Qytetarët duan një koalicion LDK-Vetëvendosje, jashtë PDK dhe AAK

Politika

Qytetarët duan një koalicion LDK-Vetëvendosje, jashtë PDK dhe AAK

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 16 shtator 2018 Në ora: 08:05
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Sondazhet janë pjesë e demokracisë, dhe në çdo vend demokratik ato janë të pranishme. Edhe në vendin tonë po zhvillohen të tilla, për të parë ecjen e mënyrës se si zhvillohet demokracia. Faktikisht sondazhet duhet të shërbejnë si këndellje për partitë politike, për të kuptuar nëse janë apo jo në rrugë të drejtë.

 Këtë javë që po lëmë pas u publikua një sondazh  nga KDI-ja, ku u tha se në rast të zgjedhjeve, LDK-ja do të fitonte 23.8 për qind, e ndjekur nga PDK-ja me 18.4 për qind, VV-ja me 17.6 për qind dhe AAK-ja me 8.8 për qind. 4.1 për qind të të anketuarve kanë deklaruar se do ta votonin Listën Serbe. Pra prinë LDK, duke e çuar PDK-në në opozitë. Jo vetëm ky sondazh, por edhe disa të tjerë e kanë nxjerrë LDK të parën, që dëshmon se fundi i koalicionit aktual është çdo ditë e më pranë.

Duhet theksuar se në këtë anketë, qytetarët janë pyetur edhe për preferencat e tyre për koalicionet e partive që ata do të votonin, në qoftë se zgjedhjet mbaheshin të dielën. Sipas rezultatit, 27 për qind e votuesve të LDK-së kanë preferuar që partia e tyre të jetë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, ndërkaq 60 për qind e tyre janë shprehur kundër koalicionit me PDK-në. Pra, qytetarët duan të largojnë PDK nga pushteti me çdo kusht, pasi shihet si e keqja e vendit.

 Duke e ndjerë presioni e këtij sondazhi, reagoi PDK-ja, përmes nënkryetarit  të saj, Enver Hoxhaj, i cili ka komentuar sondazhin që ka publikuar KDI-ja, e ku partia e tij parti del të jetë e dyta pas LDK-së, në rast se zgjedhjet do të mbaheshin brenda kësaj periudhe.

Reagimi i tij ishte diletant, jo serioz dhe kryesisht euforik. 

“E lexova me vëmendje sondazhin e KDI-së i cili është selektiv në qasje, meqë kanë përzgjedhë si mostër komunat ku qeverisë LDK-ja. Ky është më shumë “news frame” se sa matje e saktë e disponimit publik. Matjet kredibile të opinionit publik në Kosovë flasin që PDK është bindshëm partia e parë politike në vend”, kështu reagoi Hoxhaj, duke pasqyruar frikën që e ka kapluar.

Nuk kuptohet mire se kë e quan Hoxhaj “ matje kredibile”, pasi të gjitha sondazhet e nxjerrin PDK parti të dytë, për më tepër jo larg vendit të tretë. Apo PDK ashtu sikur edhe ish- kreu i saj, tani presidenti i vendit, jetojnë me iluzione, me një realitet të pa qenë.

 Mungesa e seriozitetit të kësaj partie transmetohet edhe tek sondazhet, pasi një parti e përgjegjshme në pushtet do të duhet të reflektonte për disponimin e qytetarëve. Në veçanti kur qytetarët të thonë “Mjaft më, jemi lodhur nga gënjeshtrat dhe mashtrimet tuaja”.

Nuk është fare e çuditshme një reagim i tillë nga një parti që për 10 vjet në pushtet e ka shkatërruar këtë vend, ka ngjallur krimin dhe korrupsionin, ka degraduar mirëqenien duke nxitur qytetarët që të ikin nga vendi.

Megjithatë edhe LDK nuk duhet të ekzaltohet shumë nga ky sondazh, të cilin duhet ta lexojë si përgjegjësi që mos të dëshpërojë qytetarët të cilët i kanë dhënë besimin se do të qeverisë ndryshe. Dhe ndryshimi është i domosdoshëm për ta kthyer vendin në rrugën e duhur. Një koalicion mes LDK dhe VV qysh tani në opozitë me një platformë të përbashkët qeverisëse, është nevojë dhe kërkesë e qytetarëve, që duhet të respektohet nga këto dy parti politike.

Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet, injorimi i kërkesës së qytetarëve për ndryshim do të jetë ndëshkimi me votë. Qytetarët po flasin, LDK dhe VV duhet t’i dëgjojnë, pasi qytetarët shohin shpresën për ndryshim tek ato në një koalicion të përbashkët qeverisës, dhe për më tepër të qeverisin ndryshe nga PDK-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat