Prapa perdeve të idesë së rrezikshme të Thaçit për korrigjimin e kufijve

Politika

Prapa perdeve të idesë së rrezikshme të Thaçit për korrigjimin e kufijve

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 6 shtator 2018 Në ora: 07:09
Hashim Thaçi / Foto ilustrim "Bota sot"

“Meqenëse është zor të dihet se çka po bëhet prapa «perdeve» mund ta jep vetëm mendimin tim personal se shkëmbimi i territoreve është i rrezikshëm dhe na sjelle pyka të tjera serbomëdha në brendi të vendit tonë. Mendoj që ne duhet ta ruajmë Kosovën kështu siç është, në kufijtë e vitit 1974“, ka shtuar Kabashi.

Derisa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk zmbrapset ende nga ideja e tij për korrigjimin e kufijve, enigma mbetet se çka përmban në vete kjo ide e propozuar nga Thaçi.

Ky i fundit, përmes konferencave të tij të njëpasnjëshme vazhdon të thotë se është për ri konfigurim të territoreve, ngase vetëm në këtë mënyrë mundet që Kosova përsëri të ketë Preshevën, Bujanovcin dhe Medvegjen, mirëpo pa e bërë të ditur se çfarë do të jepet Serbisë.

Mirëpo, çka në të vërtetë fshihet prapa idesë së bashkimit të Luginës me Kosovën, nëse sipas Presidentit Thaçi nuk do të ketë ndarje?

Gazeta “Bota sot” ka kontaktuar publicist dhe njohës të çështjeve politike, ku ata njëzëri kanë theksuar se është kuvendi ai që duhet ta pengojë Thaçin, që ai të sillet me vendin sikurse të ishte pronë e tij private.

Kosova duhet të mbetet siç ishte në vitin 1974, shkëmbimi i territoreve sjell pykat serbomadhe në Kosovë.

Publicisti Bajram Kabashi në një bisedë për gazetën “Bota sot” ka thënë se ideja për ndarje nuk është e re dhe pas saj qëndron bashkëpunëtori i Serbisë, shteti rus.

Tutje, Kabashi ka theksuar se qytetarët e Preshevës duhet të kenë të drejta të barabarta sikur serbët në Kosovë, ngase këta të fundit jetojnë në racizëm pozitiv që gjë nuk ndodhë me qytetarët e Luginës.

Image
Bajram Kabashi

“Mendoj se ideja e ndarjes nuk është e re dhe historinë e saj duhet kërkuar qyshkur Serbia e ndoqi popullin Shqiptar prej Sanxhakut të Nishit e të Pirotit.  Serbia, duke e pasur Rusinë pas, e ka rrudhur tej mase hapësirën jetësore të kombit shqiptar, sa që sot çdo bisedë e këtillë na zgjon kujtime të hidhura nga e kaluara dhe na i kujton planet zhbërëse të Serbisë kah fundi dhe fillimi i viteve të ’90-ta , plane që nuk pushuan kurrë përderisa UÇK dhe NATO e çliruan në vitin 1999 Kosovën e kufijve të Vitit 1974 , kur Kosova i kishte kufijtë e qartë dhe politika e Krahinës Autonome të Kosovës "kollitej" ndaj çdo akti provokativ të Serbisë! Kështu ka ndodhur gjithnjë përderisa e rrënuan atë autonomi forcat pushtuese të Slobodan Milosevic, duke e krijuar dhunshëm të ashtuquajturën "Serbi Unike", që ishte fillimi i projektit mizor të krijimit të Serbisë së Madhe”, është shprehur Kabashi.

Ai ka kujtuar se, politika e Kosovës prej vitit 1999 e deri sot është sjellë me një triumfalizëm, që nuk ndihmoi fare, pasi nëse është dikush që e ka dëbuar forcën pushtuese serbomadhe nga Kosova, ajo ishte NATO-ja, përkundër mundit e përpjekjeve të jashtëzakonshme të UÇK-së.

“Serbia, duke e pasur SANU-n pas, (Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë) që vazhdimisht e ka ushqyer me «ide» politikën serbe, edhe pasi Kosova u çlirua pas një lufte të madhe, zhvilloj politika paralele, «pykë pas pyke» që t’i ofrohej Kosovës së çliruar, duke e zhbërë fillimisht «Marrëveshjen e Konçullit» që erdhi si rezultat i luftës së UÇPMB-së në Luginën e Preshevës, e duke e mbajtur , të thuash pushtuar, pjesën veriore të vendit. Në këtë vazhdë është edhe «asociacioni» një etnik i komunave serbe në Kosovën «multietnike», që nëse do të ketë kompetenca ekzekutive siç i duan serbët e dirigjuar nga Serbia, atëherë shteti i Kosovës nuk do të qetësohet kurrë nga «pykat» e vëna të serbëve vendës e kolonë të Kosovës. Mendimi im është që, megjithëse me vonesë të madhe, duhen riaktualizuar probleme të tjera brenda Serbisë e për ne Shqiptarët çështje mbi çështjet është që të kërkohen me ngulm e pa e bërë asnjë lëshim të drejta të njëjta për Shqiptarët e Luginës së Preshevës, të tilla çfarë do të kenë serbët në Kosovë” ka thënë ai.

Publicisti Bajram Kabashi, ka theksuar se, shkëmbimi i territoreve mund të na sjell pyka serbomadhe brenda vendit tonë.

“Trajtimi i serbëve të Kosovës edhe me tej si të veçantë në bazë të ashtuquajturit «diskriminim pozitiv», është racizëm i pastër që më parë se ata e mbanë të zgjuar shpresën e Serbisë për t'u kthyer në Kosovë sërish si pushtuese, përderisa në Luginën e Preshevës aq shumë keqtrajtohen shqiptarët e atyshëm, të cilëve u krijohen rrethana të papërballueshme shtetërore që të mos kenë rrugëdalje tjetër pos që ta braktisin dhunshëm vendin e vet, ose të islamizohen në kohën kur nuk ua lënë asnjë abetare për nxënësit atje vetëm e vetëm që të mos ndihen shqiptare të ndërgjegjshëm! Në gjithë këtë fushatë të koncentruar antishqiptare të Serbisë, që vazhdon të jetë mohuese e vendosur e gjithçkaje shqiptare në hapësirat autoktone të popullit shqiptar, është trishtuese se si Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës heshti e vazhdon të heshtë ndaj mësymjeve të parreshtura për zhbërjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë”, ka nënvizuar ai.

Thaçi krijoi huti te qytetarët

Ndërkaq, pyetjes tonë rreth të vërtetës “së heshtur” , për korrigjim «kufijsh», Kabashi i është përgjigjur:

“Meqenëse është zor të dihet se çka po bëhet prapa «perdeve» mund ta jep vetëm mendimin tim personal se shkëmbimi i territoreve është i rrezikshëm dhe na sjelle pyka të tjera serbomëdha në brendi të vendit tonë. Mendoj që ne duhet ta ruajmë Kosovën kështu siç është, në kufijtë e vitit 1974“, ka shtuar Kabashi.

Gjithashtu, Kabashi ka thënë se deklaratat e Thaçit gjatë gjithë kësaj kohe kanë krijuar huti në të gjithë vendin tek gjithë populli shqiptarë.

”Bisedat e deritashme me Serbinë nuk kanë qenë të barabarta , pasi janë zhvilluar nga ana e një shteti si Serbia dhe një shteti që Serbia ndikoj të identifikoj si shtet i papërfunduar, një Kosovo*, me një * pas , d.m.th., sipas tyre një kuazishteti që nuk e lejoji të stabilizohej me provokime të pareshtura që nga paslufta . Druaj që bisedimet e këtilla mund të kenë pasoja fatale për Kosovën , nëse Bashkimi Evropian nuk na trajton njësoj, duke mos i lejuar më tej presionet e Serbisë që e ka instrumentalizuar minoritetin serb dhe e le të destabiluar shtetin e Kosovës me serbët lokal, qoftë në veriun e vendit apo brenda Kosovës. Pra , mendimi im personal është që Lugina e Preshevës në Serbi ti ketë të gjitha të drejta që i kanë serbët në Kosovë me garancione ndërkombëtare për ta, njësoj si për serbët në Kosovë.  Jo që unë nuk kam dëshirë që ata t’i bashkohen trungut të vet kombëtar, Kosovës, por i tillë është realiteti , të cilin e njohin edhe poltikanët e përgjegjshëm të Luginës së Preshevës , të cilët e kanë thënë disa herë se nuk duan parcializim të zgjidhjes së cështjes së tyre dhe nuk duan ta dëmtojnë tërësinë e integritetit territorial të Kosovës”, ka potencuar ai.

Në kuadër të kësaj, sipas Kabashit, deklaratat e Hashim Thaçit, gjatë gjithë kësaj kohe kanë krijuar probleme të mëdha e huti në gjithë vendin, tek gjithë populli shqiptar.

“Askush nuk e din me siguri se a ka hyrë në bisedime të tilla "misterioze" krye më vete apo duke i qëndruar forca ndërkombëtare pas. Kujtoj, se Kuvendi i Kosovës urgjentisht duhet ta pengoj që ai të sillet me vendin sikurse të ishte prone e tij private. Ai dikujt , nëse jo gjithë opinionit publik shqiptar , duhet t'ia bëjë të ditur se për çka është duke biseduar me Serbinë “ ka përfunduar publicisti, Bajram Kabashi për gazetën “Bota sot”

Image
Sefedin Krasniqi

Amerika vendos për territorin e Kosovës, Thaçi dëshiron ta mbajë vetën sa më larg Gjykatës Speciale

Publicisti nga diaspora, Sefedin Krasniqi në një bisedë ka thënë për gazetën “Bota sot” se Thaçi me këto skandale të njëpasnjëshme po detyrohet të mbajë vetën sa më larg Gjykatës Speciale.

Krasniqi ka shtuar se duke krijuar një zhurmë artificiale, presidenti Thaçi do të mundohet ta detyrojë, me ndihmën e ndërkombëtarëve, Parlamentin e Kosovës ta votojë “Zajednicën” sipas nënshkrimit që e ka vënë në marrëveshjen me Daçiqin në Bruksel, e cila “Zajednicës”, do t'i jepte kompetenca të pushtetit të tretë në Kosovë.

“Unë jam i bindur se asgjë s'do t'i jepet Serbisë as nuk do t'i merret, sepse askush nuk e ka atë mandat. Territorin e Kosovës as nuk e kemi çliruar ne as nuk jemi të zotët, sot për sot, ta mbrojmë. Pas shumë skandaleve për ta shtyrë Gjykatën Speciale duke filluar nga Kumanova, demarkacioni i zhurmshëm me Malin e Zi, që zgjati më tepër se duhej dhe rezultoi me rrëzimin e qeverisë së LDK-së, kërkesa e "veteranëve" për ta shfuqizuar Specialen me destabilizim të Kosovës dështuan. Tash, e vetmja mënyrë për ta shtyrë deri në mars të vitit të ardhshëm është aktivizimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe, nëse arrihet, aktivizimi i shqiptarëve të Maqedonisë, duke aktivizuar Menduh Thaçin. Duke krijuar një zhurmë artificiale, presidenti Thaçi do të mundohet ta detyrojë, me ndihmën e ndërkombëtarëve, Parlamentin e Kosovës ta votojë Zajednicën sipas nënshkrimit që e ka vënë në marrëveshjen me Daçiqin në Bruksel, e cila Zajednicës do t'i jepte kompetenca të pushtetit të tretë në Kosovë. Kjo do të thotë një autonomi për serbët edhe de jure, sepse de fakto e kanë dhe janë duke e ushtruar siç po iu konvenon.

Problemi “Zajednicë”

Sipas tij, e mira e gjithë kësaj zhurme është internacionalizimi i problemeve të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

“E mira e gjithë kësaj zhurme për korrigjim të kufirit është një internacionalizim më i madh i problemeve të shqiptarëve të Luginës, të cilëve Serbia e Vuçiqit do t'ua jepte me dëshirë më shumë të drejta nëse para pranimit në BE, kjo nuk i kërkon të njëjtat të drejta sikur për serbët në Kosovës dhe për myslimanët e Uglaninit si dhe të 500.000 gjermanëve të shpërngulur me dhunë nga Vojvodina pas luftës së dytë. Në këto rrethana, kur Serbia, po mundohet me të gjitha forcat të sigurojë një dalje më të lehtë në Adriatik, nëpërmes autostradës Nish-Prishtine-Durrës, është naive të besohet se do t'ia jepte Kosovës Luginën një copë të autostradës dhe lidhjes hekurudhore që i mundësojnë një dalje të vështirë me Greqinë (Selanikun)”, ka thënë ai.

Tutje, Krasniqi ka shtuar se Kosova është projekt amerikan dhe pa pëlqimin e saj nuk mund t’i falet asgjë Serbisë.

“Edhe gjelat e dinë se as me luftë nuk mund e marrin Kosovën Lindore, e si është e mundur që aq lehtë Serbia lejon të copëzohet me dëshirë. Ajo ende e ka në kushtetutën e saj Kosovën si pjesë të Serbisë. E çka mund t'i japim Serbisë? Asgjë, sepse nuk kontrollojmë asgjë. Me një fjalë, duhet t'i bindim gjithqysh amerikanët që ne si komb, për SHBA jemi më besnik se sa serbët. Deri tash e kemi dëshmuar, sidomos pas viteve të 90 e deri sot. Kjo është trashëgimia që na e ka lënë Rugova, "miqësi të përhershme me Shtete e Bashkuara të Amerikës". Përndryshe, Kosova është projekt amerikan dhe pa pëlqimin e saj, as s'mund t'i falim diçka Serbisë as nuk mund të bashkohemi me Shqipërinë”.

Sipas tij, duke siguruar më shumë të drejta për shqiptarët e Luginës, Thaçi po mundohet të arsyetojë gabimin e vet me nënshkrimin e marrëveshjes për Zajednicën dhe ta shtyjë sa më larg Gjykatën Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat