Thaçi po e kërkon shpëtimin në Bruksel, duke i shkaktuar Limajt vdekje politike

Politika

Thaçi po e kërkon shpëtimin në Bruksel, duke i shkaktuar Limajt vdekje politike

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 7 shtator 2018 Në ora: 19:43
Hashim Thaçi, Fatmir Limaj; foto ilustrim nga "Bota sot"

 Duket se Hashim Thaçi ia arriti qëllimit që me dinakërinë e tij të fuste nën kurth edhe Fatmir Limajn, njeriun që ka qenë vazhdimisht kundër bisedimeve me Serbinë, për llojin dhe mënyrën e zhvillimit të tyre.

Duke qenë se presidenti aktual këto bisedime i ka thyer në personale, lozi poentën e tij të fundit, atë të ofrimit të udhëheqësit të bisedimeve për zv. kryeministrin Limaj.

Ky i fundi, si dhe shefi i tij i qeverisë, kanë rënë në lojën e presidentin. Gjithnjë, Thaçi i ka diskredituar kundërshtarët e tij politikë me dhënien e pozitave të përkohshme, e pastaj i ka shantazhuar publikisht se bashkë “ kemi hëngër karamele”.

 Me këtë metodë të tij ka arritur deri këtu ku është sot, me që rast ka mbijetuar politikisht duke bërë pazare për fatin e tij në kurriz të të tjerëve. Duke qenë i vetëdijshëm për mëkatet e tij, ka gërshetuar dinakërinë dhe postin për të nxjerrë veten nga telashet e mundshme me drejtësinë.

 Disa që mendojnë se Limaj ka karakter të fortë dhe nuk bie pre e lojërave të Thaçit, s’kanë më arsye të mendojnë njësoj.  

Thaçi u detyrua nga opozita, e cila kishte thirrur seancë për të ndaluar  që të bënte pazare në dëm të Kosovës, nisur nga kjo i ofroi Limajt postin e kryesuesit të negociatave. Dhe, me këtë arriti që të bllokonte këtë nismë të opozitës, përmes lojërave me numra në kuvend.

Thaçi me këtë rast mori edhe mbështetjen e Listës Sprska, e cila qëndroi në bllok të qëndrimeve të koalicionit qeverisës, që bisedimet me Serbinë të zhvillohen më çdo kusht.

 Për mbështetje të tillë sigurisht se serbët kanë marrë garancione të forta se shumë shpejt do të bëhet Asociacioni me kompetenca shtesë, që rrjedhimisht krijon komuna serbe të kolonizuara.

Në këtë dimension Kosova nuk pritet të përfitojë asgjë, ndërsa Thaçi synon të arrijë marrëveshje me Serbinë në çdo formë dhe mënyrë, sepse ëndërron të merr çmimin Nobel, duke iu shmangur përfundimisht mundësisë për arrestim, për mëkatet e së shkuarës.

Duke njohur karakterin e tij jam i sigurt se ky njeri nuk pritet t’i sjellë asgjë të mirë Kosovës, përveç faturës së çmimit për të shlyer mëkatet e presidentit.

Duke u ndalur tek bllokimi, pamundësia që iu bë opozitës për të zhvilluar seancën e thirrur për të ndaluar presidentin që të bëjë marrëveshje të dëmshme për Kosovën në dëm të saj, pasqyron më së miri mendësinë primitive të kësaj qeverisje, respektivisht të këtij koalicioni qeverisës, që e mbytë debatin. Në një shoqëri të avansuar debati është vlera që kultivohet, si mundësi që të arrihet më e mira e mundshme. Një qeveri që opozitës ia mbyllë kuvendin me mënyrën e bllokimit, është e rrezikshme për një popull.

Andaj, opozita ka të drejtë edhe të dalë në rrugë, si dhe domosdoshmërisht që ta organizojë popullin kundër kësaj qeverie, kundër mentalitetit qeverisës të Ramushit dhe Hashimit.

 Përfundimisht Kosova ka nevojë të çlirohet nga kjo klasë politike në pushtet, e cila s’po le gurë pa lëvizur vetëm që të përfitojë. Interesat personale të një grupi të caktuar të njerëzve janë vënë mbi kurriz të një populli të tërë, që nuk po arrin të sheh dritë me sy.

Limaj me  pranimin e të qenurit udhëheqës i bisedimeve  nën ombrellën e Thaçit, s’ka më moral të kërkojë votë, aq më tepër të deklarojë se jemi më ndryshe se PDK.  

Vdekja e tij politike me “ plumbat” e Thaçit, nënkupton që Limaj në zgjedhjet tjera do të pësojë debakël. Edhe Limaj edhe Ramushi, i kanë ditët e numëruara në pushtet, nga të cilët Kosova duhet të çlirohet një orë e më parë. Këta që dikur gjoja luftonin kundër Serbisë, po kërkojnë të gjejnë shpëtim tek Vuçiqi, që të çlirohen nga mëkatet e krimit që ia bënë popullit të vet. Duhet të organizohemi të gjithë që të dëbojmë nga pushteti këta banditë, që Kosovës ia kanë marrë frymën.

Pas kthimit nga Brukseli, Limaj më s’ka fytyrë që të del në publik, ndërsa Thaçi do të krekoset se gjoja ka arritur marrëveshje historike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat