Eksperti i sigurisë zbulon pse Qeveria dëshiron që ushtria të formohet tani

Politika

Eksperti i sigurisë zbulon pse Qeveria dëshiron që ushtria të formohet tani

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 15 shtator 2018 Në ora: 14:39
Pjesëtarë të FSK-së

Të enjten Qeveria votoi projektligjin për FSK-në, duke e proceduar tutje në Kuvendin e Kosovës.

Duke komentuar këtë vendim të Qeverisë dhe faktin se a duhet të formohet ushtria e Kosovës tani, eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se duhet të mbështetet formimi i ushtrisë, por qeverisja duhet të analizojë përfitimet nga veprimit në kohë të caktuar.

“Është absurditet të mos mbështetet formimi i ushtrisë, kur dihet se ajo konsiderohet si njëri nga atributet e shtetit, por diskursi i funksionimit të shtetit duhet t’i përmbahet një rregulli ekonomik cost-benifit. Është shumë e rëndësishme që shteti, ose ata që qeverisin të analizojnë me mprehtësi se çfarë fitojnë nga veprimi ose mosveprimi në situata të caktuara, qofshin ato të brendshme apo në raportet ndërkombëtare”, është shprehur ai.

Sipas Kajtazit, në këtë rast krijimi i ushtrisë nuk është imediat pasi siguria e Kosovës nuk rrezikohet nga Serbia.

Image
Fadil Kajtazi

“Në rastin konkret, krijimi i ushtrisë nuk është imediat, ngase siguria e tërësisë territoriale nuk rrezikohet nga Serbia si pretenduese e vetme e territorit të Kosovës. Ne jemi dëshmitarë se sovraniteti dhe integriteti i vendit seriozisht u vu në pikëpyetje gjatë muajve të fundit nga presidenti i vendit, prandaj ekzistimi ose mos ekzistimi i ushtrisë nuk qe faktor që parandaloi copëtimin e vendit. Atë e parandaloi bashkësia ndërkombëtare, e cila tani ka vërejtje për veprimin e ndërmarrë të qeverisë për ta dërguar ligjin në parlament, dhe për ndryshimin e misionit të FSK-së, që i jep asaj atributin e ushtrisë. Nëse kjo bashkësi ndërkombëtare iu gjend Kosovës në ditët e liga, ajo duhet të konsultohet edhe për këtë veprim. Hipotetikisht, ekzistimi i ushtrisë në këto rrethana mund të parandalonte copëtimin e vendit përkohësisht, vetëm nëse do të organizohej grusht shtet i cili ndoshta në rrethanat shqiptare do të komplikonte gjërat edhe më shumë”, ka thekuar eksperti i sigurisë.

Ai thotë se ushtria e Kosovës duhet të formohet në bashkëpunim me NATO-n.

“Ushtria e Kosovës është faktor i sigurisë nacionale vetëm nëse ajo formohet në bashkëpunim me organizatën më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-n dhe çdo veprim pa këtë organizatë, peshoren cost-benifit, do ta anonte nga humbja”, ka vlerësuar ai.

Kajtazi thotë se qeveria ka marrë këtë vendim për shkak të mos aftësisë për tu marrë me tema tjera primare.

“Ky veprim i qeverise është ndërmarrë nga shkaku i mos-aftësisë së saj për tu marrë me tema primare që i hapin rrugë dhe perspektiv vendit në të gjitha drejtimet, ku pa dyshim se do të jetë edhe aktit të formimit të ushtrisë. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është në dorën e qeverisë dhe nuk ka nevojë të pyetet askush nga bashkësia ndërkombëtare që qeveria të ndërmarrë masa në këtë drejtim, ose nëse marrim vetëm sektorin e shëndetësisë i cili është mizerabël, mund të rregullohet pa pyetur ndërkombëtarët dhe NATO-n, rritja ekonomike gjithashtu mund të rregullohet pa implikime ndërkombëtare, shpenzimet qeveritare gjithashtu”, ka theksuar Fadil Kajtazi.

Sipas tij, tema e ushtrisë u bë me synim që ta turbullojë mendjen e popullatës dhe ta largojë nga problemet tjera.

“Vet mënyra se si është e komponuar qeveria, numri i ministrive dhe zëvendësministrave është një tregues shumë transparent për joseriozitetin që kanë partitë e koalicionit në raport me zhvillimet në vend. Sondazhet e fundit për numrin e të rinjve që planifikojnë ta lëshojnë vendin janë tregues shqetësues për pa perspektivën shoqërore që ka krijuar mënyra e qeverisjes së vendit. Morali i një populli është faktori kryesore në mbrojtje të një shteti, dhe historikisht dihet se shumë shtete kanë pasur ushtri të forta, por morali i popullatës ka qenë i rënë për toke si shkak i qeverisjeve të këqija dhe ato janë shkatërruar. Nuk është e largët historia e bllokut komunist ku armata të tëra u braktisen nga ky faktor. Dhe për fund, paaftësia për tu marrë me tema jetike siç është zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e popullatës, ngritën tema të mëdha siç është edhe kjo e ushtrisë me synim për të turbulluar mendjen e popullatës”, ka përfunduar Fadil Kajtazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat