Ujmani dhe Trepça në rrezik, ndarja do të shkatërronte ekonominë e Kosovës

Politika

Ujmani dhe Trepça në rrezik, ndarja do të shkatërronte ekonominë e Kosovës

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 1 shtator 2018 Në ora: 10:27
Liqeni i Ujmanit

Presidenti i Republikës së Kosovës, në kuadër të bisedimeve të Brukselit me Serbinë ka hedhur idenë e tij për “korrigjimin e kufijve”, e cila po konsiderohet si ide për ndarjen e territorit të Kosovës, apo shkëmbimit të territoret.

Kjo ndarje Kosovës do t’i kushtojë aq shumë si në aspektin territorial ashtu edhe në atë të mirëqenies në Kosovë.

Në kuadër të kësaj, Kosova mund të mbetet pa liqenin më të madh të saj, Ujmanin, liqe ky që i furnizon me ujë të pijes disa qytete në Kosovë, si Mitrovicën, Skenderajn, Vushtrrinë, Obiliqin por edhe Prishtinën.

Përveç kësaj, Kosova mund të mbetet edhe pa Trepçën, e cila është aseti më i vlefshëm i saj.

Miniera e Trepçës është shumë e pasur me minerale. Aktualisht në funksion është vetëm në një pjesë e saj nga e cila përfiton klasa politike e korruptuar.

Rugova: Kosova nuk do të ndahet

Image
Naser Rugova

Deputeti i Republikës së Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, thotë se Kosova nuk do të ndahet dhe do ta kundërshtojnë çfarëdo ideje që e cenon sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

“Së pari Kosova nuk bënë dhe nuk do të ndahet, kjo është e rregulluar me Deklaratë të Pavarësisë dhe me Kushtetutë, në këto baza na kanë njohur mbi 110 shtete, prandaj ne kundërshtojmë çfarëdo ideje që cenon sovranitetin, integritetin dhe rendin kushtetues të Kosovës”, thotë deputeti Rugova për gazetën “Bota sot”.

Kurti: Qëllimi kryesor është grabitja e aseteve më të vlefshme të Kosovës

Ndërsa, kryetari i Partisë Republikane të Kosovës, Prof. Faton Kurti, potencon që, me ndarje Kosova do ta humbte liqenin e Ujmanit dhe Trepçën, e cila do të sillte shkatërrim ekonomik.

Image
Faton Kurti

“Nëse ndahet Kosova jo vetëm që do të humbin pasurinë e pamat dhe potencialin e Trepçës por njëkohësisht do të humbasim edhe Liqenin e Ujmanit duke e vënë shtetin tonë në pozitë ekstreme jetike për burim uji.  Kjo sjell tensione shoqërore, lëkundje politike në Kosovë pasi shkatërrimi ekonomik do të ishte imediat”, thotë Kurti për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, qëllimi kryesor i Serbisë është grabitja e aseteve më të vlefshme të shtetit të Kosovës për të shuar ekzistencën e Kosovës.

“Dhe nëse llogarisim edhe komunat serbe më në brendësi të territorit të Kosovës presioni i jashtëm i Serbisë duke përdorur faktorin e brendshëm do të jetë i pashmangshëm duke pamundësuar pak nga pak vijimësinë e shtetmbajtjes së Kosovës. Ky propozim shahu në tavolinë nuk dëmton Serbinë përkundrazi minon njëherë e përgjithmonë sakrificat e bëra deri tani si dhe interesat shtetformuese dhe kombëtare të shqiptarëve. Pra qëllimi kryesor është grabitja e aseteve më të vlefshme të Kosovës dhe për të shuar kështu ekzistencën e Kosovës si shtet i pavarur”, pohon kreu i Republikanëve, Faton Kurti.

Krasniqi: Falja e veriut nënkupton edhe faljen e Trepçës

Image
Faik Krasniqi

Opinionisti dhe analisti politik, Faik Krasniqi thekson se, Serbia nuk futet në marrëveshje të tilla pa dalë fitimtare. Ai thotë se, Serbia pas kësaj do ta marr edhe Trepçën dhe Ujmanin, por nuk do ta jep përveç Preshevës as Bujanocin por as Medvegjën.

“Edhe nëse ndodh shkëmbimi, ajo do të na jap vetëm Preshevën me fshatrat e saj, meqë kjo komunë është e banuar me 99% shqiptarë, por jo edhe Bujanocin e Medvegjën. Kurse si shkëmbim ajo kërkon Veriun e Kosovës, deri tek Lumi Ibër në Mitrovicë. Falja e veriut nënkupton edhe faljen e Trepçës, kur dihet sepse në atë pjesë janë resurset kryesore të saj dhe Ujmanin, me rezervat ujore që i posedon Kosova dhe pa të vihet në pikëpyetje ekzistenca jonë. Në rast se ndodh ky shkëmbim, përveç humbjes së madhe në territor Kosova dëmtohet rëndë edhe në aspektin ekonomik”, pohon Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Burjani: Evropa, përmes kancelares gjermane, Angela Merkel, e ka thënë qartë se s’ka ndarje

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike dhe analisti politik Blerim Burjani, nuk beson që do të ketë bisedime për ndarjen e Kosovës edhe përkundër paralajmërimeve për këtë.

Ai thekson se nuk do të ketë as shkëmbim të territoreve, duke i quajtur këto lojëra të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“As Serbia nuk ka asgjë të qartë në këtë temë, madje as që po merret me këtë. Përveç pala serbe kur thotë se, duhet të fitojë diçka nga këto bisedime, përderisa nuk precizohet fare se çka dhe përmes ç’kafit, nuk ka ndarje të territorit edhe as korrigjim të kufijve, thjeshtë Hashim Thaçi e ka ofruar mundësinë, madje të gjitha i ka hapë për të normalizuar raportet me Serbinë”, thotë Burjani për gazetën “Bota sot”.

Burjani duke ripërsëritur se nuk do të ketë asgjë nga ndarja e territoreve, thotë se presidenti Thaçi kishte gatishmëri për të folur në emër të Kosovës pa e pyetur askënd.

“Brenda dhjetë ditëve, më as nuk do të përmendët kjo temë. Pra, po bëhen debate të panumërta në Kosovë pa e ditur qartë se çka a qysh? Por po ka shumë spekulime përderisa nuk ka kurrfarë gatishmërie të saktë nga Serbia, andaj këto gjëra mbetën vetëm në nivel debati. Evropa, përmes kancelares gjermane, Angela Merkel, e ka thënë qartë se s’ka ndarje e as nuk do të ketë. Ndërsa, SHBA-të, ua kanë lënë palëve nëse mbërrijnë marrëveshje, pra nuk ka këtu asgjë, por vetëm është një temë e nxitur për debat të kotë”, thotë ai.

Sipas tij, në Bashkimin Evropian askush nuk merret me këtë temë të shkëmbimit të territoreve apo korrigjimit.

“Ide të tilla, të tipit e bëjmë ushtrinë e Republikës së Kosovës me ligj, dhe fusnota, janë tipare të karakterit politik të këtij njeriu, i cili qet tema ose i harron pas një kohe ose ia bëjnë bajat”, përfundon analisti politik Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat