Shkarkimi i Lumezit i hapë rrugë Vettingut të thellë në drejtësi

Politika

Shkarkimi i Lumezit i hapë rrugë Vettingut të thellë në drejtësi

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 3 shtator 2018 Në ora: 12:51
Aleksander Lumezi

“Tash për tash është e domosdoshme që sistemi prokurorial të këndellet në hapat e tij, duke shkarkuar fillimisht Kryeprokurorin e politizuar Aleksandër Lumezi, për të kaluar më pas në një tranzicion, i cili do të përgatiste procesin e Vetingut”, ka thënë Miftaraj.

Sistemi i drejtësisë në vend mund të pastrohet nga të korruptuarit dhe nga ish- bashkëpunëtorët e sistemit të kaluar, vetëm nëse Kosova i nënshtrohet Vettingut në sistemin e drejtësisë.

Ehat Miftaraj,  nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë për “ Bota sot”, se kritikat e vazhdueshme për ndikimet politike dhe të grupeve të interesit në punën e prokurorëve dhe sistemit prokurorial janë dëshmuar së fundi në publikun e gjerë nga vetë protagonisti i zbatimit të ligjit – prokurori special – Elez Blakaj.

Image
Ehat Miftaraj

“ Rasti i prokurorit special Blakaj, në rolin e zbatuesit të ligjit – si prokuror – dhe sinjalizuesit brenda sistemit prokurorial derisa ishte duke e trajtuar njërin prej rasteve më të mëdha dhe të ndjeshme pas përfundimit të luftës në Kosovë. Rreth rastit të veteranëve mashtrues, prokurori Blakaj, është përballur me sfida të shumta përfshirë këtu edhe kërcënimet e vazhdueshme dhe presionet e formave të ndryshme, për t’ia pamundësuar kryerjen e detyrës në këtë rast. Për më tepër, ndikimi politik në sistemin e drejtësisë, përkatësisht sistemin gjyqësor dhe prokurorial, theksohet vazhdimisht në të gjitha raportet më relevante vendore dhe ndërkombëtare me theks të veçantë Raporti i Progresit të Komisionit Evropian, Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, Freedomhouse etj", është shprehur Miftaraj.

Sistemi i drejtësisë ka nevojë për vetting të thellë

Ai ka vlerësuar se në këtë drejtim, një ndër indikatorët më të rëndësishëm që dëshmon këtë ndikim politik në sistemin e drejtësisë është besueshmëria e qytetarëve në punën e sistemin gjyqësor dhe prokurorial, e cila është ndër më të ulëtat pas përfundimit të luftës në Kosovë.

“IKD insiston në iniciativën e saj publike të rekomanduar tash e sa kohë, që është formuluar si politikë duke u bazuar në gjetjet e vazhdueshme të monitorimit sistematik, që sistemi i drejtësisë të përfshihet në një Veting të thellë, duke filluar prej Policisë, Prokurorisë dhe Gjyqësorit. Këtij procesi duhet t’i paraprijnë ndryshimet kushtetuese dhe më pas Ligji i Vetingut, për të cilat nevojitet vullnet politik në Kuvendin e Kosovës. Sidoqoftë, tash për tash është e domosdoshme që sistemi prokurorial të këndellet në hapat e tij, duke shkarkuar fillimisht Kryeprokurorin e politizuar Aleksandër Lumezi, për të kaluar më pas në një tranzicion, i cili do të përgatiste procesin e Vetingut”, ka thënë Miftaraj.

Ndërsa, Muhamet Kelmendi profesor  dhe njohës i çështjeve juridike ka thënë se pa vetting nuk ka shtet ligjor në Kosovë. 

Kelmendi: Pa Vetting nuk do të ketë kurrë shtet ligjor në Kosovë

Image
Muhamet Kelmendi

Duke folur rreth skandalit me kryeprokurorin e Kosovës, Aleksandër Lumezi, ku po kërkohet Vetting në polici, në prokurori dhe nëpër Gjykatat e Kosovës, profesor Kelmendi ka pohuar se këtë  mekanizëm për spastrimin e drejtësisë ka kohë që ai vetë e ka kërkuar.

“Nëpër punimet e ndryshme unë ka kohë që kam kërkuar dhe e kam dokumentuar me fakte çështjen e spastrimit të organeve të sistemit juridik nga forcat e ndryshme dhe kriminale në vend. Ka vite pra që unë kam sjellë fakte dhe tash përsëri po theksoj se pa Vetting nuk do të ketë kurrë shtet ligjor në Kosovë. Këtu mendoj se Vettingu duhet të mbështetet në disa fakte dhe ngjarje shumë domethënëse për vendin”, ka thënë profesor Kelmendi.

Ai ka vlerësuar se me Vetting nga kjo kategori njerëzish duhet të spastrohet policia, prokuroria dhe gjykatat.

“Duhet të spatstrohen të gjithë policët, prokurorët dhe gjyqtarët, apo njerëzit tjerë që kanë dhunuar shqiptarë para luftës, apo që kanë shërbyer në ish sistemin serbomadh pas ndërrimeve kushtetuese në vitin 1989 kur Kosovës iu hoq Autonomia. Të gjithë këtë të cilët kanë bërë vepra të tilla duhet të largohen nga organet e Kosovës dhe kundër tyre lypset të hapen hetimet penale për veprat kriminale që i kanë bërë ndaj popullit. Dhe nëse pyesim se përse? Përgjigja është shumë e thjeshtë pasi nëpër këto punë të regjimit fashisto serbo - jugosllav nuk janë lejuar të punojnë apo të mbijetojnë njerëzit e ndershëm. Aty pra kanë punuar vetëm kriminelët e betuar dhe shërbëtorët e regjimit shkatërrimtar ndaj shqiptarëve”, ka thënë Kelmendi.
 
Sipas tij, po ashtu duhet të kërkuar largimin e të gjithë atyre, që nuk janë në gjendje që pasurinë e vet të paluajtshme apo të luajtshme ta mbulojnë me të ardhura legale nga puna.

“Asnjë personi nuk duhet pranuar para hua apo ndihmat që gjoja populli i ka dhënë këtyre njerëzve. Asnjë polic, prokuror a gjykatës që mbanë edhe një pune tjetër jashtë punës zyrtare nuk duhet lejuar në këto institucione. Në këto organe, pasi pagat janë mjaft të mëdha dhe nuk ka fare nevojë për punë të dytë duke lënë punën si polic, prokuror a gjyqtarë në gjysmë në emër të honorarit. Po ashtu çdo subjekt fizik, policë, prokuror a gjyqtar, që në një mënyre apo në tjetrën e ka neglizhuar punën apo ka treguar dobësi në kuadër të lidhjeve shoqërore, lokale e familjare,nuk duhet të ketë vend në këto organe të shtetit. Pasi të gjithë ata që nga partia a pushteti janë dërguar në polici, në prokurori dhe në gjykata duhet të largohen nga organet e tilla të drejtësisë”, ka thënë profesor Kelmendi.

Vetting në të gjitha institucionet

 Ai konsideron se duhet të përzgjidhen kuadrot e kualifikuara, të pastra dhe memoral të shëndoshë të cilët e dëshirojnë shtetin tonë.

“ Arsyeja pse po i ceki edhe njëherë këto fakte është për të treguar rrugën nga duhet të shkojë Vettting-u. Nuk ka absolutisht asnjë fakt që të mos merren këto fakte si bazë për spastrim të Policisë së Kosovës, të Prokurorisë dhe të Gjykatave. Fillimi duhet të bëhet tek Aleksandër Lumezi dhe tek prokurorët e Prokurorisë Speciale, pikërisht tek  Millaku, Hoxha etj. Sepse pa e spastruar prokurorin nga prokurorët që janë të mbështjellë në vellon e fakteve të theksuara nuk ka hetime ligjore. Ky aktivitet kërkohet të shtrihet nëpër gjykata,e  sidomos në Gjykatën e Apelit, si dhe në Gjykatën Supreme, gjegjësisht aty  ku mendohet se ka element tëtillë”, ka thënë profesor Kelmendi.

Ai ka potencuar po ashtu se e përbashkëta e gjithë kësaj është spastrimi i strukturës komanduese të Policisë së Kosovës dhe të AKI-së nga elementet që vijnë ndeshur, apo që i kanë rrethanat e theksuara. 

“ Natyrisht ky është vetëm fillimi, sepse Vetting-u, duhet të vazhdojë edhe në institucionet tjera të shtetit, si nëpër parti, në Kuvend në ansamble e deri tek Administrata e Kosovës. Prapa nuk duhet të mbesin as komunat dhe as subjektet ekonomike shtetërore dhe publike. Pasi të gjithë e dimë se edhe atje ka korrupsion dhe krim. Andaj duhet urgjentisht një spastrim gjenerik “, është shprehur njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi.

 Tërnava: Duhet të pastrohen ata që kanë shërbyer në Shërbime të Serbisë

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë Hajrullah Tërnava ka deklaruar se Vetting-u është një çështje e spastrimit të sistemit juridik – drejtësisë.

Image
Hajrullah Ternava

“Kosovës i nevojitet një kuadër i ri me këto vlera, pasi duhet të ketë perspektivë të pavarur dhe me suksese ta udhëheqin sistemin e drejtësisë. Ndaj, të gjithë këtyre që tani gjenden në këtë sistem të drejtësisë, duhet udhëhequr hetimet për të kaluarën e tyre, si ato të korrupsionit, të pasurisë përfitimeve, mallverzimëve, mitos, dhe në përgjithësi të pastërtisë së tyre lidhur me krimin. Të gjithë ata që konstatohet se anë pasuruar në mënyrë të padrejtë dhe anti- ligjore, duhet të ushtrohet kallëzimi penal dhe të dënohen ashpër. Po ashtu, duhet të ju konfiskohet pasuria në tërësi, duke filluar nga ajo që është përfituar në mënyrë antiligjore. Posaçërisht duhet të pastrohen ata që në të kaluarën kanë shërbyer gjatë periudhës nga viti 1990 në shërbime të Serbisë, e deri në fund të luftës të cilët e dënuan popullin e vet, e  duke i përjetuar privilegjet e asaj kohe’, ka thënë Tërnava.

Për këtë arsye Tërnava ka thënë se, protestat në të ardhmen duhet të jenë masive dhe aty duhet të marrin pjesë shumica e popullit, pavarësisht partive politik.

“Në një protestë gjithë përfshirëse popullore shpesh të organizuara edhe pa ndërprerë, gjithsesi duhet të japin dorëheqje të gjithë të apostrofuarit, e në radhë të parë kryeprokurori Lumezi. E nëse masa kërkon edhe dorëheqjen të krejt qeverisë pse mos të ndodhë edhe kjo dorëheqje”, është shprehur Tërnava.

Shahu: Shqipëria shembull jo i mirë

Kurse analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se nëse Kosova do të ndjekë shembullin e Shqipërisë për Vetting apo për çfarëdo lloj gjëje që ka të bëjë me politikën dhe shtetin, ajo do të korrë humbje të shkëlqyeshme, ku do të fitojë dështime spektakulare.

Image
Rexhep Shahu

Sipas tij, Shqipëria është shembulli më i keq për Kosovën sa i përket shtet bërjes dhe politikës aktuale.

“Ato të këqija që lulëzojnë sot në politikën e Kosovës janë marrë si fara në politikën aktuale të Tiranës zyrtare ku sigurim-sat e djeshëm janë bërëindustrialista të sotëm që përdorin si kompani shërbimesh qeverinë e aktuale të Tiranës. Vetting-u i drejtësisë në Shqipëri është të caktojë qeveria ke të doje, të caktojë politika e ditës ushtarët e saj, që t'i shërbejnë. Kosova mund të ndjekë kënd do veç jo politikën e Tiranës për Vetting-un. Sepse nuk besoj se ka nevojë për protesta që të shkarkohet një prokuror i cili nuk është i zgjedhur me votë të drejtë për drejt të popullit”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat