liberalizim të vizave dhe sipas tij ky duhet të shikohet si një hap teknik dhe jo rezultat i atmosferës politike.

Image
Mentor Tahiri

“Rekomandimi i dhënë nga LIBE, i pasuar pas një votimi ku pozitivisht votuan mbi 3/4-tat e anëtarëve, është deri tani hapi më konkret drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Njëkohësisht me këtë, opinioni dhe skena politike në Kosovë duhet ta shikojë rekomandimin nga ana e LIBE si një hap teknik dhe assesi jo si një vendim i cili vjen si rezultat i ndonjë atmosfere politike”, është shprehur ai.

Sipas Tahirit, Kosova nuk duhet të bëjë gabime naive sidomos në aspektin teknik sa i përket përmbushjes së kushteve për liberalizim.

“Lidhur me këtë, në periudhën në vijim, kur pritet që vendimi pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës të aprovohet edhe nga instanca tjera të BE-së, Kosova nuk guxon assesi të bëjë gabime naive sidomos në aspektin teknik të përmbushjes së kritereve të vëna nga BE”, ka vlerësuar ai.

Po ashtu, ai vlerëson se ky vendim i LIBE është sinjal se rrugëtimi i stërzgjatur i Kosovës për liberalizimin e vizave do të përfundojë si duhet.

“Veç tjerash, rekomandimi i dhënë nga LIBE pritet që të ketë ndikim pozitiv edhe në ngritjen e seriozitetit të institucioneve të Kosovës karshi obligimeve që sjellin lëvizjen e lirë. Rekomandimi nga LIBE përveç se një lajm i mirë, është edhe sinjali i parë serioz se rrugëtimi i stërzgjatur i Kosovës drejt liberalizimit të vizave, më në fund do të përfundojë si duhet”, ka deklaruar Mentor Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, pas votimit në Komision, procesi vazhdon në seancën plenare të Parlamentit Evropian që pritet të mbahet në mesin e shtatorit të këtij viti, pastaj në Këshillin e Ministrave e tutje. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat