Thirrja e dëshpëruar për të pagjeturit

Politika

Thirrja e dëshpëruar për të pagjeturit

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 1 shtator 2018 Në ora: 12:55
Ata janë në pritje, që nga dita e parë që serbët ua morën më të dashurit e tyre.

Numri 1648 simbolizon dhimbjen për Kosovën. Asaj i mungojnë ende 1648 persona, të cilët u morën në mënyrë të dhunshme nga paramilitarët serbë gjatë luftës, u ekzekutuan dhe kufomat e tyre u zhdukën nëpër Serbi.

E Serbia, ende nuk ka dhënë llogari për fatin e këtyre personave.

Është mjaft e dhimbshme të kujtohet fakti se, deri më sot nuk ka pasur asnjë përpjekje serioze nga institucionet e Kosovës për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Këto raste, që përbëjnë një nga plagët më të mëdha të pasluftës, shpeshherë janë përdorur për qëllime elektorale.

Tani, në momentet kur po vendoset për shtigjet e ardhmërisë së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, çështja e të pagjeturve, por edhe krimeve të tjera të shkaktuara nga Serbia, është lënë në harresë.

Në vend të kësaj, teme jetike për familjarët dhe popullin, po bisedohet për korrigjim territoresh.

Dita ndërkombëtare e personave të zhdukur e gjeti Kosovën me mungesën e 1648 personave. Sikurse edhe viteve të kaluara, nuk munguan premtimet e udhëheqësve të shtetit se do të bëjnë çmos për zbardhjen e fatit të tyre, ani pse 364 ditë të tjera të vitit, kësaj çështjeje nuk i kushtohet aspak rëndësia e duhur.

Në anën tjetër, familjarët e të pagjeturve, tash e një kohë të gjatë kanë humbur shpresën dhe besimin tek politikanët.

Ata janë në pritje, që nga dita e parë që serbët ua morën më të dashurit e tyre.

19 vite më pas, ata kanë humbur besimin në përfaqësuesit politik të Kosovës, ndonëse kanë shumë fakte e dokumentacione, të cilat tregojnë se të afërmit e tyre janë ekzekutuar në komunat e tyre dhe kufomat e tyre janë depërtuar në drejtim të Beogradit.

Ndonëse, iu bashkuan marshit të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, familjarët e të pagjeturve nuk kanë besim e shpresë se këto institucione mund të bëjnë diçka konkrete në këtë drejtim.

Ky pesimizëm vërehej si në deklaratat, ashtu edhe në fytyrat e tyre.

E si të mos ketë dëshpërim, kur tash e 19 vite Serbia neglizhon zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, ndërsa Kosova e merr si të mirëqenë një gjë të tillë dhe pranon kompromise nga më të rrezikshmet e më të dhimbshmet.

Kush do ta kishte menduar, se me fatin e atyre që luftuan dhe humbën jetën për lirinë e Kosovës do të “luante” një klasë politike, aq e dobët dhe e zënë ngushtë nga Serbia në çdo aspekt.

Është momenti i fundit, që për fatin e të pagjeturve të jenë unik edhe ndërkombëtarët edhe vendorët.

E një gjë e tillë duhet të arrihet në dialogun e Brukselit, ku së shpejti pritet të arrihet marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat