Jashari flet për “60 mijë veteranët” dhe aktakuzën e Blakajt

Politika

Jashari flet për “60 mijë veteranët” dhe aktakuzën e Blakajt

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 3 shtator 2018 Në ora: 15:07
Xhavit Jashari

Prokurori i ri që do të merret me rastin e Veteranëve, tashmë ka javë që është caktuar pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakajt.

Por, numri i veteranëve vazhdon të komentohet dhe të mos dihet saktë sa kanë luftuar në Kosovë.

60 mijë veteranët nuk pranohen tashmë as nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ndërsa rrjedh pyetja se nëse do t’i kishte pasur 60 mijë ushtarë a do të ishin gjasat më të mëdha që ushtria serbe të mundej?

Ish- përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, Xhavit Jashari, duke u përgjigjur në pyetjen e lartpërmendur thotë se Kosova e ka fituar ushtrinë serbe.

Jashari shton se qytetarët duhet t’i gëzohen kësaj fitoreje.

“Ne ushtrinë serbe e kemi fituar patjetër. Unë si kundërpërgjigje tuajën jam duke treguar se kur e kemi filluar luftën në Prekaz të gjithë njerëz ndoshta 7 apo 8 veta kanë thënë “a jeni në mend se nuk luftohet me Serbinë” . Tani pavarësisht të gjithave ne Serbinë e kemi mundur. Unë mendoj se edhe prokuroria edhe institucionet, qytetarët edhe ata që e gëzojnë më së shumti lirinë dhe nuk kanë bërë asgjë për vendin, duhet t’i gëzohen kësaj. Delawie, institucionet e vendit dhe qytetarët e Kosovës duhet t’ia bëjnë një pyetje vetvetes prej atij që është  institucioni më i lartë deri te qytetari i thjeshtë për t’i pyetur si mund të jetojë veterani vetëm me 150 euro për 19 vite që i njihet një e drejtë sociale”, deklaron Jashari.

Njëri prej të përfshirëve në aktakuzën e Prokurorit Blakaj për fryrje të listave të veteranëve është edhe ish përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, Xhavit Jashari.

Ai thotë se prokuroria mund t’i kryjë punët e veta dhe për këtë askush nuk e pengon.

Jashari i inkurajon institucionet që t’i përfundojnë obligimet e tyre, por nuk ka dëshirë që çështja e veteranëve të bëhet politike, kur ka gjëra tjera më me rëndësi.

“Prokuroria mund t’i kryej punë e veta, askush nuk e pengon, asnjë prej atyre nuk e pengojnë, ne jemi këtu për punën tonë, të gjitha ato që i kemi bërë i përgjigjem çdo kujt dhe nuk është problem. Nuk është kjo çështje, ne i inkurajojmë institucionet qoftë të drejtësisë qoftë ato që përfaqësojnë vendin t’i kryejnë obligimet e tyre, por nuk kisha pasur dëshirë që të bëhet çështje politike çështja e veteranëve dhe vlerave të luftës, kemi gjëra më me rëndësi si ta zhvillojmë vendin, t’i njohim vlerat dhe t’i gëzojmë”, përfundon Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat