“Politika e Thaçit i krijoi favore Serbisë dhe çarje në komunitetin ndërkombëtar”

Politika

“Politika e Thaçit i krijoi favore Serbisë dhe çarje në komunitetin ndërkombëtar”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 3 shtator 2018 Në ora: 21:55
Foto ilustruese

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka shprehur mbështetje të plotë për arritjen e një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë, si kusht për sigurimin e paqes afatgjate në Ballkanin Perëndimor dhe për hapjen e perspektivës për anëtarësim në BE.

Këtë e ka bërë të ditur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas një bisede telefonike me Juncker, me të cilin ka biseduar dhe për liberalizimin e vizave.

Se a është marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, kusht për sigurimin e paqes në Ballkanin Perëndimor, eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se BE nuk dëshiron probleme të mëdha nga Kosova e vogël dhe Serbia shoveniste.

Image
Fadil Kajtazi

“Rëndësia e kësaj marrëveshje për BE është fakti i mos konsolidimit shtetëror të Kosovës dhe Serbisë. BE nuk dëshiron probleme të mëdha nga Kosova e vogël dhe Serbia shoveniste. Dhe fajtore për mos konsolidimin shtetëror të Kosovës është pikërisht Thaçi dhe koncepti i tij politik i instalimit në shtet të korrupsionit, krimit të organizuar”, është shprehur ai.

Kajtazi thekson se mënyra e qeverisjes nga Thaçi ka krijuar çarje të mëdha në komunitetin ndërkombëtar dhe kjo mënyrë e qeverisjes i ka krijuar favore Serbisë.

“Kjo mënyrë e qeverisjes sipas stilit Thaçi, arriti të krijoi çarje të mëdha në komunitetin ndërkombëtar i cili përkrahu krijimin e shtetit të Kosovës. Kjo mënyrë e qeverisjes i krijoi Serbisë favore që të bëhet hisetare në rrugën e integrimeve euroatlantike dhe të devijojë kursin që kjo rrugë të kalojë nëpër Beograd”, ka vlerësuar eksperti i sigurisë.

Sipas tij, paaftësia e Thaçit për ta qeverisur vendet në përputhje me standardet e BE-së është shqetësuese edhe për sigurinë e BE-së dhe presidentin e Komisionit Evropian, për çka ai ka shprehur shqetësim.

“Paaftësia e Thaçit për ta qeverisur vendin në përputhje me standardet që BE i ka vendosur për vendet e dala nga lufta dhe vendet që është bërë ndryshimi i sistemeve shtetërore, ka bërë që ai ta kamufloi veten në të ashtuquajturat tema të mëdha të cilat vendit po i rrezikojnë ardhmërinë. Natyrisht se kjo paaftësi qeverisëse është shqetësuese për sigurinë e BE dhe presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker me të drejtë ka shprehur shqetësim. Kjo lidhet edhe me gjendjen e vështirë ekonomike në Serbi dhe kaosin social atje si shkak i sundimit krimit dhe korrupsionit i cili është po ashtu i lidhur me shtetin dhe paaftësinë qeverisëse të klasës politike e cila ka prejardhje nga kuzhina millosheviqiane”, ka deklaruar Fadil Kajtazi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat