Listat e fryra të veteranëve, faqja e zezë e komandantëve

Politika

Listat e fryra të veteranëve, faqja e zezë e komandantëve

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 6 shtator 2018 Në ora: 12:10
Foto ilustrim "Bota sot"

“I kemi hulumtuar arkivat në Uashington dhe Kosova kurrë nuk ka pohuar që ka pasur me shumë se 15.000 luftëtarë të UÇK-së. Është marramendëse se si numri i përfituesve, 20 vjet pas konfliktit, po rritet e nuk po zvogëlohet. Shkurt, nuk po del llogaria”, ka thënë ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie.

Nëse Kosova do t’i kishte 60 mijë ushtarë, nuk do të kishte nevojë për intervenimin e NATO-s për ta mundur Serbinë, thonë analistë dhe ish-ushtarët e UÇK-së.

Ata i konsiderojnë të hiperbolizuara shifrat e ushtarëve të Kosovës, gjersa kanë shtuar se nëse do të ishin ata luftëtarë edhe qyteti i Nishit do të ishte çliruar në vitet 1998-99.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, numri i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka shkuar duke u rritur e jo duke u zvogëluar.

Fillimisht ishte thënë se kanë qenë 40 mijë, ndërsa tani numri i tyre ka shënuar rritje në 60 mijë.

Deklarata e ambasadorit Delawie

Zhvillimet e fundit për numrin e veteranëve kanë sjellë reagimin e SHBA-së, duke thënë se bazuar në arkiva, Kosova nuk ka pasur më shumë se 15.000 luftëtarë.

“I kemi hulumtuar arkivat në Uashington dhe Kosova kurrë nuk ka pohuar që ka pasur me shumë se 15.000 luftëtarë të UÇK-së. Është marramendëse se si numri i përfituesve, 20 vjet pas konfliktit, po rritet e nuk po zvogëlohet. Shkurt, nuk po del llogaria”, ka thënë ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie.

Analistët politikë thonë se ndryshimi i numrit të veteranëve dhe manipulimet me listat kanë ndikuar në humbjen e besimit ndërkombëtar, ndërkaq kjo paraqet rrezik për Kosovën dhe imazhin e saj ndërkombëtarisht.

Image
Nexhat Haziri

Haziri: Këta liderë kanë humbur besimin e miqve ndërkombëtar

Nexhat Haziri, analist politik, i “fajëson” liderët shtetërorë të Kosovës që vijnë nga i ashtuquajturi “krahu i luftës”, për shkak të skandalit me lista të fryra.

Këta liderë tashmë kanë humbur besimin edhe nga miqtë ndërkombëtarë, ka thënë Haziri, gjersa ka shtuar se kjo paraqet rrezik.

“Skandali me listat e fryra të veteranëve është shndërruar në një skandal mjaftë shqetësues që tashmë ka dalë edhe në rrafshin ndërkombëtar, jo vetëm në opinionin vendor. Si i tillë natyrisht që ka marrë vëmendjen edhe të ambasadorit amerikan Delawie, por edhe fondit ndërkombëtar për financim dhe institucioneve të tjera dhe medieve ndërkombëtare për këtë mashtrim të madh që u tentua t’i bëhet Kosovës dhe qytetarëve të saj nga liderët shtetërorë të Kosovës, që vijnë nga të ashtuquajturi "krahu i luftës". Dhe kjo nënkupton se këta liderë tashmë kanë humbur besimin edhe nga miqtë ndërkombëtar dhe kjo paraqet një rrezik për Kosovën dhe të imazhit të saj në rrafshin ndërkombëtar”, ka deklaruar Haziri.

I pari i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, gjersa kishte përmendur se numri i veteranëve të Kosovës është 15.000, ka përmendur edhe çështje të rëndësishme që duhet të trajtohen urgjentisht.

 “Së pari, i kemi parë pretendimet për mashtrim të profilit të lartë nga ana e zyrtarëve të lartë publikë për miratimin e statusit të veteranit – duke filluar me 19.000 prej tyre – të cilët, sipas të gjitha gjasave, nuk do të duhej të kualifikoheshin për përfitime. Kemi dëgjuar që disa parashtrues të kërkesës hapur kanë deklaruar se kanë qenë fëmijë në kohën e konfliktit ose që kanë pasur çështje shëndetësore që nuk kanë të bëjnë me luftë. E megjithatë, një numër i zyrtarëve prapëseprapë i miratoi kërkesat e tyre për përfitime, jashtë kritereve të ligjit. Ky është thelbi i këtij rasti: Vendimmarrësit në pushtet që e shpërfillin ligjin”, ka thënë Delawie në një ligjëratë të mbajtur para disa ditëve në Pallatin e Drejtësisë, para auditoriumit me studentë të Juridikut.

Ai ka thënë se pret hetime të mëtejme dhe veprime për ta eliminuar hendekun e stërmadh në mes të numrit të pensioneve dhe numrit të luftëtarëve të identifikuar pas luftës.

Por, me deklarata të ambasadorit Delawie nuk është duke u pajtuar ish- përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, Xhavit Jashari.

Image
Xhavit Jashari

Jashari: E drejta e verifikimit i takon komandantëve të zonës

Jashari ka thënë për “Bota sot”, se Delawie nuk ka qenë në luftë për ta ditur numrin e ushtarëve.

Numrin e saktë të ushtarëve të UÇK-së, sipas  Jasharit, e dinë saktë komandanntët dhe ushtarët, prandaj ata duhet ta bëjnë edhe verifikimin.

“Greg Delawie nuk ka qenë në luftë për të ditur sa ushtarë ka pasur Kosova, këtë e dinë më së miri ushtarët dhe komandantët e saj. Më mirë se komandantët që dinë se sa ushtarë i kanë pasur, se sa pjesëtarë kanë qenë, sesa invalidë. Mua më vjen keq që shumë krokatje janë bërë rreth veteranëve dhe vlerave të luftës, ne e kemi përfunduar detyrën tonë dhe besoj në përputhje me ligjin si duhet, megjithatë verifikimin që e kanë bërë, e drejta e verifikimit i takon komandantëve të zonës deri te shtabet larta, këta e kanë bërë verifikimin, këta e dinë më së miri se kush ka qenë pjesë e luftës, kush ka dhënë atë se çfarë ka mundur për luftën”, ka deklaruar Jashari.

Me dorëheqjen e prokurorit Elez Blakajt, i cili është marrë me listat e veteranëve, është rikthyer edhe tema e veteranëve të rrejshëm dhe numrit të tyre.

Në mesin e aktakuzës së Blakajt ishte edhe emri i Jasharit, i cili të gjitha këto i konsideron “krokatje”, pasi që sipas tij, qytetarët duhet t’i gëzohen lirisë.

“Në vend që të gjithë t’i gëzohemi kësaj, në vend që të gjithë t’i gëzohemi të drejtës së përgjithshme që e kanë lënë dëshmorët, betimin e ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, këto ditë ka shumë krokatje, diku me vend, diku pa vend kur dihet sa kanë marrë pjesë në luftë në krahasim me popullatën që ka pasur Kosova. Po besoj që çfarëdo që bëjnw sido që vendosin prapë ata janë që e njohin secilin ushtar, ata që e bëjnë verifikimin, edhe 100 vetë të mbesin përsëri verifikimin do ta bëjnë komandantët dhe bartësit e tyre, siç e thashë qoftë edhe udhëheqësit e fshatit”, ka pohuar Jashari.

Ai shpreh habi për shifrat që ka përmendur ambasadori Delawie, duke thënë se normale është që këto shifra t’i dinë vetëm pjesëmarrësit e luftës.

“Delawie nuk e di kah i ka marrë këto shifra kur ne nuk i dimë. Është shumë normale që ata që i kanë marrë pjesë në luftë, qoftë komandanti i Batalionit, qoftë i brigadës, qoftë i zonës, i njeh gjithë është fakt që ka pasur të strukturuar ose që kanë qenë nën urdhra të komandantëve për të kryer detyra dhe obligimet në të mirën e vendit që i njohim të gjithë, prandaj është marrë me procesin e verifikimit është marrë komandanti i zonës me bartësit e tyre, këta i kanë kryer punën, ata e kanë përfunduar edhe në atë komision, kemi qenë edhe tre përfaqësues të organizatave të dala nga lufta. Në qëndrimet e mia të fundit, por edhe të mëhershme, asnjë pikë e asnjë presje nuk ia largoj të paktën procesit që thirret, apo çfarëdo vendimi që merret”, ka theksuar Jashari.

Image
Naim Miftari

Miftari: Rritja është e turpshme

Analistët politikë nuk pajtohen me numrin 60 mijë të veteranëve, duke thënë se nëse Kosova do të kishte aq veteranë nuk do të kishte nevojë për intervenimin e NATO-s.

Mendim të njëjtë me analistët është duke shprehur edhe ish- ushtari i UÇK-së, Naim Miftari.

Miftari është duke u pajtuar me deklaratën e ambasadorit të SHBA-së, mirëpo ka bërë pyetje përse ata nuk wshtw mbështetur prokurori i cili ishte marrë me këtë çështje si dhe kërcënimet ndaj tij.

“Deklarata e ambasadorit amerikan Delawie është standarde politike dhe nuk i ndryshon gjërat, pasi dihet mirë se në konferencën e Rambujes sekretares amerikane dhe shteteve të NATO-s iu ka dhënë shifra 17.500 ushtarë të UÇK-së pikërisht nga delegacioni  i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ambasada amerikane e dinë saktë numrin e luftëtarëve, por bëhet pyetja pse nuk e mbështetën prokurorin special të kësaj çështje, Elez Blakaj, kur filluan ta kërcënonin njerëzit nga politika e korruptuar dhe nga nëntoka e veteranëve të rrejshëm. Numri real i luftërave është diku 16.000 plus apo minus 1000 ushtarë, vjedhja industriale por edhe vjedhja institucionale e veteranëve të rrejshëm është turp kombëtar”, ka nënvizuar Miftari.

Nëse do të ishin 60.000 luftëtarë nuk ishte dashur fare intervenimi i NATO-s, ka thënë Miftari, gjersa ka shtuar se me kaq ushtarë e komandantë do të çlirohej edhe Nishi.

Miftari rritjen e numrit e quan të turpshëm, gjersa ka shtuar se dëshmorë nuk mund të konsiderohen ata që kishin vrarë ushtarë të UÇK-së disa ditë pasi kishte hyrë NATO në Mitrovicë.

“Kjo rritje jo reale e veteranëve ka të bëjë me votuesit politikë, militantët, por edhe korrupsioni i madh. Nëse do të kishin qenë 60.000 luftëtarë nuk ishte dashur fare intervenimi i NATO-s dhe me kaq shumë ushtarë e komandantë e kishim çliruar edhe qytetin e Nishit 1998/99, e jo të mbetet deri më sot që Kadri Veseli ta çlirojë më 2018 atë qytetin tonë dikur. Rritja është e turpshme edhe të shumë invalidë të rrejshëm pa u plagosur fare gjatë luftës, por edhe më e turpshme është rritja e dëshmorëve dhe civilëve të vrarë nga forcat serbe, si mund të jenë  dëshmorë njerëz që janë vrarë pas luftës ose dëshmorë njerëz që kanë vrarë ushtarë tonë të UÇK-së disa ditë pasi kishte hyrë NATO në Mitrovicë. Apo si mund të jenë dëshmorë njerëzit që janë vrarë nga shqiptarët, si mund të jenë sot dëshmorë njerëzit të vrarë nga serbët, kujt po tentojnë bandat e Hashim Thaçit t’ia mbyllin gojën familjeve të viktimave apo kujt?”, ka shtuar Miftari.

Dëshmorin dhe invalidin, luftëtarin e UÇK-së, Miftari e konsideron të shenjtë, mirëpo ka pohuar se në listat e dëshmorëve dhe invalidëve nuk duhet të ketë vend për UDB-ashwt, tradhtarët, vrasësit.

“Dëshmori dhe invalidi, luftëtari i UÇK-së është i shenjtë, është ndodhia më e ndritshme e popullit tonë që nga 200 vite të fundit të pushtuar, nuk kanë vend në listat e dëshmorëve, invalidëve, luftwtarëve nuk ka vend për UDB-ashat, tradhtarët, vrasësit, profiterët e luftës dhe kriminelët e bandave politike që janë sot. Por, fatkeqësisht Kosova sot me këtë pushtet dhe drejtësi të kapur “kokë e këput” nga krimi i organizuar nuk ka gjasa as minimale jo vetëm çështjen e veteranëve, por asnjë luftë kundër mafias politike ta fitojnë këta prokurorë e gjyqtarë në fakt janë edhe vetë kukulla të krimit të organizuar dhe politikës”, ka përfunduar Miftari.

Prokurori i ri që do të merret me rastin e Veteranëve, tashmë ka javë që është caktuar pas dorëheqjes së prokurorit Elez Blakajt.

Nëse do kishte 60 mijë ushtarë s’do kishte nevojë NATO fare të intervenonte

Blakaj, në letrën publike të dorëheqjes së tij, kishte pranuar që ishte kërcënuar nga veteranët e rrejshëm, ndërsa analisti politik Faton Mehmeti, ata veteranë i quan hajna, vjedhës dhe keqpërdorues të votave.

Image
Faton Mehmeti

“Keqpërdorimet me lista të veteranëve të UÇK-së  janë bërë krejtësisht të qëllimshme, dhe për interesa të njerwzëve në pushtet. Përmes këtyre listave kanë arritur që të marrin edhe vota, kryesisht janë futur në lista të veteranëve njerëz me të kaluar kriminale, të cilët kanë vjedhur vota për njerëzit që sot janë në pushtet. Andaj, si shpërblim kanë marrw statusin e veteranit të UÇK-së  pa qenë asnjëherë në luftë. Të gjithë këto veprime e dëmtojnë mjaft shumë buxhetin e Kosovës, i cili ka arritur që të vidhet nga ata që do të duhet të ishin mbrojtës të saj”, ka pohuar Mehmeti.

Shifrën 60 mijë ushtarë, Mehmeti e konsideron të hiperbolizuar, gjersa ka shtuar se nëse do të ishin ata nuk do të kishte nevojë NATO të intervenonte.

“Edhe kërcënimet ndaj prokurorit Blakaj, janë të ardhur nga njerëz që sot janë veteranë e faktikisht ata janë hajna, dhe vjedhës e keqpërdorues të votave, rrjedhimisht të buxhetit të Kosovës. Prandaj sot nuk ka prokuror që guxon të nxjerr lakuriq ata që janë veshur me kostumin e veteranit pa asnjë meritë, vetëm se i kanë shërbyer Hashimit dhe Ramushti për të ardhur në pushtet. Andaj duhet një hetim i thellë nga ndërkombëtarët për të zbuluar kush ka qenë e kush jo veteranë, sepse nuk besoj se ka prokuror vendor që guxon ta zbardh të vërtetën. Nëse do kishte 60 mijë ushtarë s’do kishte nevojë NATO fare të interventonte, andaj kjo shifër është e hiperbolizuar”, ka theksuar Mehmeti.

Por, ish- përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, Xhavit Jashari, ka pohuar se me ata ushtarë është fituar lufta.

“Ne ushtrinë serbe e kemi fituar patjetër. Unë si kundërpërgjigje tuajën jam duke treguar se kur e kemi filluar luftën në Prekaz të gjithë njerëz ndoshta 7 apo 8 veta kanë thënë “a jeni në mend se nuk luftohet me Serbinë” . Tani pavarësisht të gjithave ne Serbinë e kemi mundur. Unë mendoj se edhe prokuroria edhe institucionet edhe qytetarët e Serbisë, edhe ata që e gëzojnë më së shumti lirinë dhe nuk kanë bërë asgjë për vendin, duhet t’i gëzohen kësaj”, ka thënë Jashari, kur ishte pyetur a do të mundej ushtria serbe nëse numri i ushtarëve do të ishte 60 mijë.

Image
Lekë Musa

Listat e fryra dëmtojnë ekonominë e vendit

Numri i të varfërve në Kosovë është i lartë, ndërsa me numrin e madh të veteranëve dhe pagesave të tyre, ekonomistët ishin shprehur se dëmtohet buxheti i Kosovës.

Ata kanë thënë se veteranët e rrejshëm duhet të ndiqen ligjërisht.

Eksperti i ekonomisë, Lekë Musa, ka thënë për “Bota sot”, se kategoria e veteranëve ka bërë krim në dy aspekte.

“Fillimisht duhet të kthehemi te gjërat bazike, e ajo është ligji dhe rendi në rast se dikush ka bërë shkelje ligjore dhe ka mashtruar kinse i takon kategorisë së veteranëve atëherë duhet përndjekur sipas ligjeve dhe sanksioneve në fuqi. Kjo kategori ka bërë krim në dy aspekte: së pari duke dashur të përvetësojë statusin e veteranit pa marrë pjesë në luftë, ka cenuar statusin e veteranëve të vërtetë që meritojnë një respekt të jashtëzakonshëm”, ka thënë Musa.

Krimi i dytë sipas Musës, është mashtrimi dhe përfitimi financiar në kurrizin e taksapaguesve.

“Krimi i dytë është mashtrimi dhe përfitimi financiar në kurriz të taksapaguesve dhe qytetarëve tjerë, sepse kjo kategori mashtruesish përvetëson fonde të cilat përndryshe do të drejtoheshin në spitale e shkolla për fëmijë”, ka përfunduar  Musa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat