Thaçi dhe Vuçiq arritën marrëveshje të fshehtë në dëm të Kosovës?

Politika

Thaçi dhe Vuçiq arritën marrëveshje të fshehtë në dëm të Kosovës?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 shtator 2018 Në ora: 17:38
Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi

Përderisa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, u premton qytetarëve të vendit se nuk do të këtë ndarje të Kosovës, Trepçës apo Ujmanit, në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u premton serbëve se sërish do t'i ftojë donatorët kinezë që të investojnë në veriun e Mitrovicës.

Vuçiq në fjalimin e tij para qytetarëve serbë ka deklaruar se, për shkak të situatës në të cilën ndodhet veriu i Kosovës disa biznesmenë nga Kina që kanë qenë të interesuar të investojnë në veri, janë larguar.

“Nuk ka diçka të rëndësishme për kinezet. Para disa dite është dashur të vijnë disa investitorë e kinez për të investuar në veri, por për shkak të situatës e kanë anuluar vizitën. Tani, gjatë vizitës sime të ardhshme do të  më duhet t’i lus për të ardhur sërish”, ka thënë presidenti serb Vuçiq.

Selimi: Thaçi dhe Vuçiq kanë arritur marrëveshje të fshehtë

Image
Rexhep Selimi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë për “Bota sot”, se përderisa ka gjëra të pa diskutueshme për Serbinë, atëherë si mund të jenë, të njëjta të diskutueshme edhe për Thaçin.

“Ajo çka është kryesorja këtu, është se edhe Thaçi edhe Vuçiçi si partner në bisedime që janë të pandashëm, kanë arritur me një tjetër marrëveshje të fshehtë të cilët po mundohen t'ua shesin opinioneve të tyre. Me këtë rast marrëveshjet e tyre po mbahen larg opinionit, jo si lajme të mira, për shkak të së kundërtës, sepse sikur të ishte lajm i mirë për Kosovën, Thaçi do të ishte ai i pari i cili do ta sillte lajmin e mirë. Por duke qenë lajme të këqija, të cilat edhe vetë ky i ka proklamuar si vendime të vështira dhe si kompromise të dhimbshme atëherë nga të dytë bashkë, herë veç e veç, e herë të dytë së bashku, po mundohen t’ia shesin opinionit në Kosovës si diçka të mirë”, ka thënë deputeti Rexhep Selimi.

 Pra, sipas tij, krejt çka po bëjnë Thaçi dhe Vuçiqi është që janë në sinkronizim me njëri-tjetrin, për të lehtësuar një marrëveshje të fshehtë, e cila tashmë është në dëm të Kosovës.

“Dhe kjo nuk është më e diskutueshme, pasi e vetmja gjë që është e padiskutueshme, është që kjo marrëveshje është në dëm të Kosovës”, është shprehur ai.

Zogaj: Mikpritja e Kosovës nuk erdhi në shprehje

Image
Skender Zogaj

Analisti politik Skender Zogaj, ka thënë për “ Bota sot”  se, presidenti serb Vuçiq, (emër që në serbisht ka kuptimin e ujkut të vogël, pra klyshit të ujkut), e shfrytëzoi rastin e vizitës, për ta luajtur në Kosovë “vallen çetnike”.

Ai ka thënë se, kjo është mënyra tradicionale e politikës serbe nga e cila kafshimin tinëzar, gënjeshtrën, mashtrimin dhe pafytyrësinë i ka tipar gjenetik kombëtar.

“Pra e këtij profili ishte vizita e Vuçiqit, i cili edhe kësaj here shpalosi ëndrrën tradicionale serbe, për vendin e shenjtë dhe serbët e “vuajtur”. Për fat të keq të serbëve të veriut të Kosovës, kësaj herë Vuçiqi, në vend të “vodkës” vëllazërore ruse, në Gazivodë e Leposaviq, premtoi se herën tjetër do t’ua sjell investitorët kinez. Premtim që e vlen të mbahet mend. Në anën tjetër, mikpritja e Kosovës, kësaj here nuk mundi të vinte në shprehje sepse, e refuzoi Vuçiqi”, ka thënë Zogaj.

Sipas Zogajt, investitorët kinezë nuk kanë nevojë të vijnë nga Beogradi, sepse më lehtë dhe më mirë mund të vijnë në Prishtinë edhe nga Tirana.

Kurse analisti politik, Faton Mehmeti, ka thënë se fatkeqësisht mes deklaratave të Thaçit dhe Vuqiçit afër realiteti janë ato të Vuçiqit.

Mehmeti: Thaçi përbën rrezik

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, kjo për faktin se presidenti Thaçi është dëshmuar në vazhdimësi të jetë një gënjeshtar dhe mashtrues, andaj edhe në rastin e Ujmanit nuk përjashtohet një mundësi e tillë.

“Derisa Serbia e kontrollon Ujmanin dhe tërë atë pjesë të Veriut, deklarata e Thaçit ngjajnë në veprime Don Kishoteske, në fakt Thaçi është një Don Kishot, i cili karshi realitetit fantazon realitet të paqena. Krejt qytetarët e Kosovës janë duke e kuptuar realitetin vetë Thaçi jo, ai vazhdon me fantazitë e tija”, ka thënë Mehmeti.

Ai ka thënë se, është mjaft e rrezikshme që një person i tillë t’i prijë një populli të tërë, andaj edhe duhet thënë se Thaçi po gënjen dhe po mashtron.

“Kosova pa Ujmanin nuk ka as me çfarë të ushqehet, duke vështirësuar kështu jetën tonë edhe më shumë. Andaj duhet të reagojnë qytetarët, opozita dhe të gjithë mekanizmat shoqëror për të ndaluar këtë njeri, që me fantazitë e veta e ka kthyer vendin tonë në një skëterrë”, ka thënë analisti politik Mehmeti.

Mehazi: Thaçi dhe Qeveria ngjallën frikë te qytetarët

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Sulejman Mehazi, ka thënë se nuk është fare e sinqertë deklarata e Hashim Thaçit, i cili thotë, se s'vjen në shprehje të diskutuarit e ndarjes së Trepçës, Gazivodës dhe veriut të Mitrovicës.

 Sipas tij, nëse Thaçi thotë ashtu atëherë përse këtë dialog frenetike me Vuçiçin e bënë në vazhdimësi, dhe pikërisht për serbët e kësaj ane.

“ Pastaj këto s'janë dezinformata për të frikuar popullatën, por informata të sakta se Trepça, Gazivoda e veriu i Mitrovicës janë nën administratën e Serbisë. Thaçi shpesh gjatë dialogjëve të fundit me Vuçiqin deklaronte për shkëmbime territoresh me Serbinë. E pyesim Thaçin nëse do pajtohej për shkëmbime vendesh atëherë cilën pjesë të Kosovës ia kishte dhënë Serbisë? Nëse Thaçi e do Luginën le të urdhërojë e të shkojë atje, sikurse Vuçiqi që kapadaiset që dy tri ditë në Kosovë. Ç‘është ardhja e Vuçiçit nëpër vendbanimet serbe informatë e saktë apo dezonformatë e Thaçit. Frikë e panik vet Thaçi së bashku me qeverinë kanë krijuar me ardhjen e Vuçicit, qytetarët e Kosovës të cilët nuk mund ta durojnë luksin e Vuçiqit në këto vendbanime, në Leposaviq, duke ju dalë zot serbeve dhe me biznese kineze”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat