Kush po e shantazhon Teuta Rugovën?

Politika

Kush po e shantazhon Teuta Rugovën?

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 9 shtator 2018 Në ora: 08:39
Teuta Rugova

Seanca për votimin e grupit dialogues në bisedimet me Serbinë nuk u përkrah nga opozita. Madje ata e lëshuan këtë seancë të thirrur nga qeveria, pasi që nuk ishin dakord me formimin e këtij grupi në krye të cilit është Fatmir Limaj. Mirëpo, kuvendi arriti të sigurojë kuorumin e mjaftueshëm për vazhdimi të seancës, ku faktor kyç për arritjen e kuorimit ishte njëra nga deputetët e opozitës.

Teuta Rugova deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte ajo që nuk e respektoi qëndrimin e grupit parlamentar të saj duke ndenjur në seancën e pozitës dhe duke siguruar numrat e nevojshëm për mbajtën e kësaj seancë të jashtëzakonshme.

Rugova ishte e vetja deputete nga opozita që vazhdonte të qëndronte në këtë seance duke mos dalë jashtë kuvendit.

Seanca dështoi ngase teket e koalicionit qeverisës si gjithmonë i luhati Lista Serbe.

Pas dështimit të seancës së pozitës erdhi koha e seancës se dytë ajo e thirrur nga opozita, ku deputetja e LDK-së nuk mori pjesë në këtë seancë edhe pse ishte e thirrur nga partia që babai i saj i ndjerë, presidenti Ibrahim Rugova e themeloi.

Në mungesë numrash edhe seanca e opozitës dështoi.

Dështimi i kësaj seance të thirrur nga opozita me qëllim mos ndarjen e Kosovës nga presidenti Thaçi, pasoi me deklarata plot mllef kundrejt Teuta Rugovës.

I pari ishte  kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ku përmes një shkrimi tha se Teuta Rugova është marrë peng

“Kosova është shtet i kapur, kurse Teutë Rugova është e marrë peng para syve të dy milionë qytetarëve”, ka shkruar Kurti, përcjell “Bota sot”.

Pas deklaratës së Kurtit, pasuan deklaratat e zyrtarëve të LDK-së.

Hoti: Teuta Rugova ka obligim t’i respektojë qëndrimet e LDK-së

Shefi i GP-së së LDK-së, Avdullah Hoti, përmes një shkrimi ka thënë se pjesëmarrja e deputetes së tyre, Teuta Rugovës, në seancën e pozitës për votimin e ekipit dialogues me Serbinë është në kundërshtim me qëndrimin e tyre.

“Pjesëmarrja e deputetes Teuta Rugova në seancën e sotme është në kundërshtim me qëndrimin e LDK-së, i cili qëndrim është bërë publik para fillimit të seancës”, tha Hoti.

Sipas tij, secili deputet i LDK-së duhet të kontribuojë në debatin ku përcaktohen qëndrimet e Grupit Parlamentar të LDK-së dhe ka obligim t’i respektojë ato qëndrime.

Selmanaj: Teuta Rugova mund të përjashtohet nga partia

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka folur rreth pjesëmarrjes së Teuta Rugovës në seancën e thirrur nga qeveria.

Ai ka thënë se vendimi për të qenë pjesë e seancës ka qenë vendim i saj personal.

“Vendimi i saj për të hyrë në seancë është personal, nuk ka të bëjë me LDK-në”, ka thënë Selmanaj

Deputeti i LDK-së ka thënë se statusi i LDK-së parasheh masa dhe përjashtimin e atyre që nuk respektojnë vendimin e partisë.

“Statusi i LDK-së e ka parë edhe përjashtimin. Duhet të merren masa ndaj atyre që nuk e respektojnë vendimin e partisë. Një parti politike serioze duhet të marrë masa ndaj atyre që marrin vendime kundër partisë”, ka deklaruar Selmanaj.

Në lidhje me atë se kush mund ta ketë bindur atë të marrë pjesë në seancë, Selmanaj ka thënë se për këtë duhet të pyetet ajo vetë, por se këtë duhet ta ketë bërë dikush nga qeveria.

“Duhet ta pyesni atë, kah po i merr këto vendime. Ka të bëjë me persona brenda qeverisë së Kosovës, ata që ndihmuan formimin e koalicionit qeverisës”, është shprehur Selmanaj. 

“Më keq është karrieristi se tradhtari”

Image
Astrit Haraqija

Në anën tjetër, njeriu me i afërt i familjes Rugova, Astrit Haraqija në një bisedë me gazetën “Bota sot”, ka thënë se është për të ardhur keq se si flasin për Teuta Rugovën.

Haraqija ka theksuar se më i keq është karrieristi se tradhtari, ngase karrieristi për karrige i jep të gjitha.

“Ai që ka thënë që e kanë marrë peng ai duhet me tregu, unë se di..... A këta që po flasin për Teutën mazamakeq ku jena ardhë si LDK-ja sa prehen  te VLAN-i pastaj te Hashimi me qeverisë.... tash me fol këta për Teutën kuku për ne, por shyqyr që janë zgjedhjet e partisë e qysh kanë ardhë dhe shkojnë, mos harro më keq është karrieristi se tradhtari, se atë e njeh e sheh tradhtarin por karrieristi për karrige i jep gjitha”, ka deklaruar Astrit Haraqija.
 
Kush po e shantazhon Teuta Rugovën?

Image
Haki Abazi

Për analistin dhe njohësin e çështjeve politike në vend, Haki Abazin, është klani PRONTO të ndihmuar nga sekserë matrapaz ata që po maltretojnë vazhdimit deputetët.

 “I gjithë aparati shtetëror është vendosur në shërbim të agjendës se Thaçit për t'i mundësuar atij që të mbetet në lojë. Dialogu me çdo kusht me Serbinë duke paraqitur situatë lufte e konflikti kur në fakt Kosova ka shumë probleme tjera të brendshme dhe as që do të duhej të merret me Serbinë, përderisa nuk ka rregulluar dhe forcuar veprimin e shtetit. Ajo që është bërë disa here me deputeten Rugova tregon fytyrën dhe natyrën banditeske shantazhuese të klanit PRONTO të ndihmuar nga sekserë matrapazë. Pse nuk duhet shtruar pyetjen kush është Batoni Haxhiu, Astrit Haraqia dhe Dardan Gashi? Çfarë legjitimiteti bartin ata, kënd e përfaqësojnë dhe me çfarë të drejtë ata bëhen ndërmjetësues për të shantazhuar deputet”, ka thënë ai.

Tutje Abazi ka shtuar se, Teuta Rugova ka tradhtuar votuesit e saj dhe vizionin e babait të saj.

“Kjo në asnjë mënyrë nuk e arsyeton dhe nuk e falë deputeten Rugova për sjelljet e saj aspak parimore, ajo ka tradhtuar votuesit e saj dhe është duke tradhtuara edhe vizionin e babës së saj që në fakt është edhe arsyeja pse ajo ka arritur të bëhet deputete. Kjo natyrë e veprimit tregon se sa thellë janë futur rrënjët e krimit dhe se si Kosova po trajtohet si tavolinë pokeri. Kosovës i janë abortuar institucionet dhe ne vazhdimësi koncepti i sabotimi të parlamentit dhe kushtetutës është një agjende e kombinuar ndërmjet Thaçit dhe Listës Srpska. Veprimet e Thaçit janë jo kushtetuese dhe herët a vonë ai duhet të përgjigjet për veprimet e tij në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e Kosovë. Ai me një grup njerëzish ka vendosur masat e jashtëzakonshme mbi institucionet e vendit që nuk dallon aspak nga masat e dhunshme që dikur Regjimi i Serbisë vendoste në Kosovë”, ka përfunduar Haki Abazi për gazetën “Bota sot”.

“Respektin që e kishim për ty, na largove përfundimisht”

Ish- ushtaraku i UÇK-së, dhe anëtari i LDK-së, Saim Tahiraj, përmes një postimi në facebook, ka kritikuar veprimin e Teuta Rugovës, e cila doli kundër qëndrimit të LDK-së dhe mori pjesë në seancën e thirrur nga pozita.

Image
Saim Tahiraj

Ai ka shkruar se, Teuta e arriti kulmin.

“Sot e arrite kulmin Teuta, na detyrove që gjithë atë respekt që patëm për juve, si bija e presidenti tonë Rugova, ta largojmë përfundimisht. Shumë e dhimbshme por e detyrueshme. Na i ndave rrugët! Ti në rrugëtimin tuaj me tufën e ujqërve, dhe ne vazhdojmë rrugën që na e trasoi Presidenti i ynë i dashur dhe shumë i nderuar Dr. Ibrahim Rugova”. Sot pamje e dhimbshme në Parlamentin e Kosovës. Teuta Rugova e vetmuar, si në shkretëtirë e rrethuar me ujqër, pa mbrojtje! Ujqër të vjetër të cilët e sulmuan disa herë Presidentin Historik Rugova. Ja bënë copë-copë bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Sot për çudi, njëjtë si dje, Teuta e vetmuar në mesin e po të njëjtëve ujqër, qëndron pa frikë! Të gjithë anëtaret besnik te presidentit Rugova dhe LDK-së pyesin të habitur, me plotë dhembje, pse vepron kështu Teuta?", ka shkruar Tahiraj.

Tutje, Tahiraj ka shtuar se Rugova është në tufën e ujqërve dhe jo në rrugën e presidentit Rugova.

“Teuta bija e presidentit tonë Rugova. President që aq shumë e deshëm dhe e nderuam, dhe kurrë nuk pushuam, por vazhdojmë edhe sot dhe nesër ta duam dhe nderojmë. Teuta vazhdon avazin e vjetër si dje, edhe sot të na lëndoj, pa pyetur fare se sa shumë besnikë të babait të saj janë lënduar thellë në zemër. Sot e arrite kulmin Teuta, na detyrove që gjithë atë respekt që patëm për juve, si bija e presidenti tonë Rugova, ta largojmë përfundimisht. Shumë e dhimbshme por e detyrueshme. Na i ndave rrugët! Ti në rrugëtimin tuaj me tufën e ujqërve, dhe ne vazhdojmë rrugën që na e trasoj Presidenti i ynë i dashur dhe shumë i nderuar Dr.Ibrahim Rugova”, ka përfunduar Saim Tahiraj.

Kjo nuk ishte hera e parë ku Teuta Rugova nuk i respektoi qëndrimet e LDK-së dhe ndihmon partitë e koalicionit qeverisës.

Rugova në seancën e formimit të qeverisë Haradinaj, votoi për pauzë ku koalicioni PANA ende nuk kishte numrat.

 Kur udhëheqësi i seancës Adem Mikullovci kërkoi nga deputetët të votojnë, Teuta ngriti dorën pro propozimit.

Hoxhaj propozoi që pas dy ore të kthehen deputetët, pasi që siç tha ai, koalicionit PAN po i duhet kohë për t’u konsultuar në lidhje me kandidatin për kryeparlamentar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat